Oshëtima e fadromave të IMT-së dëgjohej që nga larg mëngjesin e të mërkurës në kthesat e fundit të rrugës “5 Maji” në Tiranë, të rrethuara nga një kordon i madh policësh. Banorët endeshin të dëshpëruar rreth e rrotull shtëpive të kthyera në rrënoja.
“I joti nuk ta bën këtë, vetëm serbi ta bën këtë,” tha duke fshirë lotët Mirash Marku, i cili sëbashku me vëllezërit jetonte në një vilë e cila u shemb prej IMT-së mëngjesin e së mërkurës.
“Shiko bufetë, janë akoma atje brenda. Kush do mi paguajë mijëra euro që kam bërë kuzhinën dhe mobiljet e reja,” shtoi Mirashi, ndërsa theksoi se po i shkonte dëm mundi i 30 vjetëve.
Mirashi, dy vëllezërit dhe nëna e tij jetonin në atë shtëpi prej vitit 2001, ndërsa prej 2003-shit kishte filluar dhe procesi i legalizimit të pronës së tij.
Liza, e ëma e Mirashit, një grua e moshuar me veshje tradicionale mirditore, me lot ndër sy vështronte vazhdimisht rrobat dhe sendet e saj, një pjesë e të cilave kishte arritur t'i nxjerrë jashtë banesës së shmebur, ndërsa pjesa tjetër mbeti nën rrënoja.
”Për 3 shtëpia 5000 policë. Me pas vra gjysmën e Tiranës familja ime, s'kishin me ardhë kaq shumë”, tha e revoltuar Liza Marku.
“Turp e faqja e zezë për kryeministrin dhe kryetarin e bashkisë. E kam bo me djersë e me mund, me djersën e fëmijëve të mi këtë shtëpi, jo me lekët e Ramës apo Veliajt,” shtoi ajo.
Familja Marku është një nga dhjetra familjet që preken nga shpronësimet që po kryen qeveria shqiptare për të ndërtuar një lagje të re me pallate në rrugën ‘5 Maji' në Tiranë. E projektuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, lagjja e re do të ketë 3,500 apartamente dhe do të strehojë 11 mijë banorë.
Nëpërmjet një vendimi të marrë nga Këshilli i Ministrave me 22 shtator, qeveria i ka ofruar banorëve të zonës që preken nga projekti ‘kompensimit me shkëmbim' të pronave ekzistuese me apartamente të reja që priten të ndërtohen. Bashkia gjithashtu i ka ofruar banorëve bonus qiraje derisa apartamentet e reja të përfundojnë.
Megjithatë, shumë familje që preken nga shpronësimet në lagjen ‘5 Maji' e kanë kundërshtuar ofertën e qeverisë. Familja Marku nuk ka pranuar të firmosë asgjë. Sipas tyre bashkia u ka ofrur një bonus qiraje që është tepër i ulët. Ata ankohen gjithashtu se marrëveshja për kompensim me shkëmbim është fiktive, pa një plan konkret dhe një afat kohor real për kompensim.
E ulur në një cep te rrënojave, një grua rreth të 40-tave nga familja Mhilli, qëndronte e heshtur mëngjesin e të mërkurës duke i parë fadromat me trishtim.
“Unë e kam shtëpinë pak me tutje, e kam liruar që prej 2 muajsh tashmë pasi e dija që kjo do të ndodhte,” tha ajo, ndërsa shpjegoi se në familje janë vet i shtatë, bashkë me vjehrrën dhe vjehrrin.
“Kemi kaluar me qira, nuk prisnim dot këtu derisa të na nxirrnin prej shtëpie,” shtoi 40-vjeçarja.
Gruaja tha se bashkia i kishte ofruar një bonus qiraje prej 18 mijë lekësh të reja, por kjo shumë ishte e ulët duke marrë parasysh nivelin e qirave në Tiranë.
“Po paguajmë çdo gjë nga xhepi. Na kanë treguar se na ka dalë emri në fletoren zyrtare sipas VKM për të marrë hyrje kur të bëhet pallati, po se kur do të bëhet një zot e di. Ne nuk dimë kur, si, qysh, tek”, tha për BIRN kryefamiljari i familjes Mhilli.
Banorët ankohen se me shpronësimet e bëra nga qeveria për ndëtimin e lagjes së re ato po humbin mundin dhe djersëm e shumë viteve punë të investuara në shtëpitë e tyrë.
“Tokën e kisha blerë me kursimet e punës në Greqi. Shtëpinë e ndërtova me borxhe. Kam akoma 20 milionë borxh. Shtëpia më iku,” u ankua një grua që preferoi të mbetej anonim.
“Ku do flejmë ne sot. Ja aty në rrënoja, se kolonat i kemi bërë të forta, nuk na zënë brenda”, ironizon ajo me dhimbje.
Edhe bashkëshorti i saj, tepër i brengosur, tha se përveç nxjerrjes nga shtëpia, asnjë nuk kishte denjuar t'i ndihmonte për të gjetur shtëpi me qira. Sipas tij, çdo gjë i është lënë në kurriz banorëve.
”Bashkia na thotë gjeni shtëpi me qira, dhe ju kompensojmë me 180-220 mijë lekë të vjetra. Ku do shkojmë ne me këto lekë. A e dinë këto sa kanë shkuar qiratë këtu te ne,” tha ai.
”Ti po vjen të më nxjerrësh nga shtëpia. Duhet të ma gjesh ti shtëpinë me qira, jo të endem unë rrugëve për të kërkuar shtëpi,” shtoi burri.
Bashkëshortja e tij theksoi se mënyrë si kishin trajtuar autoritet po i detyronte t'i ktheheshin kurbetit për të mbijetuar.
“U kthyem këtu për të ndërtuar të ardhmen, ja çfarë morëm në fund,” tha ajo e mërzitur. “Të bëj prap letrat greke e të iki. Këtu s'na ka mbet më asgjë,” përfundoj banorja e lagjes ‘5 Maji'.