Blog13 Oct 2015

Fëmijët ‘ Kuq e Zi ’

Po ç’të keqe ka që fëmijët të rriten me ndjenjën e atdhedashurisë? Shkolla është pikërisht institucioni që e ka edhe për detyrë një mision të tillë. Po a është kjo atdhedashuri? Një ndjenjë e tillë nuk mund të thjeshtëzohet në tekstin patetik të një këngë patetike...

Autor: Emiljano Kaziaj BIRN Tiranë
Printo

1-(20)Ndërkohë që zhvillohej ndeshja Shqipëri-Serbi, nga jashtë dritares dëgjoheshin zëra fëmijësh që thërrisnin në kor Shqipëri Etnike! Shqipëri Etnike! Nuk kanë faj- i thashë një mikut tim, është gjëja e parë që mësojnë kur shkojnë në shkollë. Me këtë i referohesha një kronike që pashë në lajmet televizive për ditën e parë të shkollës, ku ndërkohë që fëmijët e klasës së parë shfaqeshin me tufa lulesh në duar, në  sfond dëgjoheshin tinguj të këngëve Xhamadani vija-vija dhe Kuq e zi. Kronika ishte filmuar në shkollën 9- vjeçare Vasil Shanto. Nuk mbaron me kaq! Bashkëbiseduesi im më tregoi që në fakt kjo ishte një praktikë që përdorej gjerësisht në shkollat shqiptare.

Çdo ditë –më tha- përpara orës 8 të mëngjesit, kur kaloj përpara shkollave ‘Sabaudin Gabrani 2’ dhe ‘Vasil Shanto’, më ndodh të dëgjoj këngën Kuq E zi! Kështu i mirëpresin shkollat në Tiranë fëmijët çdo mëngjes. Dhe menjëherë m’u kujtua një fragment nga kjo verë, ku isha në dasmën e një mikeshës sime. Dasma po shkonte për mrekulli dhe në kulmin e kënaqësisë së kërcimit, dixhej vendosi të elektrizonte disi më shumë atmosferën dhe vuri njëra pas tjetrës këngët Xhamadani vija vija dhe Kuq e zi. U habita me reagimin që shkaktuan këngët në sallë. Njerëzit si të orkestuar nga ndonjë koreograf që kishte dy muaj që bënte prova me ta, u mblodhën në një formë rrethi e ndërkohë në mes, hyri një fëmijë, djalë, rreth 7 vjeç i cili mbante një flamur kuqezi mbi supe (po flamurin ku e gjeti?!) dhe vraponte në mes të rrethit i ekzaltuar dhe njerëzit ulërsinin dhe duartrokisnin për fëmijën që po performonte.

Pasi ka lexuar këto radhë, dikush mund të pyesë me të drejtë: Po ç’të keqe ka që fëmijët të rriten me ndjenjën e atdhedashurisë? Shkolla është pikërisht institucioni që e ka edhe për detyrë një mision të tillë. Po a është kjo atdhedashuri? Një ndjenjë e tillë nuk mund të thjeshtëzohet në tekstin patetik të një këngë patetike. Atdhedashuria nuk duhet të jetë vetëm gjesti i adhurimit të flamurit të vendit tënd, pavarësisht gjithçkaje. Atdhedashuria duhet të jetë shumësi i ndjenjave të tjera që e shoqërojnë njeriun. Dashuria për dinjitetin tënd si qytetar, i cili duhet të të bëjë të reagosh sa herë dikush përpiqet të ta nëpërkëmbë atë. Dashuria për vendin ku jeton e gjithë pasuritë e tij natyrore, që të të bëjnë të mos pështysh e hedhësh plehërat në rrugë e të gjykosh këdo që bën ashtu. Dashuria për tjetrin, për familjen, për komshiun, për qytetarin, që të të bëjnë të mos mendosh sikur jeta jote fillon e mbaron tek pragu i derës së shtëpisë tënde. Si i mësojnë fëmijët këto duke kënduar Kuq e Zi?

Ndërkohë që në dasma gjithkush ka të drejtë të festojë si të dojë, nuk besoj se shkollat duhen kthyer në një dasëm. Pyes veten se çfarë ndodh me nxënësit kur sapo kanë dëgjuar në mëngjes këngën Kuq e zi me fjalë të tipit ‘Shqipëri e madhe’ e pastaj në histori dhe gjeografi mësojnë se Shqipëria është në fakt një vend i  vogël, nga më të vegjëlit në Evropë. Se ne kufizohemi me Kosovën, Maqedoninë, Greqinë, e asnjë nga këto nuk është Shqipëri. Do ishte mirë sikur një nga këta nxënës të ngrihej në mësimin e gjeografisë e t’i ngulte këmbë mësueses duke i thënë se:- Po, ekziston Shqipëria e madhe, nuk ka si të mos ekzistojë, e thotë kënga, kënga me të cilën na bëni lavazh truri çdo mëngjes!! Kujtdo që mendon se kjo këngë ushqen atdhedashurinë tek fëmijët, personalisht do i sugjeroja edhe këngët: ‘O sa kam By..n e mirë’- si një këngë që rrit dashurinë për një trup të shëndetshëm tek fëmijët, ose këngën, ‘Të ka lali shpirt’- si një këngë që ushqen dashurinë e nxënësit për mësuesen.

Nuk e di nëse Ministria e Arsimit ka ndonjë grup pune funksional që merret me çështje të formimit ekstra- kurrikular të nxënësve. Mjafton një vizitë në shkollat 9- vjeçare të Tiranës për të parë se çfarë mësimesh jashtë-kurrikulare marrin nxënësit çdo mëngjes. E di që kjo është një përpjekje pak e tepërt për ministren apo politikanë të tjerë pozitarë e opozitarë pa përjashtim, sepse nuk është akoma as 28-29 -Nëntori, as Krishlindje e Viti i ri e as 7- Marsi. E dimë që në këto festa do vraponi të jeni pranë fëmijëve në shkolla e kudo, t’i përqafoni, të bëni selfie e madje edhe të kërceni me ta Xhamadani Vija-vija. E ne do kemi rastin që në mediat tona spektakolare të shijojmë gjithë performancat tuaja me fëmijët. E pastaj nuk është aspak për t’u habitur që shikon në ekrane kronika për fëmijë që gjuajnë me gurë këdo që perceptojnë si armik të ‘këngës së tyre të çdo mëngjesi’ apo që braktisin mësimin e rendin turravrap nëpër sheshe duke ulëritur po atë këngë.