Analize5 Dec 2018

Financimi i bashkëpunimit ndërkombëtar

Bota e ditëve të sotme duhet të luftojë ndryshime klimatike, të menaxhojë rritjen e numrit të emigrantëve dhe të përballet me një sërë kërcënimesh të tjera ndaj paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Megjithatë, për shkak se taksat dhe shpenzimet janë kryesisht në nivel kombëtar dhe lokal, nevojat që duhet të trajtohen në nivel global dhe rajonal po bëhen gjithnjë e më pak të paplotësuara.

Autor: Jeffrey D. Sachs Project Syndicate Nju Jork
Printo

Foto ilustruese Pixabay.

Sot sigurimi i mallrave dhe shërbimeve publike në nivel global dhe rajonal është në mënyrë të rrezikshme joadekuat. Sistemi i Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Europian dhe organizatat e tjera multilaterale janë nën një stres të madh, sepse buxhetet e tyre janë të pamjaftueshme për të përmbushur përgjegjësitë e tyre.

Ndërsa disa ideologë të tregut të lirë ende mund të argumentojnë se korporatat e motivuara nga fitimi duhet të udhëheqin botën pa qeveri, eksperienca vërteton të kundërtën. Qeveritë janë thelbësore për të siguruar qasje universale në shërbimet jetësore siç janë shëndeti dhe arsimi; infrastrukturë siç janë autostradat, hekurudhat dhe rrjeti i energjisë elektrike; dhe financim për kërkime shkencore dhe teknologji të hershme. Qeveritë gjithashtu duhet të tatojnë të pasurit dhe t’i transferojnë të ardhurat për të varfrit. Përndryshe shoqëritë tona do të bëhen të rrezikshme, të pabarabarta, të padrejta dhe të paqëndrueshme – siç po ndodh sot në SHBA.

Qeveritë në vendet e suksesshme me të ardhura të larta mbledhin të paktën 25% të të ardhurave kombëtare në taksa për të kryer këto funksione. Në ekonomitë më të suksesshme në botë, sidomos në demokracitë sociale të Europës Veriore, qeveritë tatojnë rreth 50% të të ardhurave kombëtare. Ata i përdorin këto të ardhura për tre funksione vitale: shërbimet publike, investimet publike dhe transferojnë pagesat nga të pasurit në të varfrit.

Këto tre funksione publike nevojiten urgjentisht përtej nivelit kombëtar. Grupet e vendeve fqinje – si BE-ja dhe Bashkimi Afrikan (BA) – kanë nevojë për shërbime publike, investime publike dhe transferim pagesash që kapërcejnë kufijtë kombëtarë dhe që shpesh përfshijnë dhjetëra vende në të njëjtën kohë. Grupet rajonale kanë nevojë për buxhetet adekuate rajonale për të kryer funksionet e tyre jetësore. Në të njëjtën mënyrë, OKB-ja në tërësi ka nevojë për një buxhet adekuat për të financuar përpjekjet globale për të luftuar ndryshimet klimatike, për të mbrojtur oqeanet, për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme, për të kundërshtuar përhapjen bërthamore dhe për të ndaluar konfliktet lokale nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së përpara se ato të shndërrohen në katastrofa globale.

BE-ja, BA-ja dhe grupet e tjera rajonale duhet të ndërtojnë rrjetet rajonale të energjisë të bazuara në energji të rinovueshme (si era, energjia diellore dhe hidrocentralet) në vend të lëndëve djegëse fosile. Këto grupe duhet gjithashtu të transferojnë fonde nga rajonet më të pasura në rajonet më të varfra për të zhdukur xhepat e varfërisë së vazhdueshme. Dhe ata duhet të mbrojnë natyrën përtej kufijve dhe të investojnë shumë më tepër në shkencë dhe teknologji për të përfituar nga revolucioni dixhital.

Megjithatë, burimet buxhetore të disponueshme për një bashkëpunim të tillë shumëpalësh janë të pakta. Ndërsa shumë shtete anëtare të BE-së tatojnë të paktën 25% të të ardhurave kombëtare për shpenzimet publike në nivel kombëtar dhe lokal, fondet në dispozicion për buxhetin e BE-së janë vetëm 1% e të ardhurave të kombinuara të vendeve anëtare. Disa fonde shtesë janë të disponueshmë nëpërmjet Bankës Europiane të Investimeve, por kjo është për projektet e investimeve që mund të financohen në baza tregu.

