Masat administrative për distancimin social të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri prekin kryesisht bizneset e shërbimit dhe ato fason, të cilët ankohen për ndëshkime selektive gjatë një viti të vështirë, që shumë prej tyre po i detyron të mbyllin aktivitetin.
Dreka e vakisë zë një vend të rëndësishëm në traditën e ceremonive mortore në Shqipëri, bazuar në doket dhe zakonet e vendit. Por pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit të ri, ky rit është bërë pothuajse i pamundur – si rrjedhojë e masave të distancimit social të marra nga qeveria.
Bizneset që organizojnë ceremoni të tilla rrezikojnë gjoba të majme.
Të hënën në mëngjes, nëpërmjet një deklarate për shtyp, Policia e Shtetit njoftoi ndëshkimin e administratorëve të dy bizneseve me 1 milion lekë gjobë për organizimin e drekave për ceremoni mortore.
“Gjatë kontrolleve kanë konstatuar në Fushë Krujë dhe Nikël, Krujë, 2 subjekte që kishin organizuar ceremoni mortore, në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë,” njoftoi Policia e Durrësit për mediat.
Që nga shpërthimi i pandemisë së virusit SARS-CoV-2 në mars në Shqipëri, qeveria e kryeministrit Edi Rama ka miratuar një seri aktesh normative duke vendosur kufizime për bizneset dhe individët, shkelja e të cilave ndëshkohet me masa administrative që shkojnë nga gjobat deri në mbylljen e aktivitetit dhe procedim penal.
Monitorimi i respektimit të kufizimeve i është ngarkuar një grupi ndërinstitucional, ku bëjnë pjesë Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Policia e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Ushqimit si edhe strukturat e qeverisjes vendore.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtën e informimit tregojnë se gjatë periudhës mars –dhjetor 2020, qindra biznese u ndëshkuan me gjobë nga Taks-Forca kundër COVID-19, ndërsa disa dhjetëra administratorë u proceduan penalisht.
Gjobat dhe procedimet prekën kryesisht bizneset e shërbimit të bareve dhe restoranteve, një nga sektorët më të prekur nga kufizimet dhe kriza ekonomike e shkaktuar nga COVID-19. Përfaqësuesit e këtij sektori ankohen se ndëshkimet shpesh herë kanë qenë selektive, duke dëmtuar njëkohësisht bizneset dhe luftën ndaj pandemisë.
“Nëse do të vendoset metri, ai të vendoset njësoj tek të gjithë,” kërkon Enri Jahaj, kryetari i Shoqatës së Restoranteve, Bareve dhe Klubeve të Natës.
“Po të bësh një kontroll të thjeshtë në rrjetet sociale të subjekteve në Durrës, Vlorë etj., do të shohësh që ka organizime masive për Vitin e Ri, të hapura në rrjetet sociale, ftesa për njerëzit që të festojnë Vitin e Ri,” tha Jahaj, ndërsa shtoi se “në qoftë se ky nuk është favorizim, çfarë emri do i vemë.”
Edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë në Durrës, Alban Isteri tregon se ka pasur shumë ankesa nga bizneset për trajtim selektiv nga ana e Policisë.
“Ka pasur selektivitet nga policia, në disa raste disa penalizoheshin shumë rëndë dhe në disa të tjera lejoheshin,” kujtoi Isteri.
Gjoba ndaj bareve dhe restoranteve
Që nga shpërthimi i pandemisë së Shqipëri në mars, mbi 57 mijë persona janë infektuar nga virusi nga të cilët 1170 qytetarë kanë humbur jetën.
Për të parandaluar shpërndarjen e virusit, qeveria ka ndërmarrë disa herë masa shtrënguese nëpërmjet akteve normative, përfshirë mbylljen e bizneseve të bareve dhe restoranteve në muajt mars-prill dhe më pas lejimin e aktivitetit të tyre nëpërmjet një protokolli strikt, ku përfshihet rregulla përsa i përket higjienës, distancimit fizik, muzikës, orarit të operimit, etj. Shkelja e këtyre rregullave është shoqëruar me masa administrative ndëshkuese.
