Lajm23 Oct 2019

Fiksimi i ndeshjeve, gjykata pushon çështjen ndaj ish-trajnerit të kombëtares

Gjykata e Shkodrës ka  pushuar hetimet për fiksim të rezultateve të ndeshjeve, ndaj ish-trajnerit të kombëtares së femrave në futboll Armir Grima dhe dy të akuzuarve të tjerë, pasi vepra cilësohet kundravajtje penale. Ata ishin arrestuar si pjesë e grupit “Bajri”.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Gjykata e Faktit në Shkodër. Foto Ilustruese: Anila Dushi

Gjykata e Shkodrës njoftoi pushimin e hetimeve ndaj ish-trajnerit të kombëtares së femrave Armir Grima, ish-boksierin e Vllaznisë Nelson Hysa dhe portierit të ekipit të futbollit Besëlidhja Fabjol Rexhepi. Gjyakata po ashtu vendosi t’u heqë masat e sigurisë tre sportistëve që akuzoheshin për “Përcaktimin e rezultateve në garat sportive”.

Në dispozitivin e vendimit, që u mor të martën 22 tetor, nga gjykata arsyetohet se vendimi ishte marrë me kërkesë të prokurorisë së Shkodrës “pasi fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.  Kodi Penal e parashikon fiksimin e rezultatit të ndeshjeve si kundravjatje penale dhe vetëm nëse provohet se ajo është kryer “për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet”.

Tre sportistët u akuzuan në shtator 2018  nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pwr fiksim të ndeshjeve sportive si pjesë e grupit të strukturuar kriminal Bajri, sëbashku me 13 persona të tjerë. Të tre i kanë mohuar akuzat.

Sipas një vendimi për masë sigurie i Gjykatës së Apelit Shkodër i 2 tetorit të këtij viti, çështja u hetua deri në korrik 2019 pranë Prokuorisë së Krimeve të Rënda. Kjo e fundit vendosi më pas rikualifikimin e veprës penale duke u hequr tre sportistëve akuzën e bashkëpunimit në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe trasferuar çështjen në prokuorinë e Shkodrës.

I njëjti vendim i gjykatës së Apelit bën me dije se prokuroria pretendonte se ishte provuar nga rezultatet e përgjimit të majit 2018 fiksimi i një ndeshjeje futbolli të Kampionatit të Kategorisë së Parë.

“Nga transkriptet e thirrjeve telefonike përmbajtja e këtyre bisedave kanë rezultuar fakte të pakundërshtueshme në lidhje me trukimin e ndeshjeve”, citohet prokuroria nga gjykata. Prokuroria po ashtu pretendonte se nga hetimet rezultonte që një ndeshje e 5 majit 2018 ishte trukuar “dhe paracaktuar rezultati në mënyrë të qartë dhe të dukshme, duke u sqaruar dhe mënyra e realizimit të veprimet që do të kryenin në fushë për të arritur rezultatin final të futbollit”.

Vendimi i fundit i gjykatës lë të kuptohet se prokuroria, e cila ka kërkuar pushimin e hetimeve, nuk ka vërtetuar dot që të akuzuarit kishin përfituar para nga trukimi i dyshuar i ndeshjes.  Në dëshmitë e dhëna të cituara nga gjykata e Apelit, Grima, Rexhepi i cili në momentin e arrestimit luante si portier për ekipin e Tërbunit të Pukës dhe Hysa kanë mohuar të ishin përfshirë në trukim ndeshjeje.

Futbolli shqiptar e ka pësuar rëndë vitet e fundit prej akuzave për fiksim të rezultatit të ndeshjeve. Skënderbeu i Korçës, një prej ekipeve më të mira në dekadën e fundit dhe i vetmi që është  kualifikuar në fazën e grupeve në “Europa League”, u dënua nga UEFA me 10 vjet përjashtim nga garat e saj dhe 1 milion euro gjobë me akuzat e fiksimit të ndeshjeve. Vendimi u la në fuqi në të tre shkallët e drejtësisë sportive.