Aftësia e Bashkimit Europian për t’iu përgjigjur sfidave globale dhe atyre të brendshme do të varet kryesisht nga programi qeverisës që del nga bisedimet e vazhdueshme të koalicionit në Gjermani. A do të jetë qeveria e ardhshme gjermane e gatshme ta lërë mënjanë frikën e rishpërndarjes së padrejtë të BE-së apo ajo do të vazhdojë t’i lejojë këto frika të diktojnë çdo veprim të saj?
Ndërsa Bashkimi Demokratik Kristian i Gjermanisë (CDU) dhe partia e saj simotër bavareze, Bashkimi Social Kristian (CSU), kërkojnë të formojnë një “koalicion të paprecedent” me Liberal Demokratët dhe të Gjelbrit, pjesa tjetër e Europës pret me ankth programin qeveritar që do të dalë nga negociatat e tyre.
Rreziqet janë të larta për Europën, sepse këto nuk janë kohë të zakonshme. Rritja e nacionalizmit ekonomik, rritja e kërcënimeve të sigurisë dhe kriza e vazhdueshme e refugjatëve kanë bërë që reagimet kolektive të jenë më të nevojshme. Kina po bëhet gjithnjë e më e sigurt dhe administrata e presidentit amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë mospëlqimin e saj për Bashkimin Europian dhe dyshimet e saj për fuqinë ekonomike të Gjermanisë.
Në shtëpi, arsyetimi i BE-së po testohet nga Brexit dhe nga qeveritë sfiduese të Polonisë dhe Hungarisë – dy vende që, siç vuri në dukje kohët e fundit Constanze Stelzenmüller nga Instituti Brookings, po gëzojnë benefitet e anëtarësimit në BE dhe po injorojnë detyrimet përkatëse.
Në këtë kontekst, zgjedhja e Emmanuel Macron në presidencën franceze në maj ishte një lehtësim për Gjermaninë. Megjithatë, Macron e ka vënë Gjermaninë në një pozitë të pakëndshme ku duhet t’i përgjigjet propozimeve të tij për reformat në nivelin e BE-së. Duke bërë thirrje për një fond të përbashkët mbrojtjeje të BE-së, harmonizim të taksave dhe një buxhet të përbashkët të eurozonës, Macron po e ngre në këmbë status quo-n europian.
Çështja tani është nëse vendi më i madh dhe më i begatë i Europës do të sigurojë lidershipin që kërkojnë këto kohë të vështira. Secila parti në bisedimet për koalicion sjell një perspektivë ndryshe në tavolinë. Për çështjet evropiane, CDU-ja e kancelares Angela Merkel, e cila ka 12 vjet në pushtet, do të sjellë vazhdimësi. Por CSU-ja më konservatore po tërhiqet djathtas nga konkurrenca nga populistja Alternative für Deutschland (AfD).
Përsa i takon dy partive të tjera, FDP-ja ka miratuar një vijë të ashpër drejt Europës. Liderët e saj kanë sugjeruar se Greqia duhet të largohet nga euroja dhe se mekanizmi i BE-së për të shpëtuar vendet që luftojnë duhet të shpërbëhet. Të Gjelbrit, nga ana tjetër, janë të prirur për thellimin e integrimit europian; por kjo nuk është përparësia e tyre e parë dhe ata janë partia më e vogël në tavolinë.
Së fundmi, programi i qeverisë së re me shumë gjasa do të pasqyrojë dyshimin se vendet e tjera anëtare të BE-së duan t’i zgjidhin problemet e tyre me paratë e Gjermanisë sesa me reforma të brendshme. Politikanët gjermanë dhe opinionistët vlerësojnë pothuajse çdo propozim për reformën në nivel të BE-së përmes këtij prizmi shpërndarës. Skemat që nuk kanë për qëllim të çojnë në transferime strukturore diskutohen në mënyrë të vazhdueshme për të konfirmuar se ata nuk do të bëhen shpërndarës parash për vendet e tjera anëtare të BE-së.
Për shembull, gjermanët e konsiderojnë një buxhet të përbashkët jo si një mënyrë për të financuar të mira publike si hulumtimi apo infrastruktura, por si një mjet për ta detyruar Gjermaninë të mbulojë shpenzimet e vendeve të tjera. Në mënyrë të ngjashme, sigurimi i përbashkët i papunësisë konsiderohet si një skemë për t’i detyruar gjermanët të paguajnë për punonjësit e papunë spanjollë ose francezë. Dhe një program garancie depozitash për bankat shihet si një mënyrë për t’i detyruar depozituesit e kujdesshëm gjermanë të paguajnë për huatë me probleme në Itali.
