Gjykata e Fieri la në burg 2 oficerë të policisë dhe kryeplakun e fshatit Cakran, pasi akuzohen se favorizuan 5 persona, për të kultivuar kanabis.
Gjykata e Fieri la në burg 2 oficerë të policisë dhe kryeplakun e fshatit Cakran, pasi akuzohen se favorizuan 5 persona, për të kultivuar kanabis. Me masë sigurie me burg u lanë edhe 5 të arrestuarit për kultivim të narkotikëve.
Të akuzuarit kanë dalë para togave të zeza në orën 10.30 të paradites së të hënës. Nga avokatët e tyre është kërkuar masë sigurimi detyrim paraqitje, por kjo kërkesë është rrëzuar nga gjykata, e cila i la në burg të akuzuarit.
Oficerët e policisë u arrestuan të premten nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), pas hetimeve të Prokurorisë së Fierit për kultivim narkotikësh. SHÇBA bëri me dije se të arrestuarit akuzoheshin për “Shpërdorim detyre”. Bashkë me dy oficerët u arrestuan edhe 5 persona të tjerë, ndërsa u kapën 350 rrënjë kanabis dhe disa kubikë.
“Arrestimi i dy punonjësve të policisë u bë pasi duke shpërdorur detyrën dyshohet se kanë favorizuar banorë të ndryshëm të këtyre fshatrave për kultivimin e bimëve narkotike, në këmbim të përfitimeve financiare”, thuhet në njoftimin e SHÇBA.
Me të njëjtën akuzë është arrestuar edhe kryeplaku i fshatit, ndërsa të arrestuarit e tjerë janë për akuzën e kultivimit të kanabisit.
Përfshirja e punonjësve të Policisë së Shtetit në favorizimin e kultivuesve të kanabisit është një nga akuzat kryesore të opozitës ndaj saj prej vitit 2016. Ndërkohë në disa raste drejtues të policisë dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri janë marrë të pandehur me dyshimit e favorizimit të kultivuesve dhe trafikuesve të kanabisit.
Arrestimet e punonjësve të policisë dhe 5 personave të tjerë u realizua pas një hetimi të prokurorisë dhe policisë së Fierit.