Që nga fillimi i kufizimeve për parandalimin e përhapjes së pandemisë më 12 mars dhe deri më 20 dhjetor, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) ka kryer 371.900 inspektime dhe monitorime për zbatimin e masave anti-COVID.
Në krye të listës për nga numri i inspektimeve renditen bar-kafetë, restorantet, piceritë dhe “fast food”-et, me 106.596 inspektime. Vetëm dega rajonale në kryeqytet ka kryer tek këto subjekte 13.182 inspektime dhe monitorime.
Të dytat renditen “Pikat e shitjeve të produkteve ushqimore” me 47.555 inspektime; “Shitje me pakicë e produkteve të tjera jo ushqimore”, me 40.394 inspektime; “Furra buke, pastiçeri”, me 13.865 inspektime, ndërsa në “biznese fason, ‘call center’, fabrika e linja prodhimi e përpunimi”, janë realizuar 3293 inspektime.
ISHSH i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se në 10 muajt e fundit lidhur me pandeminë ka vendosur 889 masa administrative, nga të cilat 544 janë gjoba dhe 345 janë vendime të ndërmjetme për pezullim aktiviteti.
Shumica e vendimeve të ndërmjetme për pezullim aktiviteti, 327 prej tyre, janë marrë pas njoftimeve të ardhura nga NJVKSH (Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor) për raste të punonjësve me COVID-19.
Bar-kafetë, restorantet, piceritë dhe “fast food”-et renditen në krye të listës për nga numri i gjobave të vendosura nga ISHSH, ku 45 gjoba numërohen vetëm në Tiranë dhe 37 në Durrës.
“Mospërdorimi i mjeteve mbrojtëse, mosrespektimi i distancave, moskryerja e dezinfektimit, mosrespektimi i pikave të protokolleve sipas llojit të aktivitetit,” janë shkeljet kryesore të konstatuara sipas ISHSH-së.
Ndërkohë, shumica e vendimeve për pezullim aktiviteti në Tiranë e Durrës e mbajnë fasoneritë, me 8 vendime në kryeqytet dhe 15 vendime në Durrës. Kopshtet e çerdhet numërojnë 8 vendime në Tiranë, ndërsa për institucionet publike në Durrës janë marrë 7 vendime.
Kriza godet sektorin e shërbimeve
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie me 24% në sektorin e Bar-Restoranteve në tremujorin e tretë të vitit 2020, ndërsa indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie me 24%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Arben Isteri, kryetar i Dhomës së Tregtisë në Durrës, i tha BIRN se kufizimet e imponuara nga pandemia e kanë dëmtuar rëndë biznesin e vogël në qytetin e dytë më të madh të vendit.
“Nga informacionet që ne kemi, 1 në 3 biznese të vogla është mbyllur,” tha Isteri.
“Pretendohet se do ketë një valë mbyllje tjetër në momentin e mbylljes së vitit, sepse disa e kanë tërhequr këmbën zvarrë deri në fundvit, sepse i kanë paguar taksat,” shtoi ai.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Restoranteve, Bareve dhe Klubeve të Natës, një pjesë e bizneseve të vogla që rrezikojnë mbylljen janë të këtij sektori. Jahaj fajëson mënyrën e pastudiuar me të cilën janë marrë masat për distancim social gjatë krizës.
“Ky lloj sektori është shumë i goditur, sepse mënyra se si është operuar deri më tani ka qenë e gabuar,” tha ai.
“Është një sektor që nëse i thua sot për nesër do kufizoheni, goditet rëndë, sepse ai ka bërë disa parapërgatitje [blerje pijesh, ushqimesh etj.],” shtoi Jahaj.