Padyshim, secili nga këto shqetësime mund të jetë i drejtë. Të gjitha propozimet sigurisht që duhet të shqyrtohen për të qenë të sigurt që me to s’do të abuzohet apo nuk do të paraqesin rrezik moral. Solidariteti europian nuk është një rrugë njëkalimshe.
Por, në të njëjtën kohë, liderët gjermanë duhet ta pranojnë se fokusi i tyre kryesor në efektet shpërndarëse është helmues. Ata duhet të kujtojnë një çast në vitin 1979 kur kryeministrja e Britanisë Margaret Thatcher hyri në një samit europian dhe tha: “Dua të më ktheni pas paratë e mia!” E njëjta logjikë ishte edhe afër 40 vjet më pas gjatë fushatës për Brexit, kur politikanët “Largohu” pretenduan në mënyrë të gabuar se largimi nga BE-ja “do t’i kthente pas paratë” Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.
Pse Gjermania është fiksuar me frikën se po paguan shumë? Buxheti i BE-së ka shumë gjëra për të kritikuar, por ai vështirë se e trajton në mënyrë të padrejtë Gjermaninë. Gjermania mund të jetë kontribuuesja më e madhe neto, por kjo është sepse ajo ka ekonominë më të madhe. Si pjesë e të ardhurave kombëtare, vende si Belgjika, Franca dhe Holanda gjithashtu kontribuojnë në një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre neto.
Frika e Gjermanisë se Mekanizmi Europian për Stabilitetit shërben si një kanal për transferta të fshehura është po aq e pabazë. Po, ESM-ja përfiton nga kostot e huave të ulëta, të cilat i kalojnë vendeve që i marrin këto hua. Nëse Greqia s’është në gjendje ta paguajë borxhin e saj, aksionerët e ESM-së do të pësojnë një humbje dhe ky rrezik nuk llogaritet në normën e interesit që paguan Greqia. Por, deri më tani, ESM-ja ka vazhduar të ketë fitime dhe çdo humbje që ajo pëson, do të shpërndahet midis të gjithë aksionerëve – përfshirë, për shembull, Italinë. ESM-ja është shumë larg të qenit një makinë subvencioni e financuar nga taksapaguesit gjermanë.
Disa njerëz në Gjermani gjithashtu hedhin poshtë të ashtuquajturat ekuilibra Target2, që regjistrojnë teprica dhe deficite të bankave qendrore kombëtare kundrejt Bankës Qendrore Europiane. Për shembull, Hans-Werner Sinn i Universitetit të Mynihut argumenton se sistemi Target është shndërruar në një kanal për operacione të fshehta që të përfitojnë vendet debitorë në Europën jugore. Vërtetë, në shtator, Bundesbank kishte një suficit neto prej 878 miliardë eurosh (1.2 trilionë dollarë) kundrejt BQE-së, ndërsa Italia dhe Spanja kishin deficite përkatësisht 432 miliardë euro dhe 373 miliardë euro. Këto pozicione pasqyrojnë shkallën në të cilën flukset zyrtare ende zëvendësojnë ato private.
Por, përsëri, kjo marrëveshje nuk i ka kushtuar Gjermanisë as edhe një euro. Përkundrazi, sistemi Target në thelb është një skemë kolektive sigurimi: nëse një bankë qendrore kombëtare nuk do të paguante, humbja do të ndahej midis aksionerëve të BQE-së. Sistemi i lejon në këtë mënyrë eksportuesit gjermanë të vazhdojnë të shesin prodhimet e tyre në Europën Jugore, sepse ai del garant që ata do të paguhen. Pretendimi që Gjermania humb nga kjo thjesht nuk është i vërtetë.
Do të jetë gjithmonë në interes të një partie politike t’i përgjigjet frikave të elektoratit. Por politikanët e kanë gjithashtu për detyrë t’i lajmërojnë votuesit kur frikat e tyre janë të tepruara ose të pabaza. Europa ka nevojë për një Gjermani që do të vendosë veton për gjysmë propozimet. Por ajo gjithashtu ka nevojë për një Gjermani që mund të kapërcejë fiksimet e saj të ngushta dhe të sigurojë lidership.
Me bisedimet aktuale të koalicionit, liderët e Gjermanisë kanë një mundësi për të vlerësuar zhvillimet e reja globale që do të kenë implikime të gjera për Europën dhe Gjermaninë. Ata duhet të vendosin nëse është më e rrezikshme të mos bëjnë asgjë apo të marrin nismën. Askush nuk pret një ndryshim të papritur besimi. Por shpresojmë për një qeveri që do të jetë më e gatshme për të ofruar zgjidhje.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Germany’s Dangerous Obsession