Zyrtarisht, borxhi publik u ul në 69.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2017, nga 72% që ishte më 2016. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se qeveria nuk ka llogaritur si borxh mbi 200 milionë euro detyrime të prapambetura.
Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri thirrje për konsolidim më të shpejtë të financave publike dhe reduktim më të madh të borxhit publik të Shqipërisë duke theksuar se gjatë vitit të kaluar, qeveria shqiptare nuk ka llogaritur si borxh rreth 200 milionë euro detyrime të prapambetura.
Pavarësisht se një nga argumentet kryesore të qeverisë aktuale gjatë viteve të fundit kanë qenë detyrimet e prapambetura të lëna nga qeveria paraardhëse kur socialistët morën pushtetin më 2013, në vitin 2017, sipas vlerësimeve të FMN-së, qeveria ka akumuluar rreth 1.8% të PBB-së, ose mbi 200 milionë euro detyrime të pashlyera. Nga këto, vetëm gjatë vitit 2017, janë akumuluar mbi 100 milionë euro
“Zbatimi më i fortë i angazhimeve buxhetore ka rëndësi kyçe për parandalimin e akumulimit të detyrimeve të prapambetura. Detyrime të paparashikuara në buxhetin afatmesëm dhe të mosrimbursimeve në kohë të tatimit mbi vlerën e shtuar kanë krijuar detyrime të reja të prapambetura në masën 0.9 për qind të PBB-së më 2018 (nga të cilat 0.7% të PBB janë rimbursime të TVSH-së) dhe këto duhet të zgjidhen me shpejtësi,” thuhet në deklaratën e FMN për përmbylljen e bisedimeve konsultative me qeverinë shqiptare të zhvilluara gjatë javës së kaluar.
FMN nuk është gjithashtu dakord me statistikat e qeverisë [link], në të cilat, borxhi publik i Shqipërisë vlerësohet në 1 trilonë e 87 miliardë lekë, e barabartë kjo me 69,9% të PBB-së. FMN vlerëson se në këtë borxh duhet të përfshihen së paku edhe ekujvalenti i 1.8% të PBB-së detyrime të prapambetura, gjë që e rrit borxhin publik në 71.2% të PBB-së. Diferenca e barazvlefshme me 200 milionë euro është problematike nga njëra anë për shkak se këto shpenzime nuk janë parashikuar në buxhetin e shtetit të këtij viti dhe nga ana tjetër sepse devijojnë programin e përgjithshëm afatmesëm të qeverisë për reduktimin e barrës së borxhit publik si përqindje e PBB-së. Plani aktual është ulja graduale deri në 60% të PBB-së në vitin 2021. FMN ka shprehur prej kohësh skepticizëm për hipotezat kryesore mbi të cilat bazohet parashikimi për uljen e borxhit. Sipas saj, kursimet më të mëdha në drejtim të uljes së borxhit si përqindje e PBB-së anojnë vetëm nga fundi i periudhës, pra vitet 2020 dhe 2021, të cilat pritet të jenë vite elektorale, kohë gjatë së cilës zakonisht qeveritë shqiptare janë treguar dorëshpuara.
Për këtë arsye, FMN kërkon “konsolidim fiskal më të shpejtë për të krijuar hapësira për politika”.
“Duke marrë parasysh nivelin e lartë të borxhit publik (71.2% e PBB-së në vitin 2017 ku përfshihen edhe detyrimet e prapambetura të qeverisë qendrore dhe qeverive vendore në masën 1.8% të PBB-së), një goditje negative, e tillë si ngadalësim i rritjes ekonomike i kombinuar me prime më të larta rreziku apo zhvlerësim të kursit të këmbimit…. mund të ndikohë negativisht në qëndrueshmërinë e borxhit dhe të jashme, duke bërë të domosdoshme përshtatje fiskale të forta”, thotë FMN, e cila supozon se fuqizimi i të ardhurave të buxhetit të shtetit është mënyrë më e vlefshme për të reduktuar borxhin se sa ulja e shpenzimeve.