Lajm16 Nov 2018

Fillon mbledhja e kampionëve të ADN-së për identifikimin e viktimave të komunizmit

Komisioni Ndërkombëtar i Personave të Humbur (ICMP) njoftoi fillimin e mbledhjes së kampionëve të gjakut të familjarëve të viktimave të komunizmit pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten marrëveshjen e shumëpritur për kërkimin dhe identifikimin e të zhdukurve.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Një luginë në Dajt pranë Tiranës ku pritet të fillojnë gërmimet. Foto: Gjergj Erebara/BIRN

ICMP publikoi të premten një thirrje për familjarët e viktimave të komunizmit për të vizituar zyrën e saj në Tiranë për të dhënë kampionë gjaku që do të përdoren për identifikimin e të zhdukurve.

Mbledhja e kampionëve të gjakut filloi pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten në darkë marrëveshjen ndërkombëtare me ICMP për të nisur procesin.

“ICMP duartroket ratifikimin e marrëveshjes dhe kurajën e autoriteteve shqiptare për trajtimin e kësaj çështjeje shumë të ndryshme nga e shkuara komuniste e Shqipërisë,” deklaroi Mattheë Holliday, drejtues i ICMP për Programin në Ballkanin Perëndimor në një njoftim për shtyp.

Marrëveshja kërkoi shumë muaj negociata dhe priti miratimin nga qeveria dhe parlamenti që nga marsi i këtij viti. Ajo parashikon kërkimin në terren për eshtrat e viktimave në dy vendvarrime të njohura, njëri pranë Tiranës dhe një tjetër pranë ish-kampit të internimit në Ballsh.

Shqipëria vuajti një sundim terrori gjatë 45 viteve të sundimit komunist kur një numër i panjohur shqiiptarësh u ekzekutuan dhe varrosën në varre pa shenja apo vdiqën në burgje e internime. Rreth 6 mijë emra të atyre të ekzekutuar u identifikuan në fillim të viteve ’90. Varret e mijërave prej tyre nuk janë ende të identifikuara.

ICMP ofroi ndihmë për Shqipërinë mbi këtë çështje fillimisht në vitin 2010 kur BIRN raportoi se kërkimi privat i një qytetari për varrin e të atit zbuloi një varr masiv pranë Tiranës në rrëzë të Malit të Dajtit.

Qeveria e kohës krijoi një komision për të punuar mbi këtë çështje por asnjë punë sistematike nuk u krye. Eshtrat e zbuluara në vitin 2010 janë ende të paidentifikuara.

Familjarët e personave të zhdukur që besohet se mund të jenë varrosur në Dajt dhe në Ballsh janë të lutur të paraqiten në zyrat e ICMP në Tiranë, Rruga Abdi Toptani 32/5 (Torre Drin), ose të komunikojnë në telefon në numrin +35544523310.