Një grup anëtarësh të Parlamentit Europian vizituan Shqipërinë dhe shprehën mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në qershor ndërsa kritikuan dhunën në protestat e opozitës dhe shprehën simpati për protestat studentore të dhjetorit të kaluar.
Grupi i deputetëve Europianë që përfaqësojnë parti të ndryshme politike vizitoi Tiranën gjatë ditëve të fundit si pjesë e procesit faktmbledhës ndërsa u shprehën kritika për tërheqjen e partive të opozitës nga parlamenti si dhe për dhunën e shënuar në një pjesë të protestave të opozitës. Europarlamentarët bënë të qartë se mbështesin një vendim pozitiv në qershor për hapjen e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Këshilli i krerëve të shteteve të BE pritet të vendosë më 17 qershor për hapjen apo jo të bisedimeve për anëtarësim me dy vende kandidate, Shqipërinë dhe Maqedoninë. Vendimi pritej fillimisht në qershor të vitit të kaluar por u shty për një vit si pjesë e një kompromisi.
Shtyrja e vendimit për në qershor të këtij viti u shoqërua edhe me vendosjen e kushteve për Shqipërinë, përfshirë vijimin e reformës në drejtësi, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe reformën elektorale, e cila kërkon kompromis mes maxhorancës dhe opozitës.
Vendimi i opozitës për t’u tërhequr nga parlamenti me argumentin se qeveria është e lidhur me organizata kriminale dhe se ka deformuar vullnetin e zgjedhjeve më 2017 si dhe dhuna e shënuar në disa protesta të opozitës duket se përbëjnë faktor komplikues për vendimin e Këshillit të BE-së për hapjen e negociatave.
Knut Fleckenstein, një eurodeputet gjerman me eksperiencë nga politika shqiptare, përsëriti edhe një herë të Enjten mendimin e tij mbi sjelljen e opozitës pas takimit që pati me një përfaqësi të tyre: “Ne, europarlamentarët theksuam në mënyrë unanime se largimi nga parlamenti është gabim. Ne i bëjmë thirrje opozitës të rimarrë mandatet e veta dhe të sigurohet për funksionim konstruktiv dhe demokratik të parlamentit të Shqipërisë.”
Dy partitë kryesore opozitare, PD dhe LSI kritikuan qëndrimin e europarlamentarëve. Kryetari demokrat Lulzim Basha e konsideroi qëndrimin e europarlamentarëve “produkt të një fushate dizinformimi të qeverisë nëpër botë” ndërsa Petrit Vasili nga LSI deklaroi se në opinionin e tij, gjykimi i Europarlamentarëve është i turbullt.
Nga ana tjetër, Europarlamentarët nuk e fshehën simpatinë për protestat studentore të dhjetorit të kaluar dhe pritën në një takim përfaqësues të Lëvizjes për Universitetin, një nga grupimet rinore që organizuan protestat. Fleckenstein i tha aktivistëve se ndonëse ai nuk kishte një opinion nëse kishin të drejtë apo jo në kërkesat e tyre për arsim të lartë pa pagesë, ai i mbështeste protestat e tyre.
Shqipëria shpreson hapje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, një vendim që e fut vendin në procesin e radhës ku pala shqiptare do të duhet të raportojë në mënyrë periodike për ecurinë e reformave në 35 fusha, apo kapituj, ku përfshihet çdo gjë, nga liritë themelore të njeriut te drejtësia dhe diplomacia.
Sipas raportit të fundit të Progresit, Shqipëria vlerësohet se ka përgatitje fillestare për shumicën e fushave të përfshira në kapitujt e negocimit por hapja e negociatave shihet si një mundësi për më shumë presion ndaj autoriteteve shqiptare për të lëvizur përpara me reformat.