Analize20 Feb 2019

“Forca e Ligjit,” shqiptare apo e huaj?

Autoritetet shqiptare i kanë trumbetuar sukseset e operacionit ‘Forca e Ligjit’ si tregues të vendosmërisë për të luftuar krimin e organizuar, por një vëzhgim nga afër tregon se suksesi i këtij operacioni është lidhur ngushtë me hetime të iniciuara ose në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, duke nënvizuar dobësitë e organeve ligjzbatuese shqiptare.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Furgona te policise, duke hyre ne Gjykaten e Krimeve te Renda e cila ka vendosur te rikonfiroje e masen e sigurise “arrest me burg”; per te dyshuarit si anetare te grupit Bajri.

Në orët e pasdites së 17 tetorit, një grup oficerësh të maskuar të Forcës Operacionale të Policisë së Shtetit, u futën me pistoleta në duar në një dhomë hoteli në zonën e Linzës në periferi të Tiranës, duke prangosur 31 vjeçarin Arkimed Lushaj që qëndronte i shtrirë, gjysmë i zhveshur mbi krevat.

I njohur gjithashtu me emrin e artit ‘Stresi’, këngëtari i rrymës ‘hip-hop’ ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Tiranës për armëmbajtje pa leje dhe gjatë arrestimin iu gjet një pistoletë model ‘Berreta’ dhe një dozë kokaine.

“Ndalimi i këtij shtetasit u bë pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”,” deklaroi Policia e Shtetit në një komunikatë për median.

Arrestimi i reperit është një nga 23 aksionet policore të realizuara nga nëntori 2017 në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’ – një njësi speciale e krijuar nga Ministria e Brendshme, e përbërë nga disa agjenci ligjzbatuese,  që ka si qëllim luftën kundër krimit të organizuar, duke shënjestruar grupet kriminale që janë identifikuar dhe operojnë në Shqipëri.

Qeveria e ka prezantuar operacionin ‘Forca e Ligjit’ si një sukses të madh, duke iu referuar numrit të grupeve kriminale të goditura dhe asetet prej miliona euro të sekuestruara. Megjithatë, një analizë e detajuar e hetimeve të realizuara nga kjo task-forcë speciale e ndërmarrë nga BIRN, tregon që suksesi i saj është lidhur ngushtë me hetime ose operacione policore të iniciuara nga partnerë dhe organe ligjzbatuese ndërkombëtare.

Sipas ekspertëve të sigurisë ky fakt nuk është për tu çuditur, pasi dobësia për veprime hetimore komplekse e Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit është handikap i trashëguar dhe rezultatet e përziera të operacionit ‘Forca e Ligjit’, thjeshtë e vënë në pah këtë realitet.

Skeptike ndaj task-forcës është shprehur edhe opozita, e cila ka nënvizuar se policia e shtetit nuk ka arrestuar peshqit e mëdhenj të krimit ose nuk ka vepruar ndaj kriminelëve që sipas tyre janë të lidhur me Partinë Socialiste në pushtet.

41 grupe kriminale

Në nëntor 2017, nën udhëheqjen e ish Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, një numër institucionesh shtetërore krijuan një task-forcë speciale kundër krimit të organizuar. Kjo njësi për luftën kundër krimit të organizuar, përbëhet nga përfaqësues të disa institucioneve, përkatësisht nga: Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Shërbimi Informativ Shtetëror, Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Shërbimi për Çështje të Brendshme dhe Ankesa.

Misioni i kësaj njësie është drejtimi, koordinimi, lehtësimi dhe monitorimi i zbatimit të objektivave në luftën kundër krimit të organizuar. Task Forca mbështetet gjithashtu nga disa ekspertë të huaj, nga FBI, Zyra Federale e Policisë Kriminale të Gjermanisë, Koordinatorja e Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Brendshme Britanike,  dy ekspertë të posaçëm të Guardia di Finanza dhe Interforcës. Kjo njësi speciale ndahet në një njësi qendrore dhe 11 task-forca rajonale në rrethet kryesore të vendit.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia e Shtetit, në periudhën nëntor 2017-shtator 2019 kjo njësi arriti të identifikonte dhe të skedonte 41 grupe kriminale që operojnë në Shqipëri, të organizonte operacione policore kundër 9 prej tyre dhe të bllokonte asete të krimit të organizuar me vlerë mbi 16 milionë euro.

Megjithatë, të para nga afër, të dhënat tregojnë që operacionet më të mëdha të ndërmarra nga kjo njësi e krimit të organizuar për goditjen e grupeve kriminale dhe vënien nën sekuestro preventive të aseteve të tyre, e kanë fillin kryesisht tek bashkëpunimi ndërkombëtar, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e organeve ligjzbatuese shqiptare për ndërmarrë hetime proaktive kundër krimit të organizuar – një nga kushtet e Brukselit për hapjen e negociatave me Bashkimin  Europian.

