Në një njoftim për shtyp pas miratimit të rezolutës mbi progresin e Shqipërisë drejt BE-së në Parlamentin Europian, eurodeputeti sllovak Eduard Kukan ka mbështetur misionin ndërkombëtar që do të mbikqyrë reformën në drejtësi si dhe ka bërë thirrje për ndërmarrjen e reformës zgjedhore.
Kukan u shpreh i kënaqur me progresin e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian dhe u shpreh optimist që ky trend do të vazhdonte me hapjen e negociatave të antarësimit së shpejti.
“Konsensusi politik për reformën në drejtësi ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Unë besoj që zbatimi i reformës do të rrisë besimin e qytetarëve tek gjyqësori dhe sundimi i ligjit,” tha Kukan. “Ne e mbështësim këtë proces dhe misionin ndërkombëtar që do të mbikqyrë zbatimin e reformës,” shtoi ai.
Eurodeputeti, i cili është anëtar i Komitetit për Politkën e Jashtme në Parlamentin Europian, bëri një apel ndaj klasës politike shqiptare që të bënin përpjekje për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR për reformimin e kodit zgjedhor përpara zgjedhjeve parlamentare të qershorit.
“Zgjedhjet janë një test i rëndësishëm për një sistem demokratik funksional dhe një kulturë politike të pjekur,” u shpreh Kukan.
Ai gjithashtu shtoi që shpresonte se partitë politike shqiptare do ta respektonin ligjin për pastërtinë e figurës, i ashtëquajtur ligji dekriminalizmit, në përzgjedhjen e kandidatëve në zgjedhje.
“Është një shans për një kulturë të re politike, shmangia e emërimit të njerëzve me të shkuar kriminale në një detyrë publike,” përfundoi Kukan.