Lajm5 Jun 2019

Freedom House: Vuçiç “ndjek shembullin e Orbanit” për kontrollin e mediave

Raporti më i fundit i Freedom House thotë se lideri serb Aleksandër Vuçiç po ndjek shembullin e Viktor Orbanit në Hungari, duke konsoliduar pronësinë e mediave në duart e miqve të tij dhe duke i përdorur ato për të njollosur kundërshtarët.

Autor: Maja Zivanovic BIRN Beograd
Printo

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban. Foto: Beta.

Viktor Orban në Hungari dhe Aleksandër Vuçiç në Serbi kanë pasur sukses të madh në eliminimin e gazetarisë kritike në vendet e tyre, duke ndriçuar rrugën për forcat populiste gjetkë, thotë raporti i fundit i Freedom Hpuse i publikuar të mërkurën.

“Të dy udhëheqësit kanë konsoliduar pronësinë e medias në duart e miqve të tyre, duke siguruar që ato ndiqen më gjerësisht të mbështesin qeverinë dhe të hedhin baltë mbi kundërshtarët e saj të perceptuar. Në Hungari, ku procesi ka përparuar shumë më tepër, gati 80 për qind e mediave janë në pronësi të aleatëve qeveritarë,” paralajmëron raporti “Liria dhe Media 2019”.

Autorët thonë se forma të reja të represioni fitojnë terren edhe në shoqëritë e hapura, si dhe në shtetet autoritare, me këtë prirje më të theksuar në Europë, Eurazi dhe Lindjen e Mesme.

“Në Serbi po shohim shembullin kryesor, së bashku me Hungarinë, të një vendi që ka një lider të zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili tani ka përdorur pushtetin e tij për të marrë kontrollin e medias dhe për të transmetuar mesazhin që e mbështet qëndrimin e tij në pushtet,” tha për Zërin e Amerikës Sarah Repucci, Drejtoreshë e Lartë për Hulumtime dhe Analiza për Freedom House.

Raporti vuri në dukje se në Serbi “një mjedis kanosjeje dhe ngacmimi pengon punën e përditshme të gazetarëve”.

Ai nxjerr në pah se autoritetet serbe po përdorin gjithashtu një sërë mjetesh iliberale për të bashkë-zgjedhur mediat, të cilat “përmbajnë një sërë strategjish ligjore, ekstra ligjore dhe ekonomike për të ushtruar presion ndaj mediave kritike dhe për të mbështetur ato miqësore”.

Raporti shton: “Hungaria shërben si shembulli kryesor ku kjo bashkë-zgjedhje e mediave ka qenë e suksesshme. Dhe ndërsa Vuçiç dhe aleatët e tij duhet ende të konsolidojnë kontrollin mbi mediat e e Serbisë, ata po ndjekin hapat e Orbanit.”

Raporti vëren se një sërë privatizimesh të kohëve të fundit në Serbi ka bërë që disa media të përfundojnë në duar pronarësh që janë miqësorë me Partinë Progresive Serbe në pushtet, duke shtuar se një formë akoma më shqetësuese presioni financiar është ngacmimi i mediave nga autoritetet tatimore.

Ai vëren se përplasjet dhe ngacmimet verbale nga politikanët serbë dhe llogaritë në internet janë përhapur gjithandej dhe sulmet nga tabloidet pro-qeveritare ndaj gazetarëve të pavarur ndodhin gjithashtu rregullisht.

“Punonjësit e medias zakonisht quhen ‘tradhtarë’ dhe ‘mercenarë të huaj’,” vëren raporti.

Liderët e Hungarisë dhe të Serbisë janë “mjeshtra të ndërtimit të një narrative të madhe dhe krijimit të një realiteti të ri”, thotë ai.

“Përmbytja e peizazhit mediatik me mesazhet e tyre politike u mundëson atyre që janë në pushtet të dominojnë axhendën politike, të devijojnë diskutimet publike nga çështjet e ndjeshme dhe si përfundim të kontrollojnë dhe manipulojnë sferën publike.”

Në Serbi, shton Freedom House, perspektiva e anëtarësimit në BE, e cila sjell me vete monitorimin gjithnjë e më të rreptë të ligjit, mund të ofrojë ende një shtysë për ndryshim.

Raporti i vlerëson vendet duke filluar nga 0 – që është rezultati më i keq – deri në 4, e cila është rezultati më i mirë.

Ai e vlerëson Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi dhe Serbinë me 2 pikë. Bullgaria, Kroacia dhe Rumania vlerësohen me 3.