Tani që presidenti Joe Biden ka deklaruar zyrtarisht një fund të pranisë së trupave amerikane në Afganistan, është e sigurt që pas kësaj lëvizje do të ketë konflikte dhe kaos. Populli Afgan do të jetë i pari që do të vuajë, por ka shumë pak gjasa që të jetë i fundit.
Drama afgane është afër fundit, të paktën për sa u përket ushtrive perëndimore. Pikërisht dy dekada pas sulmit të al-Kaedës në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, trupat e fundit perëndimore janë, nëse presidenti amerikan Joe Biden i qëndron datës që ka caktuar, planifikuar të largohen nga Afganistani më 11 shtator 2021. Lufta duhej të mbaronte në një pikë. Por pas gjithë këtij gjaku të derdhur dhe parash të shpenzuara, shumë do të pyesin se çfarë është arritur deri më tani.
Edhe pse rrjeti terrorist i al-Kaedës u dobësua nga lufta, ai nuk u shkatërrua. Shtetet e Bashkuara gjurmuan dhe vranë liderin e e grupit, Osama bin Laden, dhe dëbuan talibanët nga Kabuli. Por jashtë kryeqytetit dhe disa zonave të tjera, talibanët janë më të fortë se kurrë – dhe të gatshëm të rimarrin pushtetin sapo trupat perëndimore të largohen.
Terrorizmi radikal islamik nuk është mundur, as ushtarakisht dhe as ideologjikisht, dhe mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për Perëndimin. Pas gjithë këtyre viteve, Afganistanit ende i mungojnë strukturat e qëndrueshme qeverisëse të afta për të kontrolluar terrorizmin e brendshëm, korrupsionin dhe tregtinë e drogës, e jo më t'i ofrojnë shoqërisë afgane perspektivën e një të ardhmeje më paqësore dhe më të begatë. Stabiliteti rajonal ndoshta do të jetë më i brishtë pas tërheqjes së Perëndimit sesa është sot.
Nuk duhet të krijojmë iluzione. Tërheqja e trupave të Perëndimit përbën një humbje, pasojat humanitare të së cilës do të jenë dramatike. Për popullin afgan, lufta do të vazhdojë. Kthimi i mundshëm i talibanëve dhe islamizmi i tyre përsëri do të detyrojë gratë dhe vajzat të mbajnë burka dhe do t'i privojë ato nga të drejtat e tyre njerëzore. Legjionet e afganëve të mirëarsimuar do të përpiqen të ikin në Perëndim. Ata që do të mbeten, do të përballen me një fat të keq, së bashku me shumicën e pakicave etnike dhe fetare.
Dikush pyet veten nëse Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë vërtet të përgatitur për atë që vjen më pas. Ushtarakisht, tërheqja ka kuptim: Perëndimi nuk ka asgjë për të fituar në Afganistan. Megjithatë, në aspektin humanitar dhe moral, ai po rrezikon një katastrofë të parashikueshme. BE-ja, në veçanti, duhet të presë një valë të madhe refugjatësh, që të kujton vietnamezët që kërkuan strehim në Perëndim pas tërheqjes së SHBA-së nga Vietnami.
Çmimi gjeopolitik do të jetë gjithashtu i lartë. Si do ta interpretojnë grupet ekstremiste islamike pranimin e humbjes nga Perëndimi? A nuk do të bëhet Afganistan në fakt përsëri një strehë e sigurt terroriste, siç ndodhi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe tërheqjes së Ushtrisë së Kuqe të dikurshme? Dhe, përtej Azisë Qendrore, a nuk mund t'i përgjigjen Rusia dhe Kina dobësisë së perceptuar të Perëndimit me një rritje të agresionit ndaj Ukrainës dhe Tajvanit?
Mesazhi inaugurues i Biden ishte se “Amerika u rikthye”. Por humbja e besueshmërisë te SHBA-ja pas presidencës së Donald Trump nuk mund të kthehet kaq lehtë. Procesi i ripozicionimit të Amerikës në botë do të marrë kohë dhe mund të perceptohet në mënyrë të gabuar nga armiqtë dhe rivalët e saj.
Në Afganistan, fundi i pranisë së gjatë të Perëndimit do të krijojë një vakum pushteti që fuqitë rajonale konkurruese do të kërkojnë ta plotësojnë. Njëzetë vitet e fundit nuk kishin të bënin vetëm me Amerikën dhe luftën e saj kundër al-Kaedës dhe talibanëve. Për Pakistanin, lufta ka qenë gjithnjë në lidhje me ruajtjen e territorit të tij nga armiku i tij i lashtë, India. Terrorizmi islamik është një mjet kryesor në përpjekjet e Pakistanit, prandaj politika e tij ndaj SHBA-së ka qenë shumë e paqartë. Nga njëra anë, Pakistani lejoi që SHBA-ja të përdorte portet dhe territorin e tij për kalimin e forcave amerikane për në Afganistan. Nga ana tjetër, ai garantoi një strehë të sigurt për terroristët islamikë, përfshirë Bin Ladenin dhe shumë të tjerë nga lidershipi i talibanëve.
Ndërkohë, regjimi iranian ka kohë që ka kërkuar të mbrojë popullatën shiite afgane dhe kufirin e vet lindor duke ruajtur një prani në Afganistanin perëndimor. Dhe fuqia më e madhe e rajonit, Kina, ka interesa të mëdha gjeopolitike dhe në burimet natyrore të vendit. Marrëdhënia e ngushtë e Afganistanit me Pakistanin mund të bëhet më e dukshme tani që Kina ka rindezur konfliktin e saj kufitar Himalaje me Indinë.
Ashtu si prania e Perëndimit në Afganistan ka ndihmuar në kontrollimin e këtyre konflikteve, ashtu edhe tërheqja e tij ka të ngjarë të ketë efektin e kundërt. Kina do të përpiqet gjithnjë e më shumë të zërë vendin e Amerikës si hegjemon rajonal. Nëse ajo mund ta trajtojë këtë fuçi baruti më mirë sesa e bënë sovjetikët dhe amerikanët, kjo është një çështje tjetër. Ka arsye të mira për të dyshuar se ajo mund ta bëjë këtë.
Tragjedia e Afganistanit, të paktën që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë, është se ai ka qenë vazhdimisht në qendër të interesave të fuqive të mëdha. Në fillim, ai ishte një mollë kryesore sherri midis Perandorive Britanike dhe Ruse në përleshjet e tyre për Azinë Qendrore dhe Jugore. Pastaj, në shekullin e njëzetë, vendi u gjend në mes të Luftës së Ftohtë, kur sovjetikët pushtuan në 1979.
Pasi sovjetikët u tërhoqën në 1989, vendi hyri në luftë civile, duke u bërë një bazë për grupe si al-Kaeda kur talibanët konsoliduan kontrollin. Dhe, pas 11 shtatorit 2001, SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë ndërhynë. Pra, vendi ka qenë në luftë për një gjysmë shekulli dhe nuk ka asnjë arsye të mendojmë se mjerimi i tij do të marrë fund së shpejti.
Nuk ka asnjë alternativë të qëndrueshme për një prani ushtarake perëndimore në Afganistan. 12 shtatori 2021 nuk do të sjellë një botë më të sigurt dhe më të mirë. Përkundrazi, tërheqja e trupave ushtarake do të shkaktojë në mënyrë të pashmangshme në katastrofë humanitare. Populli afgan do të jetë i pari që do të vuajë, por me siguri ata nuk do të jenë të fundit.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Darkness over Kabul