Lajm16 Jan 2020

“Është diversion politik,” thotë Haradinaj për padinë e Ramës për shpifje

Kryeministri i Kosovës hodhi poshtë pretendimet e homologut të tij shqiptar Edi Rama për shpifje duke e konsideruar padinë e ngritur në Gjykatën e Prishtinës një tentativë për të hequr vëmendjen nga përgjegjësitë politike.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama dhe homologu Haradinaj në Tiranë më 27 shtator 2017. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Kryeministri Edi Rama dorëzoi një padi civile për shpifje ndaj kryeministrit në ikje të Kosovës Ramush Haradinaj pas një viti të tensionuar mes udhëheqësve të dy vendeve shqiptare. Sipas Betimi për Drejtësi, një publikim jofitimprurës në Kosovë, Rama pretendon se Haradinaj ka bërë në mënyrë të përsëritur deklarata shpifëse ndaj tij, përfshirë të tilla që e akuzojnë Ramën për tradhëtar të kombit. Për këtë arsye, Rama kërkon nga Haradinaj të kërkojë ndjesë publike, të ndërpresë deklaratat shpifëse dhe të kompensojë dëmin, por aktpadia nuk e ka të saktësuar shumën e dëmit të pretenduar.

Kryeministri i Kosovës iu përgjigj të Enjten me një koment në Facebook duke aluduar se padia e Ramës është një teknikë për të hequr vëmendjen nga përgjegjësitë politike të këtij të fundit.

“Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë,” deklaroi Haradinaj.

Zyra e shtypit të kryeministrit të Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment.

Rama dhe Haradinaj u grindën fillimisht në maj të vitit të kaluar, pasi kryeministri i Kosovës deklaroi në publik se Rama i ka bërë presion atij të tërheqë tarifat e jashtëzakonshme doganore për mallrat serbe, të cilat Haradinaj i vendosi si kundërpërgjigje ndaj sabotazhit të vazhdueshëm të Serbisë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës si shtet sovran. Rama pretendoi në atë kohë se Haradinaj po shpifte ndërsa marrëdhëniet mes tyre u tensionuan më tutje në fund të vitit të kaluar kur Haradinaj deklaroi se Rama ishte bashkëpunëtor me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë Aleksandar Vuçiç, për ndryshimin e kufirit të Kosovës dhe faljen e kompleksit minerar të Trepçës.

‘Me një investim jo më të madh se sa 140 milionë euro, Trepça, jep një fitim neto rreth 500 milionë euro në vit, për 20 vjet, që bëjnë 10 miliardë euro, të cilat duhet t’i gëzojë Kosova dhe Serbia”, deklaroi Haradinaj në emisionin 360 Gradë në Ora Neës.

““Ndalova pra, grabitjen 10 miliardë eurove, që do të realizohej nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuqiç dhe Rama, ishin bashkëpunëtorë në realizimin e kësaj skeme,” shtoi ai.

Rama pretendon në aktpadi se deklarata të tilla kanë sjellë “akuza deri për “tradhëti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë””.

Rama ka pretenduar në mënyrë të vazhdueshme se akuzat politike apo mediatike ndaj tij janë shpifje dhe hedhje balte ndërsa aktualisht ka një numër të lartë padish për shpifje të ngritura në gjykatat shqiptare.

Javën e kaluar, gjykata e Tiranës gjeti ish-kryeministrin Sali Berisha fajtor për shpifje ndaj Ramës dhe e urdhëroi të kërkojë falje dhe të paguajë 500 mijë lekë dëmshpërblim. Berisha e konsideroi vendimin të padrejtë dhe akuzoi gjykatën se gjendej nën presion nga qeveria. Ai paralajmëroi apelim.