Të dhënat e analizuara nga BIRN, tregojnë që nga nëntori 2017 deri në dhjetor 2018, kjo njësi e re kundër krimit të organizuar ndërmori gjithsej 23 operacione policore, duke arrestuar 135 të dyshuar dhe duke shpallur 22 të tjerë në kërkim.

Nga 23 operacione policore të ndërmarra nga njësia qendrore e task-forcës dhe 11 njësitë vendore të saj, 3 janë operacione ndërkombëtare, 6 sekuestro preventive të bazuara nga ligjin anti-mafia të aseteve të qytetarëve shqiptarë të arrestuar për krim të organizuar jashtë vendit dhe 14 operacione vendore.

Megjithatë, nga 135 të arrestuarit nga njësia task-forcë, 68 të dyshuar ose 50% e tyre janë arrestuar si pjesë e tre operacioneve ndërkombëtare të ndërmarrë në partneritet me një duzinë agjencish ligjzbatuese ndërkombëtare në vende partnere.

Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit të analizuara nga BIRN, tregojnë se nga operacionet ‘Forca e Ligjit’ nga nëntori 2017 deri në dhjetor 2018, u vendos sekuestro preventive mbi 4 hotele, 3 kompani, 2 lokale, 2 dyqane, 48 apartamente ose njësi shërbimi, 4 garazhe, 7 automjete, 3 toka truall me sipërfaqe totale 29,110 m2 dhe një tokë arë pemishte me sipërfaqe  15,500 m2. Këto asete, të cilat sipas policisë kanë një vlerë mbi 16 milionë euro, janë kryesisht prona të qytetarëve shqiptarë të arrestuar nga vende të BE-së për trafik narkotikësh dhe aktivitete të tjera kriminale.

Hetimet ndërkombëtare

Operacioni me numrin më të madh të arrestuarve, i koduar me emrin ‘One if by Land’, solli ndalimin e 39 të dyshuarve si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe shpalljen në kërkim të 12 të tjerëve, të akuzuar për kontrabandimin e personave për qëllim emigrimi drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Operacioni i udhëhequr nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Policia e Shtetit, u organizua në bashkëpunim  me agjentët specialë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë të Departamentit të Shtetit në SHBA,  Agjencia e Shërbimeve Kufitare të Kanadasë, SELEC, EUROPOL, Interpol, Policia e Kosovës, Policia Kombëtare Spanjolle, Policia Franceze dhe Policia italiane.

Një tjetër operacion i rëndësishëm i task-forcës, operacioni i koduar me emrin ‘Precizioni’ i zhvilluar në partneritet me autoritetet policore Turke dhe Greke, solli ndalimin e 18 të arrestuarve pjesë të një grupi kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Katër nga të dyshuarit – përfshirë dhe kreu i organizatës Met Kanani janë arrestuar në Turqi, ndërkohë pjesëtare të kësaj organizate janë arrestuar më parë në Greqi dhe një tjetër ndodhet në burg në Maqedoni.

Gjithashtu i rëndësishëm ka qenë operacioni i organizuara nga task-forca në bashkëpunim me autoritetet kroate, gjermane dhe hollandeze  kundër të ashtuquajturit grupi kriminal ‘Bajri’, i cili solli 11 të arrestuar si të dyshuar si anëtarë të organizatës kriminale dhe shpalljen e 2 të tjerëve në kërkim. Dy prej të dyshuarve u ndaluan në qytetin e Roterdamit në Hollandë, ndërsa të tjerët në Shkodër dhe Tiranë.

Sipas Arjan Dyrmishit, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, diferenca midis operacioneve me bashkëpunim ndërkombëtar në krahasim me ato me iniciative vendore, vë theksin mbi dobësitë e institucioneve shqiptare.

“Ky është një problem që ka ekzistuar gjithmonë dhe nuk shoh që ka një hap cilësor nga ky operacion në këtë drejtim,” tha Dyrmishi. “Sigurimi i provës në Shqipëri është i dobët dhe prokuroria jonë nuk është që ka investigues që kanë nuhatjen të ndjekin gjurmët e organizatave  kriminale, por bazohet në procedurë,” shtoi ai, duke ju referuar organit të akuzës si një ‘prokurori sovjetike.’

Sipas Dyrmishit në Shqipëri ka dhe probleme për sa i përket bashkëpunimit ndërinstitucional midis prokurorisë dhe policisë, një tjetër problem që ka penguar goditjet e efektshme ndaj krimit të organizuar.

“Hetimet që vijnë nga jashtë janë më të qepura,” tha ai. “Ne nuk jemi në nivelin që të kemi goditje gjithëpërfshirëse ndaj grupeve kriminale,” përfundoi Dyrmishi.