“Bazuar në intervistat e tij dhe videot e disponueshme, është e qartë se ai ishte një njeri vërtet pasionant që besonte në idetë e tij dhe në popullin e tij kroat. Unë mendoj se ai i përket atij brezi të vjetër politikanësh që ishin shtetarë dhe jo burokratë, të cilët mendonin se kombi ka nevojë për një lider të cilin ata do ta ndiqnin dhe ai bëri gjithçka për ta bërë këtë”, tha aktori amerikan Kevin Spacey për të përjavshmen kroate Hrvatski Tjednik te enjten e kaluar.
Spacey i referohej presidentit të viteve 1990 të Kroacisë, Franjo Tudjman, të cilin ai ka vendosur të luajë në një film dokumentar me regji të regjisorit kroat të krahut të djathtë Jakov Sedlar. Por projekti ndoshta nuk do të kishte ndodhur kurrë, nëse karriera e Spacey nuk do të ishte dëmtuar ndjeshëm për shkak të akuzave për ngacmim dhe abuzim seksual.
Në krye të këtyre akuzave, në vitin 2020 Spacey u urdhërua t'i paguante rreth 27 milionë euro kompanisë mediatike MRC, producentit të serialit televiziv “House of Cards”, në të cilin ai luajti rolin kryesor, për shkelje të politikës së saj të ngacmimit seksual.
Edhe pse Spacey mund të mendojë se roli i Tudjman-it do t'i lejojë atij të tregojë talentin e tij të jashtëzakonshëm në aktrim dhe të fitojë sërish disa lëvdata, ka shumë arsye pse ai nuk do të ringjallë karrierën e tij duke marrë pjesë në këtë film propagandistik.
Mitizim i “babait të shtetit kroat”
Tudjman, i cili erdhi në pushtet në vitin 1990, mbetet një figurë e diskutueshme brenda dhe jashtë Kroacisë. Ata që e shohin atë në një dritë pozitive fokusohen në rolin e tij në themelimin e një shteti të pavarur kroat dhe pjesëmarrjen e tij në bisedimet e paqes të Dejtonit të vitit 1995 që i dhanë fund luftës në Bosnje.
Por kritikët vënë në dukje rolin e tij në konfliktin kroato-boshnjak 1993-1994, gjatë të cilit Kroacia ndihmoi shtetin e vetëshpallur të Herceg-Bosnjës të udhëhequr nga kroatët, liderët e të cilit u dënuan më pas për krime lufte. Mëkate të tjera të supozuara qëndrojnë në trajtimin e dobët të Tudjman-it ndaj serbëve të Kroacisë, nacionalizmin e tij ekstrem, korrupsionin e përhapur dhe privatizimet mashtruese, si dhe sundimin e tij të përgjithshëm autokratik dhe kontrollin e fortë në media, sport dhe shumë aspekte të tjera të jetës publike.
Një nga shenjat se ky film ka të ngjarë të jetë një pjesë e propagandës nacionaliste doli nga njoftimi i regjisorit Jakov Sedlar për filmin në Hrvatski Tjednik, në të cilin ai tha se “do të ishte turp të mos shënohej 100-vjetori i ditëlindjes të babait të shtetit kroat”.
Sedlar, i cili thotë se Tudjman ishte miku i tij, ishte i afërt me presidentin gjatë viteve 1990 dhe nganjëherë është përmendur si “propagandist zyrtar i Kroacisë”.
Si atashe kulturor i Kroacisë në SHBA midis viteve 1996 dhe 2000, Sedlar mori pjesë në një fushatë për të përmirësuar imazhin e Tudjman jashtë shtetit. Në vitin 1997, ai ishte regjisori i dokumentarit “Tudjman: Xhorxh Uashingtoni kroat”, i cili synonte ta cilësonte Tudjman-in si “babanë e kombit” për audiencën amerikane.
Në film, me narracion nga Martin Sheen – një tjetër yll Hollivudi që përjetoi një rënie të lehtë në karrierën e tij në atë moment – Sedlar e portretizoi Tudjman-in si personin që më në fund arriti të realizonte “ëndrrën shekullore të Kroacisë për një shtet të pavarur” pas dekadash shtypje jugosllave dhe serbe.
Ajo që është e rëndësishme në film është se Sedlar e portretizoi Tudjman-in si paqebërësin kryesor gjatë bisedimeve të paqes në Bosnje në Dejton, duke shmangur me kujdes çdo përmendje të shkeljeve të viteve 1990 të Kroacisë, si përfshirja e saj në konfliktin kroato-boshnjak.