Arsyeja për mungesën e fondeve është e qartë. Taksat janë nën juridiksionin e qeverive kombëtare dhe lokale, të cilat me xhelozi ruajnë prerogativat e tyre tatimore. Qeveritë kombëtare ranë dakord të transferojnë vetëm 1% të të ardhurave kombëtare në Bruksel për qëllime të BE-së.

Rezultati është një BE me aspirata shumë të mëdha dhe një buxhet shumë të vogël operativ. Më keq akoma, nacionalistët në Evropë (si mbështetësit e Brexit të Mbretërisë së Bashkuar) pohojnë se buxheti i BE-së është shumë i madh dhe jo shumë i vogël. Asnjë vend nuk mund të mbajë veten e tij me vetëm 1% të të ardhurave kombëtare. Dhe mund të ndodhë që edhe BE-ja mund të mos jetë në gjendje të mbajë veten e saj me një buxhet kaq të vogël. Shërbimet publike, investimet dhe transferimet në mbarë BE-në janë një pjesë e vogël e asaj që nevojitet për të pasur një union vërtet efikas.

Situata është edhe më e tmerrshme në nivel global. Buxheti i rregullt i OKB-së është vetëm 2.7 miliardë dollarë në vit, ose vetëm 0.003% e të ardhurave totale prej 90 trilionë dollarësh në botë. Të ardhurat totale vjetore të saj, duke përfshirë kontributet shtesë të shteteve anëtare për operacionet paqeruajtëse dhe humanitare, janë rreth 50 miliardë dollarë, ose 0.06% të të ardhurave botërore – një pjesë shumë e vogël e nevojës reale. Shtetet anëtare të OKB-së me të drejtë miratojnë masa të guximshme siç janë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Marrëveshja e Klimës së Parisit, por ende nuk kanë mjetet financiare për t’i vënë ato në zbatim.

Edhe pse buxheti i OKB-së është i vogël, qeveria amerikane në mënyrë rutinë e sulmon institucionin si të fryrë dhe tepër të shtrenjtë. SHBA paguan rreth 22% të buxhetit të rregullt vjetor prej 2.7 miliardë dollarë, ose rreth 600 milionë dollarë çdo vit, por kjo është më pak se 2 dollarë për çdo amerikan! Duke shtuar pagesat paqeruajtëse dhe të tjera, kontributi i përgjithshëm vjetor i SHBA-së në vit shkon në rreth 10 miliardë dollarë, ose rreth 30 dollarë për kokë. Duke qenë kaq dorështrënguar, SHBA-ja dëmton veten e saj. Kostot përfundimtare për SHBA-në, dhe botën, për investime kronike në nevojat globale mund të bien në dhjetëra miliarda dollarë.

Përveç pagesave përmes Kombeve të Bashkuara, vendet me të ardhura të larta bëjnë pagesa direkte për vendet e varfra në formën e ndihmës zyrtare për zhvillim. Ndihma zyrtare në zhvillim (ODA) neto e kombinuar arrin në rreth 150 miliardë dollarë çdo vit, ose vetëm 0.31% e të ardhurave të vendeve donatore, krahasuar me 0.7% të të ardhurave të premtuara për ODA. Për shkak se këto transferime globale janë kaq të vogla, varfëria e skajshme vazhdon të ekzistojë në një botë me bollëk. Dhe angazhimet afatgjata të vendeve të pasura për t’u siguruar vendeve të varfra të paktën 100 miliardë dollarë në vit në financime që kanë lidhje me klimën janë ende të paplotësuara.

Bota duhet të marrë seriozisht  lidhjen e parave multilaterale me nevojat multilaterale. BE-ja duhet të dyfishojë shpejt buxhetin e saj në 2% të të ardhurave të BE-së, madje akoma edhe më shumë me kalimin e kohës. Gjithashtu, bota duhet t’i përkushtojë të paktën 2% të të ardhurave botërore në mallra dhe shërbime publike globale për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme, për të luftuar ndryshimet klimatike, për të mbrojtur natyrën, për të shpëtuar miliona njerëz të varfër nga vdekjet e parakohshme, për të siguruar arsimim për të gjithë fëmijët dhe për të ruajtur paqen në të gjithë Kombet e Bashkuara.

Ka ardhur koha të mendojmë për taksa të reja globale – mbi të ardhurat e korporatave, llogaritë offshore, transaksionet financiare ndërkombëtare, pasurinë neto të miliarderëve dhe ndotjen – për të paguar për një botë të stresuar. Me kreativitet, bashkëpunim dhe largpamje, ne mund të mobilizojmë të ardhura të reja për ta kthyer pasurinë tonë të madhe globale në mirëqenie të qëndrueshme për të gjithë.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate.  Financing International Cooperation