Pas akuzave për koordinata të manipuluara dhe ‘mea culpas’ së kryeministrit Edi Rama, ministria e Energjitikës ka nisur procedurat për anullimin e kontratës koncesionare të dy HEC-ce, të cilët sipas aktivistëve mjedisorë përbënin rrezik për kanionet e lumit Osum.
Publikimi i vendimeve të qeverisë Rama për ndërtimin e HEC-eve, në një nga zonat më tërheqëse për turizmin në vend, ngjalli reagimin e opinionit publik dhe organizatave mjedisore, të cilat denoncuan se ka pasur ‘falsifikime’ të dokumenteve shtetërore të projektit koncesionar të kompanisë “HP Bigas-Veleshnje Energy”.
Nën presionin e opinionit publik, kryeministri Edi Rama deklaroi se do të anulojë projektin e HEC-eve dhe la të kuptohej se manipulimi i dokumenteve ishte zbuluar pas miratimit të lejes së tyre, e zbardhur në mbledhjen e 12 dhjetorit 2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Më pas, ishte Agjencia e Zonave të Mbrojtura e cila vendosi më 15 shkurt 2017 revokimin e lejes mjedisore për hidrocentralet ‘Bigas 1’ dhe ‘Bigas 2,’ në pellgun ujëmbledhës “Përroi i Bigasit”, për shkak të parregullsive të konstatuara në dokumentet e lejes koncesionare, që kanë të bëjnë me Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, VNM. Sipas Ministrisë së Mjedisit VNM-ja nuk është e saktë mbi sasinë e ujit që do të përdoret dhe koordinatat e ndërtimit të HEC-eve.
Për shkak të këtyre parregullsive, Agjencia e Zhvillimit të Territorit kërkoi inspektimin në terren me qëllim pezullimin e punimeve për ndërtimin e hidrocentraleve.
E vendosur në këtë situatë, ministria e Energjetikës ka vepruar duke proceduar në prishjen e njëanshme të kontratës koncesionare.
“Në këto kushte, bazuar në nenin 12 “Zgjidhja e kontratës së koncesionit” të kontratës së koncesionit për ndërtimin e hidrocentraleve “Bigas 1&Bigas 2 dhe Veleshnje”, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në cilësinë e Autoritetit Kontraktues ka njoftuar shoqërinë për fillimin e procedurave për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së koncesionit”- thuhet në njoftimin zyrtar, sipas të cilit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbështet dhe inkurajon zhvillimin e burimeve të reja energjetike në vend.
Të kontaktuar në BRIRN, përfaqësuesit e kompanisë “HP Bigas-Veleshnje Energy”, thanë se janë në dijeni të vendimit të Ministrisë së Energjetikës, por ata kërkuan kohë për të komentuar prishjen e një anshme të kontratës koncesionare të ndërtimit të hidrocentraleve, të cilën e kanë fituar në vitin 2013.
Projekti koncesionar për ndërtimin e dy hidrocentraleve Bigas 1, Bigas 2 dhe Veleshnje u miratua fillimisht në shtator 2013, kur qever e udhëhequr nga ish kryeministri Sali Berisha ndodhej në ditët e fundit në detyrë. Me të marrë timonin e qeverisë, Rama premtoi anulimin e të gjitha lejeve që Berisha firmosi në fund të mandatit duke i cilësuar ato si korruptive.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se HEC-et mbi lumin Osum jo vetëm që nuk u anuluan, por morën miratimin e disa enteve në varësi të qeverisë “Rama”.
Ministria e Energjetikës vijoi procedurat për ndryshimin e kontratës fillestare të kompanisë HP Bigas-Veleshnje Energy, duke e ndryshuar kapacitetin nga 0.5 në 1.2 mega. Kjo solli edhe bashkimin e dy HEC-eve Bigas 1 dhe Bigas 2, ndërsa kontrata e re u nënshkrua nga ministria e Energjisë më 16 maj 2016.
Projekti mbërriti më pas në Këshillin Kombëtar të Territorit, ku u miratua në 12 dhjetor 2017. Ai u mbajt i fshehtë dhe nuk u botua as nga qeveria dhe as nga KKT.