Lajm12 Oct 2021

FMN rekomandon rritje të të ardhurave nga taksat dhe transparencë shpenzimesh

Fondi Monetar Ndërkombëtar i sugjeroi Shqipërisë të përpiqet të ulë borxhin publik dhe deficitin buxhetor “shumë të lartë” përmes një kombinimi të rritjes së të ardhurave buxhetore nga taksat dhe përmirësimit të eficencës së shpenzimeve buxhetore përmes “rritjes së transparencës”.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Selia e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington. Foto Kortezi: Javier Ignacio Acuña Ditzel/Flickr

Fondi Monetar Ndërkombëtar kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për një “deficit më të lartë nga sa duhej” për vitin 2021 ndërsa rekomandoi që të përdorë mundësinë e krijuar nga rimëkëmbja e pritshme ekonomike për të kursyer dhe ulur borxhin publik në mënyrë që vendi të jetë i përgatitur për kriza të tjera në të ardhmen.

Ekspertët e FMN-së kryen bisedime gjatë ditëve të fundit me autoritetet shqiptare në kuadër të konsultimeve për nenin 4 të marrëveshjes së anëtarësimit në FMN, konsultime në të cilat ekspertët analizojnë zhvillimet kryesore makroekonomike, treguesit e buxhetit të shtetit dhe të borxhit publik.

FMN kritikoi në veçanti programin e qeverisë së Edi Ramës për koncesione, duke i konsideruar si instrumente që “nuk kanë transparencë”, kanë tejkalime në kosto dhe përdoren për të shmangur kufizimet mbi deficitin buxhetor duke krijuar në praktikë borxhe të padeklaruara.

“Rritja e shpejtë e stokut të PPP-ve – të cilat pritet të arrijnë në 50% të PBB-së në vitin 2021 nga 335 në 2018 – kërkon përpjekje të dyfishta për të fuziuar menaxhimin e investimeve publike,” thuhet në deklaratën e FMN-së.

“Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e transparencës mbi kostot dhe tejkalimet në afate apo mosrespektim të proceseve ekzistuese të përzgjedhjes dhe miratimit, përfshirë rastet kur PPP-të përdoren për të anashkaluar tavanet buxhetore afatmesme,” vijon më tej deklarata.

FMN konsideron gjithashtu si “sfidë kryesore” gjetjen e të dhënave mbi ekspozimin real të qeverisë ndaj PPP-ve.

FMN kritikoi gjithashtu praktikën e zakonshme të qeverive shqiptare përgjatë dy dekadave të fundit për të kryer ndryshime në ligjin e Buxhetit të Shteti përmes Akteve Normative, si instrumente që shmangin transparencën dhe llogaridhënien.

Shqipëria ka dy sfida, sipas FMN-së: të investojë me efikasitet në burime njerëzore dhe në ekonomi për të ushqyer zhvillimin e vendit dhe të rikrijojë hapësirë për manovrim fiskal duke ulur deficitin buxhetor dhe borxhin publik në raport me PBB-në. Për të realizuar që të dyja këto, sipas FMN-së, nevojitet një “strategji ambicioze për të rritur të ardhurat nga taksat dhe për të përmirësuar transprencën dhe cilësinë e shpenzimeve publike.”

Borxhi publik i Shqipërisë është aktualisht afro 80% e PBB-së ndërsa FMN sugjeron se ai do të duhet të ulet në 65% të PBB-së brenda vitit 2026. Një objektiv i tillë kërkon kursime buxhetore të konsiderueshme, të cilat mund të pengojnë rritjen ekonomike në rast se nuk shoqërohen me rritje në të ardhurat buxhetore. Shqipëria ka aktualisht një nga nivelet më të ulëra të të ardhurave buxhetore në raport me PBB-në në kontinent pavarësisht se barra teorike fiskale është e konsiderueshme.

Qeveria ka premtuar shumë herë rritje të të ardhurave përmes luftës kundër evazionit fiskal por këto nisma kanë rezultuar më shumë propagandistike se sa me efekt real në të ardhurat buxhetore. Në të shkuarën, rritja e të ardhurave buxhetore ka kaluar gjithmonë përmes rritjes së taksave.

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sakaq një rritje tjetër taksash në janar përmes të ashtuquajturës “pagë minimale.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *