Pasojat e praktikave si gjymtimi i gjenitaleve femërore dhe martesa në fëmijëri e vajzave nga aspekti shëndetësor dhe i mirëqenies së tyre – dhe fëmijëve të tyre – nuk janë të panjohura. Ç’ka nuk kuptohet mirë janë masat që bëjnë më shumë për të parandaluar praktika të tilla.
Në lotarinë e jetës, lindja vajzë në një vend të varfër është një disavantazh i dyfishtë. Gratë në vendet e varfra kanë gjasat më të mëdha të varfërisë krahasuar me çdo grup tjetër demografik, bashkë me kushtet më të këqija shëndetësore, aksesin më të pakët në arsimim dhe gjasat më të mëdha të të qenët viktimë e dhunës.
Pabarazia gjinore – përmes përjashtimit në vendin e punës dhe pagave më të ulëta – i kushton botës një prapambetje prej 15.5% të PBB. Mohimi i mundësive për gratë në mënyrë që ato të zhvillojnë potencialin e tyre nënkupton që shoqëritë heqin dorë nga kontributi i tyre. Megjithatë realiteti zemërues është që zgjidhjet efektive për të zgjidhur pabarazinë gjinore mund të jenë të vështira për t’u identifikuar.
Në fundin më ekstrem të këtij shfuqizimi janë 30 milionë vajza në rrezik të gjymtimit gjenital (FGM) për dekadën e ardhshme. Procedura është thuajse universale në Somali, Guine, Djibouti, Egjipt, Eritrea, Mali, Sierra Leone dhe Sudan. Organizata Botërore e Shëndetit paralajmëron se gratë e prekura vuajnë nga probleme afatgjata të shëndetit dhe normat më të larta të vdekjeve para lindjes.
Por problemi është më i lehtë për t’u identifikuar se për t’u zgjidhur. Reformat ligjore kanë fare pak ndikim. Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku FGM është ndaluar prej 30 vitesh, asnjë person i vetëm nuk është dënuar me sukses. Shifrat e para të raportuara në korrik, treguan se ishin 5702 raste të reja në Angli nga prilli 2015 deri në mars 2016. Të paktën 18 vajza të vogla dhe të reja ishin subjekt i FGM në Mbretërinë e Bashkuar, që është procedurë më e përdorur në Afrikë.
Ka pasur një rënie të përgjithshme të dominimit të FGM në tre dekadat e fundit. Por jo të gjitha vendet kanë bërë progres. Në fakt, në trendet aktuale, numri i vajzave dhe grave që kalojnë FGM do të rritet ndjeshëm në 15 vitet e ardhshme.
Kjo nuk do të thotë se bamirësitë dhe qeveritë që punojnë në këtë fushë nuk po bëjnë një punë të shkëlqyer. Por duhet të bëjmë studime më cilësore për identifikimin dhe hartimin e programeve efektive.
Martesa në fëmijëri është një tjetër zakon i papranueshëm që i rrëmben vajzave mundësinë. Nga viti 2011 deri në 2020, më shumë se 140 milionë vajza në mbarë botën do të bëhen nuse fëmijë, – përcaktim i Kombeve të Bashkuara për martesën përpara moshës 18 vjeç. Në nëntë vende – Nigeri, Republika Qendrore Afrikane, Çad, Bangladesh, Mali, Guine, Sudani Jugor, Burkina Faso dhe Malaui – UNICEF vlerëson se normat e martesës së fëmijëve janë më të larta se 50%.
Për nuset e reja, efektet janë të thella: nivele të ulëta arsimimi dhe mjetesh jetese, norma më të larta të dhunës në familje, rrezik më i madh i vdekjes gjatë shtatzënisë apo lindjes së fëmijëve dhe norma më të larta vdekshmërie për fëmijët e tyre.
Sa për FGM, ligjet nuk mjaftojnë për të adresuar problemin. Konsideroni Bangladeshin, ku 52% e vajzave janë të martuara kur arrijnë moshën e ligjshme 18 vjeç. Ligje të shumta që ndalojnë martesën në fëmijëri kanë pasojë të pakët, me 18% të vajzave – norma më e lartë në botë – të martuara përpara se të bëjnë 15 vjeç. Programet nga grupet e komunitetit për t’i dhënë adoleshenteve aftësim në jetë dhe trajnime kanë pasur ndikim të kufizuar.