Sipas Arben Isterit, kriza në sektorin e shërbimit ka sjellë ulje të të punësuarve sezonalë nga sipërmarrjet turistike.
“Ka pasur një rritje të numrit të të papunëve, sepse të punësuarit sezonalë në turizëm nuk kanë pasur punë këtë vit dhe tek bizneset e vogla e të mëdha në Durrës kanë dalë rreth 35 mijë të papunë pas tërmetit dhe pandemisë,” tha Isteri.
“Ndërkohë, 80% e bizneseve sot punojnë me humbje ose pa fitim,” shtoi ai.
Arrestime dhe procedime penale
A.D prej gati 3 vitesh menaxhon një bar-kafe në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Një muaj më parë, Policia e Shtetit e gjobiti me 1 milion lekë me pretendimin se ambienti kishte muzikë pas orës 20:00.
“Ne ishim disa persona brenda lokalit me dyer të mbyllura, sepse ishte ditë e dielë dhe nuk kishte njerëz dhe po rrinim për kënaqësinë tonë, isha me të afërm,” tregon burri që zgjodhi të mos identifikohej plotësisht për të shmangur ekspozimin e subjektit.
Ai kujton se policia i kishte bërë një video nga dritarja e lokalit dhe më pas kishte ndërhyrë për të vendosur masën administrative.
“Muzikë kishte, por me dyer të mbyllura që në orën 21:00, sepse ishte ditë e dielë dhe nuk kishte njeri,” shtoi ai.
Sipërmarrësi e kundërshtoi gjobën e vendosur nga policia dhe pas një kalvari disa ditor nëpër komisariate dhe komisione, arriti ta anulonte atë.
“Kam shkuar 3-4 herë në polici, komisione, dokumente, ankth, stres, a do hiqej apo do paguhej sepse janë 10 milionë lekë [të vjetra], nuk janë pak,” tregon burri.
Ky nuk është rasti i vetëm. Të dhënat e mbledhura nga BIRN nga Policia e Shtetit tregojnë se në periudhën mars-dhjetor 2020, janë ndëshkuar me gjobë 741 subjekte pasi janë konstatuar në kundërshtim me aktet normative kundër përhapjes së COVDI-19.
“Shkelja më e shpeshtë në të gjitha qarqet ka qenë ‘Subjekte që ofrojnë shërbime në ambiente të mbyllura’, neni 3, pika 7 e Aktit Normativ,” tha Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit ka proceduar penalisht një pjesë të pronarëve të subjekteve, që në masën dërrmuese janë bar-restorante.
“Janë proceduar penalisht 53 pronarë subjektesh, pasi janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ,” tha Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit i pezulloi lejen për ushtrimin e aktivitetit 25 subjekteve si pasojë e mosrespektimit të masave anti-COVID, ndërsa 4 pronarë subjektesh janë arrestuar nga policia në të gjithë vendin, 2 prej të cilëve në Durrës.
Prokuroria e Durrësit bëri me dije për BIRN se janë referuar 3 raste për shkelje të masave anti-COVID-19, referuar nenit 242/a të Kodit Penal.
“Një rast ceremoni martesore në anije ushtarake, 1 rast subjekt privat për organizim ceremonie martesore në lokal dhe 1 rast i referuar nga autoritetet malazeze,” tha Prokuroria e Durrësit.
“Nga këto, dy janë regjistruar si procedime penale (nën hetim) dhe një mosfillim,” shtoi organi i akuzës.
Enri Jahaj i tha BIRN se masat ndëshkuese të marra nga Policia kishin shkaktuar panik në këtë sektor, ndërsa shtoi se respektimi i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-1 nuk duhet të realizoht nëpërmjet frikës.
“Kjo është hajde të mbjellim panik dhe nuk ka përse të funksionojë me panik ky sektor,” tha a. “Ky sektor funksionon me rregulla loje dhe me baza ligjore,” përfundoi Jahaj.