Lajm26 Oct 2021

Erdogan tërhiqet nga vendimi për të dëbuar diplomatët perëndimorë

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u tërhoq nga vendimi i tij për të dëbuar dhjetë diplomatë perëndimorë, të cilët kërkuan lirimin e një aktivisti për të drejtat e njeriut, pasi ata premtuan se nuk do të ndërhynin në çështjet e brendshme të Turqisë.

Autor: Hamdi Fırat Buyuk BIRN Beograd
Printo

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan. Foto: Facebook/ Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan tha të hënën se pasi dhjetë ambasadorë perëndimorë, përfshirë ata të SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës, bënë deklarata pajtuese, ai po tërhiqej nga kërcënimi i tij për t’i dëbuar ata nga vendi pasi kërkuan lirimin e menjëhershëm aktivistit turk të të drejtave të njeriut Osman Kavala, i cili është i burgosur në Turqi.

“Me deklaratën e re të bërë sot nga të njëjtat ambasada, u bë një hap pas nga kjo shpifje ndaj vendit dhe kombit tonë. Besoj se këta ambasadorë… do të jenë më të kujdesshëm në deklaratat e tyre në lidhje me të drejtat sovrane të Turqisë”, tha Erdogan.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ankara deklaroi të hënën se respekton ligjet dhe rregulloret e Turqisë.

“Shtetet e Bashkuara vënë në dukje se ruajnë pajtueshmërinë me nenin 41 të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, tha ambasada amerikane në Twitter.

Neni 41 parashikon që diplomatët nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të shtetit pritës.

Kanadaja, Holanda dhe Zelanda e Re gjithashtu postuan mesazhe të ngjashme, ndërsa Norvegjia dhe Finlanda ripërsëritën mesazhin e SHBA-së.

Erdogan tha të shtunën se i kishte kërkuar ministrisë së tij të punëve të jashtme që t’i shpallte dhjetë ambasadorët persona non grata pasi ambasadat e tyre i dërguan një letër të përbashkët qeverisë turke më 18 tetor duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të filantropit dhe aktivistit të të drejtave të njeriut Osman Kavala.

Kavala ka qenë në burg prej katër vitesh pa u dënuar, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që ai duhet të lirohet.

“Vonesat e vazhdueshme në gjyqin e tij, duke përfshirë bashkimin e çështjeve të ndryshme dhe krijimin e të rejave pas një lirimi të mëparshëm nga akuzat, hedhin një hije mbi respektin për demokracinë, sundimin e ligjit dhe transparencën në sistemin gjyqësor turk”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ambasadave perëndimore.

Deklarata zemëroi zyrtarët turq, të cilët i akuzuan ambasadat se po përpiqeshin të ndikonin në procesin gjyqësor.

Kavala është një ish-anëtar bordi në Turqi i Fondacioneve Shoqëria e Hapur, një rrjet që mbështet grupet e shoqërisë civile, i themeluar nga manjati George Soros.

Kavala u ndalua me akuza për përfshirje të dyshuar në përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit në Turqi në vitin 2016 dhe protestat e parkut Gezi në Stamboll në vitin 2013.

Këshilli i Evropës i kërkoi gjithashtu Turqisë në shtator të lirojë Kavalën dhe politikanin kurd Selahattin Demirtas, duke i dhënë Ankarasë një afat kohor të cilin ajo duhet ta përmbushte para se të vendoseshin sanksione.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *