Lajm13 Jul 2018

Falsifikoi formularin e dekriminalizimit, Rroshi dënohet me 60 orë punë të detyruar

Gjykata e Tiranës dënoi ish-kryebashkiakun e Kavajës me 5 muaj burg për falsifikim të formularit të dekriminalizimit gjë që i mundësoi atij të ishte kryebashkiak edhe disa muaj pas miratimit të ligjit që kërkonte ndërprerje të mandatit. Dënimi u pezullua dhe Rroshi duhet të kryej 60 orë pune në komunitet.

Autor: Elton Qyno BIRN Tiranë
Printo

Kryebashkiaku Elvis Rroshi, gjatë fushatës elektore të zgjedhjeve të 21 qershorit.

Gjykata e Tiranës dënoi të premten me 60 orë punë të detyruar në komunitet ish-kryebashkiakun e Kavajës Elvis Rroshi. Rroshi, që qe një ndër figurat kryesore rreth të cilës opozita bëri fushatën për dekriminalizimin e politikës në vitet 2015-2016, u dënua me 5 muaj burg, por gjykata vendosi pezullimin e burgut, ndërsa e detyron ish-kryebashkiakun të kryej punë në komunitet. Dënimi përkon me kërkesën e prokurorisë, ndërsa avokati i Rroshit, Maks Haxhia kërkoi që klienti i tij të dënohej vetëm me punë në komunitet.

Rroshi u mor i pandehur nga prokuroria e Tiranës në qershor 2016, kur sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme provoi se ish-kryebashkiaku kishte përdorur disa emra në të shkuarën e tij si dhe rezultonte i arrestuar, i ndaluar ose i dëbuar nga shtete si Italia, Zvicra dhe Gjermania. Prokuroria e akuzoi Rroshin për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.

Fillimisht Rroshit, i cili pati fituar mandatin e dytë si kryebashkiak i Kavajës në vitin 2015 me gjithë akuzat se ishte i dënuar jashtë vendit,  iu hoq mandati nga KQZ në dhjetor 2016 për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Vendimi u konfirmua në fillim të vitit 2017 nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa prokuroria çoi në gjykatë dosjen në ngarkim të tij në mars 2018.

Gjatë seancës gjyqësore prokurori i çështjes Enklid Gjini i kërkoi gjykatës dënimin me 7 muaj e 15 ditë burg të Rroshit, pasi sipas tij  Roshi ka falsifikuar formularin e dekriminalizimin, duke shkruar të dhëna të rreme. Prokurori po ashtu argumentoi që dënimi me burg të pezullohet nga gjykata dhe Rroshi të vihen në shërbim prove.

Sipas prokurorit Gjini, Rroshi kishte fshehur dënimin për përdhunim në Itali, përdorimin e disa emrave të rremë dhe dëbimin dhe problemet me drejtësinë Zvicerane.

“Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Kampobaso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit. Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit”, thuhet në pretencën e prokurorisë. Prokuroria zbuloi gjithshtu se Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Evropës.

Por avokati mbrojtjës i Roshit, Maks Haxhia, i tha gjykatës se Rroshi gjatë këtyre viteve ka qënë një emigrant dhe përdorimin e shumë emrave është bërë vetëm  me qëllim për të siguruar kushtet e jetesës dhe për të gjetur vend pune. Haxhia argumentoi para gjykatës se dënimi në Itali për akuzën e përdhunimin është dhënë në mungesë dhe se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për këtë proces. Sipas Haxhisë, ky proces në Itali tashmë është rihapur dhe Roshi po rigjykohet.

Në fund të mbrojtjes së tij, Haxhia pranoi sidoqoftë akuzën për falsifikim dhe i kërkoi  gjykatës që ta dënonte Roshin vetëm me punë të detyruar në komunitet. Ish-kryebashkiaku i PS në qytetin e Kavajës, i cili ishte i pranishëm në sallën e gjyqit vetëm për të dëgjuar pretencën e prokurorit dhe mbrojtjen e avokatit të tij Maks Haxhia, pranoi po ashtu aktin dhe kërkoi të njëjtin dënim si avokati. Rroshi u largua para se gjykata të dilte me vendim.

Pas dëgjimit të palëve gjyqtarja Ardiana Bera vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për dënimin e Roshit me 7 muaj e 15 ditë burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ish-kryebashkiaku i Kavajës përfitoi 1/3 ulje dënimi duke u dënuar përfundimisht me 5 muaj burgim. Po ashtu gjykata vendosi që dënimi të pezullohej duke vendosur Roshin në shërbim prove dhe duke e detyruar të kryejë 60 orë punë në komunitet.