Që prej zgjedhjeve federale të Gjermanisë shtatorin e kaluar, është bërë e qartë se sistemi i dikurshëm i qëndrueshëm i partive politike në vend është në rrezik. Ajo që është më e rëndësishme, rrëzimi i mbështetjes për Partinë Social Demokrate do të thotë që Gjermania, së bashku me pjesën tjetër të Europës, mund të shkojë drejt një epoke të re paralize dhe paqëndrueshmërie.
Kriza ekzistenciale e Social Demokratëve Gjerman (SPD) nuk mund të trajtohet më si një krizë tipike partiake. Partia mori vetëm 9.7% të votave në zgjedhjet rajonale në Bavari këtë muaj dhe po zvarritet nga Alternative für Deutschland (AfD) dhe të Gjelbrit në sondazhet e opinionit kombëtar. Me një tjetër zgjedhje të rëndësishme rajonale që po afron shpejt në Hessen, sondazhet tregojnë se SPD-ja do të humbasë akoma më shumë mbështetje, edhe pse jo në mënyrë aq dramatike sa në Bavari.
SPD-ja dhe Bashkimi Kristian Demokratik / Unioni Kristian Social (CDU / CSU) kanë qëndruar si shtylla të dyfishtë të politikës gjermane që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Por me rënien e SPD-së, Gjermania po lëviz nga një sistem de facto dypartiak në një sistem shumë partiak, në të cilin asnjë parti e vetme nuk luan rol dominues.
Konsensusi gjerman i pasluftës po shembet në fusha kryesore – historia (qëndrimet ndaj Luftës së Dytë Botërore), gjeopolitika (qëndrimet ndaj Rusisë), ekonomia (qëndrimet ndaj industrisë automobilistike) dhe etika (qëndrimet ndaj refugjatëve) – dhe kjo reflektohet në thyerjen e skenës politike. Votuesit gjermanë kanë hedhur poshtë “koalicionin e madh” CDU/CSU-SPD. Ndërsa partitë më të vogla që dikur funksiononin si filiale të thjeshta të SPD-së ose CDU/CSU, tani po eklipsojnë yjet e mëparshme.
Për më tepër, ai që dikur ishte “Mynihu i Kuq” tani është kthyer në të Gjelbër. Ndërsa qytete që kanë qenë për një kohë të gjatë bastione të SPD, po kalojnë te të Gjelbrit dhe partitë e tjera më të vogla. Për t’i përkeqësuar akoma më shumë gjërat për SPD-në, profili demografik i elektoratit të saj kryesor përbën një dënim me vdekje. Vetëm 8% e votuesve të SPD-së janë nën moshën 30 vjeçare dhe 54% janë mbi 60 vjeç. Në kontrast me këtë, vetëm 24% e të Gjelbërve janë mbi 60 vjeç. Ndërkohë, Die Linke është bërë gjithnjë e më tërheqëse si për të majtët e rinj ashtu edhe për postkomunistët e moshuar nga ish-Gjermania Lindore.
Ashtu si një sistem dypartiak siguron stabilitet dhe parashikueshmëri, në të njëjtën mënyrë kolapsi i tij mund të kontribuojë në ndryshime radikale sociale. Sipas përkufizimit, rënia e institucionit nënkupton ngritjen e anti-establishmentit, shpesh në formën e populizmit. Që nga viti 2005, SPD-ja ka marrë pjesë si partnere minoritare në tre qeveri të mëdha koalicioni. Si rezultat, ajo është lodhur me status quo-n, edhe pse nuk ka qenë në gjendje të kërkojë meritë të drejtpërdrejtë për sukseset e qeverive të mëparshme.
Diçka e ngjashme ndodhi në Austri, ku Partia Social Demokrate qeverisi ose vetëm ose në lidhje me Partinë Popullore Austriake midis viteve 1971 dhe 1999 (me përjashtim të viteve 1983-1986). Periudha të tilla të gjata të sundimit të koalicionit të madh lejuan që Partia populiste e Lirisë së Austrisë, parti e krahut të djathtë, të paraqitej si një agjent për ndryshim.
Kur kërcënohet një koalicion i madh, anëtarët e tij i zë paniku. Ata që mbështesin linjën e partisë humbasin mbështetjen, siç ka humbur kancelarja gjermane Angela Merkel. Të tjerët bëjnë përpjekje për të përshtatur gjuhën populiste – siç bëri lideri i CSU-së Horst Seehoferhas muajt e fundit – ndërsa të tjerët do të përpiqen të lidhen me platforma të reja politike. Prandaj, Alexander Dobrindt i CSU-së ka premtuar një “revolucion konservativ”, ndërsa Martin Schulz, udhëheqësi i dikurshëm i SPD-së, ka promovuar federalizmin e BE-së.
