Vite pasi Franca dhe Gjermania vepruan sipas mënyrës së tyre, të dy vendet janë bashkuar më në fund për të rinovuar partneritetin e tyre të pasluftës. Por tani ata duhet të shkojnë shumë më tej, duke zhvilluar një strategji të re inovacioni, sigurie dhe qeverisjeje për ta sjellë ekonominë europiane në shekullin e 21-të.
Në fund të muajit të kaluar, 56 vjet pasi presidenti francez Charles de Gaulle dhe kancelari gjerman Konrad Adenauer nënshkruan Traktatin e Elizes, liderët aktualë të Francës dhe Gjermanisë u takuan në Ahen, kryeqyteti historik i Europës, për të nënshkruar një pakt të ri bashkëpunimi.
Traktati i ri i Ahenit duhet të mirëpritet nga të gjithë europianët. Pavarësisht vështirësive të tyre të brendshme politike dhe në mes të ngadalësimit të rritjes europiane dhe kaosit të Brexit, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel u mblodhën për të ripohuar mirëkuptimin reciprok të vendeve të tyre. Marrëveshja parashtron bazat për një këshill ekonomik të ri franko-gjerman, si dhe bashkëpunim më të ngushtë për sigurinë dhe mbrojtjen.
Megjithatë, është për të ardhur keq që 28 nenet e Traktatit janë shumë të paqarta.
Është absolutisht e domosdoshme që ky tekst të shoqërohet me një metodë të re, të përshtatur me botën aktuale në të cilën jetojmë – një botë ku politika nuk zhvillohet më në debatet e mbytura të takimeve ministrore ose midis komunikimeve të ndërlikuara. Përfshirja e vërtetë nga shoqëria civile është e vetmja mënyrë për të stimuluar dy qeveri në vështirësi dhe për të kapërcyer konservatorizmin e tyre.
Në fund të fundit, kemi hyrë në një epokë në të cilën shpejtësia, madje më shumë sesa paraja, përcakton rrjedhën e ngjarjeve dhe ku aftësia për eksperimentim në të gjithë sektorët është një faktor thelbësor për suksesin. Në ekonominë e sotme, pjesa më e madhe e pasurisë së krijuar rishtazi shtohet për ata që inovojnë më shpejtë.
Shumica e europianëve nuk mund ta kuptojnë, por Bashkimi Europian ka ndarë më shumë para për hulumtim dhe inovacion – nëpërmjet programit Horizon 2020 prej 77 miliardë eurosh- sesa Agjencia e Mbrojtjes së Projekteve Hulumtuese të Avancuara e Shteteve të Bashkuara, DARPA, ka bërë në 60 vitet e fundit (55 miliardë dollarë). Megjithatë, ndërsa hulumtimi i DARPA çoi drejtpërdrejt te Interneti (nëpërmjet Arpanet), mikroçiçi, teknologjitë e vjedhjes, GPS, njohja e zërit dhe automjetet autonome, mund të pyesim veten se ku janë risitë e BE-së që ndryshojnë botën. Është e qartë se është metoda ajo që ka rëndësi, jo madhësia e shpenzimeve.
Ne europianët mund të mendojmë se po ruajmë një pozitë konkurruese sa i përket hulumtimit, edhe nëse Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë shumë përpara kur bëhet fjalë për krijimin e “njëbrirëshve” dhe monstrave digjitale të së ardhmes. Për fat të keq, ne nuk po e bëjmë. Në Konferencën e fundit për Sistemet e Përpunimit të Informacionit Nervor, Shtetet e Bashkuara kishin 85% të dokumenteve hulumtuese të publikuara mbi inteligjencën artificiale (AI), në krahasim me vetëm 7% që kishin së bashku të gjitha vendet europiane.
Nuk është habi që strategjitë kombëtare të shkëputura dhe të fragmentuara të inovacionit të Europës po mbeten pas. Kur bëhet fjalë për inteligjencën artificiale, madhësia e sasisë së të dhënave është gjithçka, që do të thotë se nismat kombëtare dhe lokale, qofshin franceze apo “AI prodhuar në Gjermani”, janë të pamjaftueshme. Kai-Fu Lee, ish-shefi i Google në Kinë, së fundmi e përshkroi inteligjencën artificiale si një monedhë me vetëm një anë amerikane dhe një kineze. Për shumë njerëz, është sikur Europa nuk ekziston.
Është koha për të ndërmarrë përsëri nismën, hapi i parë është ndryshimi i metodës. As jakobizmi francez as ultra-decentralizimi gjerman nuk janë të përshtatshme për botën e sotme. Për sa kohë që ai do ta vendosë Euopën në pozicion për të ndjekur nisma të reja, Traktati i Ahenit duhet të konsiderohet si një mundësi e mirëpritur për të rivendosur shoqërinë civile europiane jo vetëm si ofruese e ideve politike, por si bashkëpilote për vënie në zbatim.
Për këtë qëllim, shumë masa konkrete mund të vihen menjëherë në zbatim. E para është krijimi i një agjencie të inovacionit që është e hapur për të gjitha shtetet anëtare të BE-së, të orientuara drejt rritjes së hulumtimit dhe zhvillimit dhe të nxitura nga ekosistemi i inovacionit për të siguruar shkathtësi maksimale.
Për më tepër, ne duhet të jemi të guximshëm në aspektin e sigurisë kibernetike, për të mbrojtur infrastrukturën tonë publike dhe sistemet demokratike. Ndryshe nga Rusia dhe SHBA-ja, vendet europiane nuk kanë kapacitet për të “atribuar” dhe për të përcaktuar origjinën e sulmeve kibernetike. Vetëm me një aleancë sigurie kibernetike, shkëmbimi të dhënash dhe koordinim të zbatimit të ligjit Europa mund të rimarrë këtë element thelbësor të sovranitetit të humbur.
Së fundmi, Europa duhet të jetë strategjike për hapësirën, sepse aty do të vendoset gara në komunikime, gjeologji dhe teknologjitë e automjeteve autonome – për të mos përmendur konfliktet ushtarake. Për fat të keq, krijuesi europian i raketave ArianeGroup tashmë është dashur të largojë 25% të stafit të tij për shkak të fiksimit të shteteve europiane për sigurimin e fitimeve afatshkurtra për veten e tyre.
Një mendje ngushtësi e tillë po dëmton aftësinë e Europës për të vepruar. Ne duhet të miratojmë një strategji tërësisht ndryshe dhe më të aftë para se të jetë tepër vonë. Traktati i Ahenit mund të jetë një bazë e mirë, por nevojitet një veprim i guximshëm, i menjëhershëm dhe vendimtar.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. France and Germany Must Change the Game