Filmi shfaqte mohimin historik të Tudjman-it – duke minimizuar krimet e kryera nga lëvizja fashiste kroate ustashe, ndërsa ua atribuonte serbëve krimet antifashiste partizane jugosllave. Ai tregoi pjesë të festës shtetërore pesë-orëshe të ditëlindjes së 75-të të Tudjman-it në vitin 1997 në Teatrin Kombëtar Kroat në Zagreb, e cila e përshkruante Tudjman-in si një figurë të ngjashme me Mesinë që përfundoi punën historike të filluar nga paraardhësit e tij – krijimin e një shteti të pavarur kroat.
Shumë argumentuan se një festë e tillë shtetërore për ditëlindjen e presidentit ishte më e përshtatshme për liderët mbretërorë ose autokratikë sesa për zyrtarët e zgjedhur në mënyrë demokratike.
Gjithashtu në vitin 1997, Tudjman e ringriti imazhin e tij duke botuar një përkthim në anglisht të librit të tij “Wastelands of Historical Reality”, të cilin e rititulloi “Tmerret e Luftës”. Për versionin anglisht, në një përpjekje tjetër për të tërhequr një audiencë amerikane, Tudjman redaktoi një kapitull problematik në të cilin ai vinte në dyshim numrin total të vdekjeve të Holokaustit dhe citonte burime që pretendonin gabimisht se kampin e Jasenovacit e drejtonin hebrenjtë dhe jo lëvizja fashiste ustashe.
Po atë vit, Sedlar u përfshi në një tjetër mashtrim propagandistik për të përmirësuar imazhin e Tudjman në SHBA. Ai punësoi skenaristin amerikan Joe Tripician – i cili zyrtarisht ishte bashkëregjisor i filmit të vitit 1997, por nuk kontribuoi ndjeshëm – për të shkruar një biografi zyrtare të Tudjman-it në anglisht.
Duke ofruar 40,000 dollarë dhe kontroll të plotë editorial, Tripician e mori përsipër punën sepse ishte në borxhe të mëdha.
“Ata po bënin një fushatë të tërë për të ndërtuar turizmin dhe ekonominë, por gjithashtu, veçanërisht, për ta mbajtur Tudjman-in jashtë gjykatës së OKB-së në Hagë. Kjo ishte arsyeja për këtë libër”, tha Tripician për BIRN në 2017.
Megjithatë, duke kuptuar rolin e Tudjman-it në luftën e Bosnjës, Tripician refuzoi të ishte pjesë e makinës propagandistike të Kroacisë dhe drafti i tij i parë e nxori presidentin në një dritë të pafavorshme.
Në fund, pasi Sedlar insistoi që Tripician-i ta portretizonte Tudjman-in si Xhorxh Uashingtonin kroat, biografia nuk u botua kurrë.
Sedlar, njeriu i shumë polemikave
Kur Spacey konfirmoi se do të luajë Tudjman-in, dukej surreale që një aktor dy herë fitues i çmimit Oskar po i jepte një intervistë – megjithëse të shkurtër – Hrvatski Tjednik, një e përjavshme relativisht margjinale e ekstremit të djathtë që shpesh është akuzuar për përhapjen e urrejtjes nacionaliste. Kur në vitin 2019, presidentja e atëhershme kroate Kolinda Grabar Kitaroviç dha një intervistë për të përjavshmen, kjo e dëmtoi ndjeshëm imazhin e saj mes votuesve të moderuar.
Hrvatski Tjednik është e njohur për faqet e para si ajo e marsit 2019 që etiketonte Avokatin e Popullit të Kroacisë dhe përfaqësuesit e pakicave hebreje dhe serbe të vendit si “kalorësit e apokalipsit të Serbisë së Madhe në Kroaci”.
Në maj 2019, e përjavshmja iu referua Papa Françeskut si “anti-Krisht”, ndërsa në prill 2020, faqja e saj e parë pretendonte se COVID-19 është një “operacion global luftarak satanik biologjik” që synon futjen e mikroçipëve te njerëzit përmes vaksinimit në mënyrë që të “monitorojë dhe trajtojë njerëzit si bagëti”.
Si një aktor me famë botërore, Spacey mund ta dëmtojë edhe më shumë karrierën e tij në aktrim duke bashkuar forcat me Sedlar. Në dekadën e fundit apo më shumë, propagandisti dikur i njohur i Tudjman-it ka humbur madje mbështetjen e shtetit dhe partisë qeverisëse Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, gjë e cila e ka shtyrë atë edhe mëë tej drejt qarqeve të ekstremit të djathtë.
