Me maska të qepura artizanale dhe lule në duar, e me çantat shumëngjyrëshe të mbushura plot me libra, mëngjesin e së hënës fëmijët mbushën përsëri rrugët e Tiranës dhe oborret e shkollave pas pothuajse shtatë muajsh pezullim të procesit mësimor që prej Marsit.
Një nënë dhe vajza e saj po ecnin në trotuarin pranë shkollës “Sabaudin Gabrani” pak minuta para orës tetë të mëngjesit, dhe teksa mamaja mbante lulet në duar, vajza e veshur me një fustan prej tyli ngjyrë qumështi dhe me çantën shumëngjyrëshe në krahë, nxitonte për në shkollë duke ecur rreth 3-4 hapa përpara nënës së saj.
“Shyqyr që jam turni i parë“, u dëgjua ajo t’i përgjigjej mamasë duke kthyer kokën e qeshur dhe me një ndjenjë krenarie në fytyrë, ndërsa e ëma i kërkonte të ngadalësonte hapin dhe ta priste dhe atë.
“Duhet të mësohemi me këtë situatë. Më mirë të mësohemi që tani, pasi në shkollë fëmijët duhet të shkojnë patjetër. Nuk jemi të shqetësuar, pasi shqetësimi nuk e zgjidh problemin“, tha nëna e vajzës që po nxitonte për ta arritur teksa i afroheshin oborrit të shkollës “Sabaudin Gabrani”.
Procesi mësimor i vitit të ri akademik 2020-2021 rifilloi siç ishte planifikuar më 14 Shtator. Sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, Sportit, dhe Rinisë (MASR) mësimi do të zhvillohet në 4 turne të ndara, kur çdo turn do të jetë rreth dy orë e gjysmë, ndërsa orët mësimore do të kenë një kohëzgjatje prej 30 minutash.
Ndërkohë, mësuesit në ditën e parë të shkollës i shpjeguan fëmijëve rregullat e reja të protokollit anti-COVID që do të respektohet brenda ambienteve të shkollave si pjesë e masave parandaluese për përhapjen e virusit të ri SARS-CoV-2.
Ato përpiqeshin që me fjalë sa më të thjeshta t’u shpjegonin të vegjëlve sesi të silleshin me njëri-tjetrin duke ruajtur distancat dhe higjenën, mbajtjen e maskës, e deri sesi të merrnin leje për të dalë nga klasa për nevojat personale.
I gjithë ky “normalitet” i ri duket se deri diku i ka çorientuar pak fëmijët, sidomos ata në moshë të vogël, të cilët shkonin sa nga e majta në të djathtë duke pritur udhëzimet e mësuesve për t’u futur sipas radhës në klasat përkatëse.
Fëmijët hiqnin e vinin maskat, duke u kujtuar vazhdimisht se nuk duhet ta preknin atë apo ta hiqnin gjatë orës së mësimit.
Brikena, një tjetër nënë, e cila priste jashtë kangjellave, rrinte e merakosur për fëmijët e saj.
“Jam e shqetësuar, pasi kjo situatë është ndërlikuar tepër. Është shumë e rënduar me gjithë këto rregullat e reja për fëmijët, unë i kam të dy në parashkollor. Të paktën do rrinë pak orë në shkollë, pasi jemi të shqetësuar se kemi dhe pleq në shtëpi“, tha ajo për BIRN, duke pranuar se ky fillim i ri e ka gjetur të shqetësuar pasi fëmijët e saj janë tepër të vegjël për të kuptuar apo për të respektuar rregullat e protokollit anti-Covid.
Ndërkohë, prindër të tjerë që kanë më shumë se një fëmijë në të njëjtën shkollë shprehen se oraret që i përkasin turneve të ndryshme nuk janë aspak të favorshme për rutinën e ditës së tyre.
“Unë kam tre fëmijë, dhe asnjërit nuk i përputhet orari me njëri-tjetrin. Më prish shumë punë ky fakt se nuk di si të menaxhoj ditën, prandaj kam ardhur të bisedoj me shkollën që të gjejmë një zgjidhje, pasi unë jam dhe në punë“, tha një zonjë e cila priste jashtë shkollës “Vasil Shanto” me djalin e saj të vogël, i cili sapo kishte mbaruar turnin e parë të mësimit, ndërsa dy fëmijët e tjerë ishin në turnet e tjera të mesditës dhe të pasdites.
Në disa shkolla viheshin re në ambientet e jashtme të oborreve forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e shpërndarjes së nxënësve, për shkak dhe të fluksit të madh të personave, ku disa prindër dhe fëmijë përplaseshin në radhët e krijuara në hyrje të shkollave.
Gjithsesi, ndërsa disa prindër duken të shqetësuar për menaxhimin e situatës, të tjerë duket se e kanë pranuar atë dhe janë të gatshëm të përshtaten me çdo skenar që do iu paraqitet.
“Fatmirësisht vajzën dhe djalin i kam të dy në turnin e parë. Tani po pres dhe djalin të mbarojë mësimin. Sigurisht që orari i shkurtuar nuk më volet për programin e ditës, por çfarë të bëj, përpara shëndetit të fëmijës nuk vë gjë tjetër“, tha Rajmonda, një mama e re, teksa përkëdhelte flokët e vajzës së saj që sapo kishte mbaruar ditën e parë të mësimit rreth orës 10.30 të mëngjesit.
“Do përshtatemi me këtë situatë. Besoj dhe kam shpresë se do ia dalim“, përfundoi Rajmonda.