Interviste31 Oct 2018

Fati i marrëveshjes së emrit të Maqedonisë ende në dyshim në Athinë

Ndërsa Shkupi vazhdon të ndryshojë kushtetutën e tij për të vënë në zbatim marrëveshjen e emrit me Greqinë, ratifikimi i marrëveshjes nga Athina mund të kërcënohet nga politika vendase, tha për BIRN një diplomat grek.

Autor: Ana Maria Luca BIRN Bukuresht
Printo

Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras pas nënshkrimit të marrëveshjes. Foto: Wikipedia.

Ndërsa Shkupi vazhdon përpara me ndryshimet kushtetuese për të vënë në zbatim marrëveshjen e emrit  me Greqinë, në Athinë ka një garë me kohën, tha në një intervistë për BIRN diplomati grek në pension dhe ish-ambasadori i Kosovës, Dimitris Moschopoulos.

“Marrëveshja e emrit ka një shans vetëm nëse marrëveshja vjen në parlamentin grek për ratifikim, për sa kohë sa qeveria aktuale greke është ende në pushtet,” shpjegoi Moschopoulos.

“Nëse në Greqi zhvillohen zgjedhjet para kësaj dhe qeveria humbet, opozita aktuale do t’i jepte fund asaj,” paralajmëroi ai.

Marrëveshja, e cila do të shihte emrin e Maqedonisë ndryshuar, duhet të miratohet me një votim të shumicës së thjeshtë në parlamentin grek – 151 vota nga 300 në total.

Partitë kryesore të opozitës, si dhe aleatët e koalicionit populist të vogël të Syriza, Grekët e Pavarur, do të votojnë kundër marrëveshjes.

“Por duket se disa të pavarur do të votojnë në favor dhe në këtë mënyrë qeveria do të jetë në gjendje të marrë 151 vota për miratimin e marrëveshjes,” vuri në dukje Moschopoulos.

Kjo do të thotë se fati i marrëveshjes varet nga koha kur do të zhvillohen zgjedhjet në Greqi.

“Afati aktual është në tetor 2019. Por qeveria mund ta caktojë datën e zgjedhjeve në çdo kohë që ata mendojnë se mundësitë e tyre janë më të mira. Flitet se zgjedhjet do të zhvillohen në të njëjtën kohë me zgjedhjet europiane, më 29 maj,” shpjegoi Moschopoulos.

Sondazhet e para-zgjedhore nuk duken të mira për Syrizan. Sondazhi i fundit i publikuar nga gazeta ProtoThema në Greqi sugjeroi se Demokracia e Re do të fitonte me 36.8 për qind, ndërsa Syriza do të merrte vetëm 23.7 për qind të votave.

“Më shumë se kaq, disa thashetheme djallëzore në Athinë thonë gjithashtu se qeveria madje mund të shpallë zgjedhje të parakohshme përpara se marrëveshja të arrijë në parlament në mënyrë që kjo temë delikate të mbetet në dorë të opozitës,” tha Moschopoulos.

E vërteta është se për Greqinë, rreziqet nuk janë aq të larta sa janë për Maqedoninë, shpjegoi ai.

Ndërsa anëtarësimi i shpresuar i Shkupit në NATO varet nga zgjidhja e mosmarrëveshjeve me fqinjët e saj, për Greqinë çështja e Maqedonisë është thjesht një temë me të cilën nacionalistët dhe konservatorët mund të luajnë, shtoi ai.

Moschopoulos tha se qeveria në Athinë nuk bëri një punë të shkëlqyer në informimin e duhur të publikut për marrëveshjen, e cila do të shihte Maqedoninë të ndryshonte emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Shqetësimi i tyre i vetëm ishte si të ndanin opozitën. Lidershipi i opozitës ka rënë dakord gjatë gjithë këtyre viteve për qëndrimin se Greqia do të favorizonte një zgjidhje me një emër të përbërë që përfshin Maqedoninë, por gjithashtu edhe një mbiemër gjeografik,” tha ai.

“Por në të njëjtën kohë, shumica e njerëzve dhe partia opozitare Demokracia së Re e hodhën poshtë këtë ide. Ata nuk e duan fare fjalën Maqedoni në emrin e fqinjit të tyre verior,” shtoi ai.

Opozita greke gjithashtu beson se gjuha maqedonase, e cila në marrëveshje është përkufizuar si një gjuhë sllave jugore, nuk duhet të quhet fare maqedonase. Për më tepër, qytetarët e republikës së riemëruar të Maqedonisë së Veriut nuk duhet të quhen maqedonas.

“Është idiotësi që në shekullin e 21-të të grindesh se kush është pasardhësi i ligjshëm i Aleksandrit të Madh,” tha Moschopoulos. Por, shtoi ai, politikanët maqedonas i kanë provokuar shpesh nacionalistët grekë.

Një incident i tillë, thotë ai, ishte rasti kur nënkryetari i parlamentit në Shkup, Antonio Milososki, në vitin 2014 postoi një fotografi të vetes së tij dhe anëtarëve të një grupi alpinistësh që mbanin flamurin maqedonas pas ngjitjes në malin Olimp.

Moschopoulos tha gjithashtu se edhe nëse e ashtuquajtura Marrëveshja e Prespës ratifikohet nga të dy vendet, ka ende pengesa që duhen kapërcyer.

Marrëveshja mund të ketë vështirësi në OKB, sidomos sepse më 3 tetor, Ministria e Jashtme e Rusisë lajmëroi se do ta ngrejë për diskutim këtë çështje në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, duke argumentuar se ajo bie në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën maqedonase.

“Në këtë botë asgjë s’është e sigurt,” përfundoi Moschopulous.