Në një intervistë për BIRN, menaxherja e programit të Reformës Kushtetuese pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Ersida Sefa, shprehet se Reforma në Drejtësi kërkon përfshirje dhe konsensus të gjerë politik dhe publik.
Për një nga ekspertet e Fondacionit “SOROS” në proces, kjo reformë është e domosdoshme dhe e nevojshme, ndaj palët duhet të lënë retorikën dhe analizën e përgjegjësive. “Në opinionin tonë, pjesëmarrja e sa më shumë aktorëve në këtë proces transformues të drejtësisë shqiptare vlerësohet pozitive dhe e domosdoshme. Një reformë e tillë përmasave kërkon një përfshirje dhe konsensus të gjerë politik e publik gjithashtu. Në këtë moment, nuk ka vlerë analizimi i përgjegjësive. Tashmë, kërkohet përfshirje dhe angazhim real e konkret në hartimin dhe zbatimin e një reforme gjerësisht të pranuar nga ekspertiza vendase dhe ajo ndërkombëtare”, shprehet ajo për BIRN. Fondacioni “SOROS” po kontribuon në këtë reformë në aspektin profesional dhe financiar, por edhe në mbështetjen ndaj reformës që duhet thënë se: “Fondacioni po kontribuon gjithashtu në zhvillimin e një procesi reformues sa më transparent, gjithëpërfshirës, informues dhe të hapur për inputin e të gjithë aktorëve të sistemit dhe opinionit publik në përgjithësi”, shprehet ajo…
Ku konsiston asistenca e Soros-it për Reformën në Drejtësi?
Sefa: Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, Soros në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri përmes Projektit EURALIUS IV, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes Misionit OPDAT dhe Prezencën e OSBE-së në Tiranë po mbështet nismën e ndërmarrë nga parlamenti për reformën në sistemin e drejtësisë. Kjo nismë vjen si vazhdimësi e kontributit disa vjeçar të Fondacionit për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare. Ndër iniciativat më të rëndësishme që Fondacioni ka ndërmarrë në këtë fushë ka qenë ajo për reformimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në vitet 2013-2014, si një ndër parakushtet kryesore për rivendosjen e parimit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve në raport me sistemin e drejtësisë. Asistenca që Fondacioni po ofron në këtë reformë, e cila është padyshim një ndër reformat më të rëndësishme që kalon Shqipëria, është në kontribut profesional dhe financiar. Nisur nga rëndësia që mbart ky proces, por dhe radikalizmi i disa prej zgjidhjeve që kjo reformë pritet të propozojë për të shpëtuar sistemin nga gjendja në të cilën ndodhet, Fondacioni po kontribuon gjithashtu në zhvillimin e një procesi reformues sa më transparent, gjithëpërfshirës, informues dhe të hapur për inputin e të gjithë aktorëve të sistemit dhe opinionit publik në përgjithësi. Përmirësimi i klimës së besimit të opinionit publik në reformën e drejtësisë është një ndër sfidat më të mëdha që nevojitet të adresohet përmes një dialogu intesiv e transparent me qytetarët.
Ka një shtrirje të gjerë të aktorëve të përfshirë në këtë refomrë, por dhe të grupeve të interesit. A duket pak si kakofoni zëri I kaq shumë pjesëmarrësve kur kujtojmë se shumica e tyre kanë qenë dhe janë, por edhe kanë patur mundësi të reformonin institucionet e Drejtësisë shqiptare?
Sefa: Në opinionin tonë, pjesëmarrja e sa më shumë aktorëve në këtë proces transformues të drejtësisë shqiptare vlerësohet pozitive dhe e domosdoshme. Një reformë e tillë përmasave kërkon një përfshirje dhe konsensus të gjerë politik e publik gjithashtu. Në këtë moment, nuk ka vlerë analizimi i përgjegjësive. Tashmë, kërkohet përfshirje dhe angazhim real e konkret në hartimin dhe zbatimin e një reforme gjerësisht të pranuar nga ekspertiza vendase dhe ajo ndërkombëtare.
Në gjykimin e institucionit tuaj, çfarë e ka penguar një reformë thelbësore deri më tani?
Sefa: Kanë qenë të shumtë faktorët që kanë penguar ose nuk kanë nxitur kryerjen e një reforme rrënjësore në sistemin e drejtësisë. Këtu përfshihen si segmente të caktuara/individë brenda sistemit të drejtësisë ashtu dhe ato jashtë tij, sidomos të pranishëm në klasën politike. Stanjacioni, mungesa e përgjegjësisë, profesionalizmit dhe e transparencës në drejtësinë shqiptare padyshim u ka leverdisur segmentëve të tillë. Kjo situatë ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në këtë sistem, por gjithashtu ka dëmtuar po aq rëndë dhe atë pjesë të sistemit që ka punuar e vazhdon të punojë me ndershmëri, profesionalizëm dhe paanshmëri. Në emër të këtyre vlerave është e rëndësishme të kontribuojmë që kjo reformë të jetë realiste dhe e ndershme po aq sa objektivat që ajo ka parashikuar. Duke qenë se suksesi i kësaj reforme është kyç për hapjen e negociatave me BE-në është thelbësore që të gjithë institucionet publike, klasa politike, grupet e interesit, shoqëria civile, media dhe i tërë opinioni publik të bëhet pjesë në hartimin dhe zbatimin e kësaj reforme për transformin e drejtësisë në një sistem të barabartë dhe efikas për të gjithë qytetarët.
Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash nga BIRN Albania me ekspertë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të përfshirë në procesin e reformës në drejtësi. Ky cikël artikujsh që synon të nxisë informimin dhe debatin publik mbi reformën, mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.