Sidoqoftë, kur pjesët përbërëse të një koalicioni fillojnë të lëvizin në drejtime të ndryshme, gjërat shpejt shkatërrohen. Megjithatë, vlen të përmendet se ndërkohë që SPD-ja dhe CDU-ja aktualisht po humbasin mbështetjen, idetë e tyre mbeten popullore. Problemi i tyre nuk është se ato nuk kanë ide, por se u mungon kredibiliteti politik.
Ky deficit i kredibilitetit ka krijuar një vakum që do ta mbushin partitë e tjera. Kështu, të Gjelbrit kanë korrur fitore në Bavari duke mbështetur një politikë dyersh të hapura për refugjatët që në të vërtetë ka origjinën nga CDU/SPD. Gjithashtu, AfD-ja ka hequr mantelin e anti-refugjatëve nga CSU-ja dhe Seehoferi, i cili arriti deri në atë pikë sa u përpoq të dëmtonte qeverinë e Merkelit nga brenda ndërsa shërbente si ministër i brendshëm. Ajo që i lidh të gjitha partitë që kanë performuar mirë në zgjedhjet bavareze është se ato kandiduan politikanë që të paktën janë të qëndrueshëm në pikëpamjet e tyre.
Fatkeqësisht për Gjermaninë, sistemet shumë partiake janë përgjithësisht të paqëndrueshme dhe më pak të parashikueshme, gjë që shpjegon se pse çdo vend tjetër europian – Letonia është një shembull aktual – përpiqen vazhdimisht të krijojnë një koalicion qeverisës. Në kushte të tilla, nuk është e pazakontë që të lindin marrëveshje të çuditshme, duke përfshirë koalicionet midis ekstremit të majtë dhe ekstremit të djathtë, siç e kemi parë në Greqi, Itali dhe Sllovaki.
Shpresa më e mirë e Gjermanisë tani është që sistemi i saj shumë partiak i sapoformuar do të pengojë progresin e AfD-së, duke anuluar apelin e saj anti-establishment. AfD do të zërë vendin e saj në të djathtën radikale si një parti mes shumë të tjerash. Mbështetja e saj do të mbetet në 10-20%, por nuk do të shkojë më shumë se aq. Në fakt, kjo ka ndodhur tashmë në Bavari, ku AfD-ja mblodhi 10.2% të votave këtë muaj, më pak sesa 12.4% që mori në zgjedhjet federale të vitit të kaluar.
Një tjetër aspekt pozitiv në një sistem shumë partiak është se kjo mund të çojë në një angazhim më të madh politik. Në rastin e Bavarisë, pjesëmarrja e votuesve u rrit në 72.4% këtë cikël zgjedhor, nga 63.6% që ishte pesë vjet më parë.
Duke parë përpara, Gjermania tani mund të përfundojë me një rotacion qeverish koalicioni të përbëra nga shumë parti. Për shembull, mund të përfytyroni një marrëveshje midis CDU/CSU, Demokratëve të Lirë dhe të Gjelbërve – i ashtuquajturi koalicion i Xhamajkës. Por ky skenar me shumë gjasa do të prodhonte një paralizë politike, sepse politikanët nga partitë konkurruese brenda koalicionit do të nënvlerësonin vazhdimisht njëri-tjetrin, ndërkohë që do të plotësonin vullnetin e popullit. Për më tepër, kancelari – tradicionalisht shumë i fortë në Gjermani – do të jetë gjithnjë më i dobët në një qeveri të përbërë nga shumë parti.
Me shumë gjasa, rënia e dyshes CDU/CSU-SPD do të dëmtojë hegjemoninë gjermane në Europë, edhe nëse asnjë vend tjetër nuk mund ta zëvendësojë Gjermaninë në atë rol. Në të njëjtën kohë, dobësimi i SPD-së do të zvogëlojë fraksionin socialist në Parlamentin Europian, ku një eklips i ngjashëm i qeverisjes dypartiake mund të jetë në lëvizje. Megjithatë, pa shtyllat binjake të Partisë Popullore Europiane dhe Partisë së Socialistëve Europianë, parlamenti nuk do të jetë në gjendje të marrë as vendime të parëndësishme. Me zvetënimin e Gjermanisë dhe SPD-së, kështu do të ndodhë dhe me Europën.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. The End of Germany’s Two-Party System