Vetë Sedlar ka pranuar se skenari për filmin për Tudjman-in – i shkruar nga autori dikur i njohur i letërsisë për fëmijë, Hrvoje Hitrec – nuk ka marrë fonde nga Qendra Audio-Vizuale Kroate, agjencia e filmit e mbështetur nga qeveria. Në vend të kësaj, sipas Sedlar, ai do të financohet nga “disa njerëz të mirë”, miq dhe admirues të tij dhe simpatizantë të Tudjman-it.
Si regjisor dhe skenarist, Sedlar dhe Hitrec kanë punuar së bashku në projekte të tilla për vite me radhë. Në vitin 2015, dokumentari i tyre, “Kroacia ime e dashur” u përpoq të zbardhte veprimet e futbollistit kroat Josip “Joe” Simunic, i cili brohoriti sloganin ustash “Za dom spremni” (“Gati për atdhe”) në një ndeshje futbolli në Zagreb në vitin 2013. Dokumentari u përpoq ta portretizonte Simunic-in si një patriot të ndershëm që nuk dëshironte të ofendonte askënd dhe parashtroi sugjerimin e keqkuptuar të së djathtës ekstreme se slogani është në fakt një përshëndetje e vjetër kroate.
Një vit më vonë, të dy burrat realizuan dokumentarin “Jasenovaci – E vërteta”, i cili u akuzua gjerësisht për shtrembërime faktesh dhe për fabrikim dokumentesh historike për të minimizuar krimet ustashe në kampin e Jasenovacit.
Ambasadorja e Izraelit në Zagreb, Zina Kalay Kleitman, e cila ishte e pranishme në premierën e filmit në kryeqytetin kroat në maj 2016, tha se filmi ofroi një pamje selektive të historisë dhe “ofendon ndjenjat e njerëzve që kanë humbur të dashurit e tyre në Jasenovac”. . Aktivistët antifashistë ngritën një kallëzim penal për Sedlar në korrik 2016, duke pretenduar se filmi shkaktonte “nxitje publike për dhunë dhe urrejtje”.
Sedlar u përgjigj se ai nuk kishte ndërmend të fyente viktimat e Jasenovacit ose të ndryshonte historinë, por vetëm të trajtonte gënjeshtrat anti-kroate që ishin përjetësuar nga përkrahësit e një “Serbie të Madhe”. Ai ka pohuar vazhdimisht se nuk i ka mohuar krimet ustashe në Jasenovac, por është përpjekur të hedhë dritë mbi krimet e mëvonshme komuniste në kamp. Ai ka këmbëngulur gjithashtu se e ka marrë faqen e parë në dukje të sajuar të gazetës kroate Vjesnik që ai e përdori në film nga “disa mashtrues në Beograd”, por nuk pranoi t'i përmendte ata.
Edhe dokumentarë të tjerë të Sedlar kanë shkaktuar polemika. Në vitin 2018, shumë media dhe agjenci fotografike njoftuan padi kundër Sedlar për përdorim të paautorizuar të materialeve të tyre në dokumentarin e tij “Njëqind vjet terror serb në Kroaci 1918-2018”.
Në vitin 2020, Kongresi Botëror Hebre e akuzoi Sedlar-in për shtrembërim të së vërtetës rreth Holokaustit në dokumentarin e tij të vitit 2019 “The Hug of Destiny”, duke përshkruar sesi shqiptarët ndihmuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kongresi Botëror Hebre pretendoi se Sedlar “përdori tragjedinë hebreje për të promovuar një axhendë të caktuar politike”.
Sedlar ka përdorur gjithashtu filmat e tij për të promovuar fushatat e tij kundër figurave publike, intelektualëve dhe zyrtarëve të kulturës. Dokumentarët e tij të fundit duken si video konspirative në YouTube, duke përdorur manipulime dhe duke shtrembëruar të vërtetën për të luftuar kundërshtarët dhe producentët politikë dhe ideologjikë, të cilët ai beson se i kanë bërë keq atij, ndërkohë që çon para idetë e vjetruara nacionaliste, të cilat edhe shteti tani i kundërshton.
Sedlar ka punësuar në mënyrë të përsëritur aktorë të njohur amerikanë në përpjekjet e tij për të fituar audiencë për projektet e tij jashtë vendit – por Kevin Spacey do të bëjë shumë pak për ta shpëtuar reputacionin e tij duke luajtur në një film që mund ta bëjë filmin e Oliver Stone “Qazaq: Historia e Njeriut të Artë” , i cili flet për ish-iderin e Kazakistanit Nursultan Nazarbayev, të ngjajë si një dokumentar i paanshëm.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.