Gjatë vitit 2017, bankat e nivelit të dytë në Shqipëri realizuan fitime rekord prej 22 miliardë lekësh, pavarësisht se aktiviteti kryesor i bankave, pranimi i depozitave dhe dhënia e kredive mbetën në stanjacion në krahasim me vitin 2016.
Sistemi bankar shqiptar realizoi fitime neto prej 22.1 miliardë lekësh ose mbi dy herë më shumë se sa në vitin 2016, ku shumica dërrmuese e fitimeve u furnizuan nga ulja e nevojës për provigjione për kredi të këqija. Fitimet neto prej 22.1 miliardë lekësh janë më të lartat e shënuara ndonjëherë në historinë e shkurtër të bankingut shqiptar dhe janë të barabarta më një kthim mbi asetet prej 1.5% dhe normë kthimi mbi kapitalin aksioner prej 15.7%. Të dhënat u publikuan të mërkurën nga Banka e Shqipërisë dhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
Kreditë në stanjacion, interesat në rënie
Interesat e kredive në Shqipëri janë në nivelin më të ulët të shënuar që nga koha kur Shqipëria filloi të ketë kredidhënie bankare dy dekada më parë, megjithatë, portofoli i përgjithshëm i kredive të dhëna në fund të vitit 2017 është 600 miliardë lekë (afro 4.5 miliardë euro) dhe pothuajse i pandryshuar në krahasim me vitin 2016. Volumi i kredisë për ekonominë ka qenë në stanjacion tashmë prej vitesh, për shkak se bankave iu desh të klasifikonin si të humbura një pjesë të konsiderueshme të kredive të dhëna më parë. Duke reflektuar faktin që kreditë për biznese kanë pasur normë moskthimi më të lartë se sa kreditë për familjet, gjatë vitit 2017, kredia për korporatat ka rënë me 2% ndërsa kreditë për individët u rritën me 5.5%.
Të ardhurat nga interesi ranë me 3.8%, ndërsa shpenzimet për interesa ranë me 16% gjë që i mundësoi bankave të mbanin pothuajse të pandryshuara të ardhurat neto nga interesi, të cilat ishin në masën 44.2 miliardë lekë. Pavarësisht vështirësive të mëdha ekonomike të shqiptarëve gjatë viteve të fundit, bankat kanë pasur mundësi që të ulin interesat e dhëna për depozitat në masë më të madhe se sa ulja e interesave të kredive. Kështu, interesat e paguara nga bankat ranë nga 14.4 miliardë lekë në vitin 2015 në 10.8 miliardë më 2016. Marzhi i fitimit bruto nga interesat u rrit në 83% në vitin 2017, gjë që do të thotë se bankat mesatarisht për çdo lek interes të paguar për depozitat kanë fituar më shumë se 4 lekë interesa nga kreditë dhe letrat me vlerë. Marzhi i fitimit bruto ishte rreth 50% gjatë viteve 2003-2013 ndërsa u rrit me shpejtësi në tre vitet e fundit.
Lehtësia me të cilën bankat ulin koston e mbajtjes së depozitave i ka mundësuar atyre të rrisin fitimet në një kohë kur kredia ka qëndruar në stanjacion.