Lajm14 Sep 2020

Familjarët në protestë për rikthimin e fëmijëve nga kampet Siriane të luftës

Pasditen e së hënës, në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej shtatë vitesh, ku prindërit e tyre i tërhoqën atje me vete duke iu bashkuar kështu celulave që i shërbenin ISIS-it në Siri.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh, kur prindërit e tyre i tërhoqën atje me vete. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Rreth 51 fëmijë shqiptarë aktualisht ndodhen akoma në mëshirë të fatit në tokën e largët të Sirisë, teksa jetojnë në kampin Al Hawl në mes të një shkretëtire pranë zonave të luftës.

“Gruaja ime ka  gjithë familjen atje. Katër vëllezër dhe dy nipër e mbesa. Kanë shkuar me dëshirën e vet por mos flasim për pjesën e manipulimit. Por fëmijët janë viktimat e gjithë kësaj gjurulldie që ka ndodhur. Kërkojmë rikthimin e fëmijëve pasi procedura e rikthimit të të rriturve mund të jetë me e komplikuar”, i tha BIRN z.Refat Bajrami, bashkëshorti i gruas e cila aktualisht ka familjen prej 6 vetave në kampin Al Hawl.

“Kjo protestë është e vetmja mënyrë për të kërkuar rikthimin e tyre”, tha Bajrami, pasi komunikimet individuale me qeverinë nuk kishin qenë të suksesshme.

Pak javë më parë u bë publik nëpërmjet një video-je dhe mesazhi i gjyshes së ndjerë Mentije Dumani e cila kërkonte riatdhesimin e saj  në Shqipëri pasi ishte e sëmurë.

Pasi ndërroi jetë disa ditë më vonë, ajo la pas nipërit e saj, Evën dhe  Endrin, babai i të cilëve kishte mbetur i vdekur në luftë më parë.

Alma Ndregjoni, bashkëshortja e dajës së këtyre dy fëmijëve tashmë jetimë, Evës dhe Endrit, të mbetur në kamp,  ishte e pranishme në protestën e sotshme. Ajo u shpreh se babai i mori fëmijët me forcë para shtatë vitesh e sot e kësaj dite ata komunikojnë rrallë me mesazhe ku nipi dhe mbesa i thonë “hajde na merrni”.

“Janë dhe të rrezikuar, pasi vend lufte është. Të kthejnë fëmijët dhe gratë. Atje nuk kanë mbetur burra, pasi burrat janë vrarë”, tha daja i fëmijëve.

Të pyetur nëse kanë kontaktuar me qeverinë për ndihmë, familja Ndregjoni tha se ato nuk kanë marrë asnjë lloj përgjigje.

Familjari tjetër, Refat Bajrami, bashkëshorti i Elvirës, e cila ka motrat dhe vëllezërit së bashku me dy nipërit në kampin e Sirisë konfirmoi se edhe ata komunikojnë rrallë me familjarët, por janë në dijeni të dëshirës së tyre për t’u rikthyer në atdhe.

“Komunikojmë shumë rrallë dhe kur komunikojmë nuk na tregojnë kushtet reale, por vetëm ato e dinë si e përballojnë të nxehtin dhe të ftohtin. Shqipëria mund të marri hapa që t’i rehabilitojë këtu. Fëmijët kërkojnë me ngulm që të rikthehen në atdhe, por edhe për prindërit e tyre është telenovelë  e mbyllur, pasi e kanë kuptuar gabimin që kanë bërë”, i tha BIRN Refat Bajrami.

“Ata presin nga qeveria pasi nuk mund të kthehen personalisht, pasi nuk kanë as mjete identifikimi. Duhet patjetër ndërhyrja e qeverise dhe ministrive”, i tha BIRN z.Bajrami.

Ndërkohë kleriku Ylli Gurra, ish-myftiu i Tiranës, u shpreh se riatdhesimi i fëmijëve, ndryshe nga ai i të rriturve që përbën rrezik për jetën e tyre, është plotësisht i mundshëm por ka një kosto të madhe ekonomike dhe diplomatike.

“Duhet dëshira për ndërhyrje dhe bashkëpunim dhe me aleatët amerikan dhe turq të cilët janë dhe njohës të terrenit, përveç kapaciteteve që ata kanë”, tha ai mbi hapat që mund të ndërmerren për shpëtimin e këtyre fëmijëve nga situata ku ata gjendjen në kampin Al Hawl.

“Ikja nga atje ka një kosto jete, prandaj duhet ndërhyrja e qeverisë, pasi mund të ndërhyjnë dhe grupe të tjera që mund t’i përdorin këta fëmijë për trafikim, pasi nuk ka asnjë instancë zyrtare që të marrë përgjegjësi, ndërkohë që të rriturit nuk dihet ku janë varrosur”, shtoi z.Gurra.

Mbi shkaqet e largimit të këtyre familjeve shtatë vite më parë z.Gurra u shpreh se ka qenë një shpëlarje e mirëfilltë.

“Fatkeqësisht prindërit e tyre janë gënjyer nga disa zona të getove këtu që i prodhuan ato dhe i dërguan atje përmes Turqisë”, shtoi kleriku Gurra.

“Shkaku kryesor ka qenë profili fetar. Shkuarja në lufte për çlirimin e Sirisë që është pompuar dhe imponuar edhe për familjarë të moshuar të moshave 70 vjeç, duke tërhequr me vete edhe fëmijë të moshave 4 vjeç e lart. Si qytetar dhe si klerik e ndjej të domosdoshme reagimin dhe thirrjen ndaj institucioneve të qeverisë që të bëhet një përçapje për rikthimin e 51 fëmijëve nga mosha 1 vjeç deri në moshën 17 vjeç”, tha z.Gurra.

“Edhe ai më radikali,  pas traumave që ka parë atje, do thonë ka qenë idiotësia më e madhe e jetës së tyre. Ata le të kthehen këtu dhe pastaj të analizohet si qysh dhe tek, ku ishte shoqëria shqiptare dhe komunitet fetare”, përfundoi Ylli Gurra duke iu referuar dhe analizës së shkaqeve dhe përgjegjësive që qëndrojnë pas largimit të qytetareve shqiptarë drejt kampeve të tilla me frymë radikale fetare.

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të cilët kërkojnë rikthimin e fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Lista e fëmijëve të marrë me forcë nga familjarët e tyre në kampet e luftës në Siri. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të cilët kërkojnë rikthimin e fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të cilët kërkojnë rikthimin e fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh, kur prindërit e tyre i tërhoqën atje me vete. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh, kur prindërit e tyre i tërhoqën atje me vete. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh, kur prindërit e tyre i tërhoqën atje me vete. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Në sheshin përpara kryeministrisë protestuan qytetarë të thjeshtë, klerikë dhe familjarë të fëmijëve të cilët ndodhen në kampet e Sirisë tashmë prej 7 vitesh, kur prindërit e tyre i tërhoqën atje me vete. Foto: Nensi Bogdani/BIRN

Përlotet gjatë protestës kushëriri i Evës dhe Endrit , gjyshja e të cilëve vdiq pak javë më parë duke i lënë ata jetimë ne kampin Al Hawl në Siri. Foto: Nensi Bogdani/BIRN