Analiza në Bangladesh nga ekonomistë të Universitetit Duke dhe Laboratori i Veprimit ndaj Varfërisë Abdul Latif Jameel në MIT sugjeron se duke marrë parasysh stimujt financiar vonesa e martesës mund të jetë strategjia më efektive. Vajzat në 20% më të varfër të popullatës globale kanë dy herë më shumë gjasa se ato në 20% më të pasur të martohen herët.
Një program premtues në Bangladeshin jugor i dha vaj për gatim vajzave të pambaruara. Çdo katër muaj, pjesëmarrësit morën katër litra vaj, pas një monitorimi se vajzat ishin ende të pamartuara.
Ky stimul modest funksionoi: vajzat e pjesëmarrësve kishin deri në 30% më pak gjasa të martoheshin përpara moshës 16 vjeçare, duke sjellë përfitime katër herë më të mëdha se kostoja. Në mënyrë premtuese programi gjithashtu përmirësoi arsimimin e vajzave: vajzat e pjesëmarrësve patën 22% më tepër gjasa të qëndronin në shkollë.
Kjo ka rëndësi, sepse një nga objektivat kyç të Objektivave të Zhvillimit Mijëvjeçar, që përfundoi në vitin 2015 ishte eliminimi i pabarazisë në shkollën fillore dhe 9-vjeçare. Progres mjaft i madh u bë në sektorin fillor, por aksesi në 9-vjeçare dhe gjimnaze si dhe në universitet mbetet shumë i pabarabartë. Diferencat në regjistrime në shkollën fillore kanë rënë në të gjitha rajonet, por Afrika Nën-Sahariane, Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut mbeten mbrapa.
Reduktimi i hendekut gjinor në shkollim do të kishte përfitime që do të arrinin edhe në brezin e ardhshëm. Më shumë edukim për vajzat nënkupton shëndet dhe rezultate më të mira ushqimore për fëmijët e tyre.
Si e arrijmë këtë, kjo varion. Ofrimi i uniformave falas në shkolla, për shembull, ndihmon në disa vende por jo kudo. Në Bangladesh, ndërhyrja për pakësimin e martesave në fëmijëri ka pasoja ndihmuese në vazhdimësinë e arsimit 9-vjeçar. Kërkimet e reja tregojnë se globalisht, paratë e shpenzuara për të pakësuar pabarazinë gjinore në arsim sjellin përfitime pesë herë më të mëdha se kostot.
Shumë ide të mira dhe të padiskutueshme për të pakësuar pabarazinë gjinore janë më të vështira për t’u analizuar dhe matur. Sigurimi se gratë kanë të drejta të barabarta për të trashëguar pronën, për të nënshkruar një kontratë, për të regjistruar një biznes apo për të hapur një llogari bankare – të gjitha këto do të kushtonin pak dhe do të kishin përfitime të mëdha. Pavarësisht problemeve me të dhënat, një panel i laureatëve Nobel të kontraktuar nga Konsensusi i Kopenhagenit identifikuan masa të tilla si një nga 19 synimet më të mira të zhvillimit për t’u ndjekur, ku çdo dollar i shpenzuar prodhonte përfitime më shumë se 15 dollarë.
Ne e dimë si të zgjidhim një problem – dhe të kemi të dhëna të mjaftueshme për kostot dhe përfitimet. Më shumë se 225 milionë gra që duan të shmangin shtatzëninë nuk po përdorin metoda të sigurta dhe efektive të planifikimit familjar. Arsyet variojnë nga mungesa e aksesit në informacion apo shërbimeve te mungesa e mbështetjes nga partnerët apo komunitetet e tyre.
Sigurimi i aksesit universal ndaj kontraceptivëve do të kushtonte 3.6 miliardë dollarë, por do të nënkuptonte 150.000 më pak vdekje mëmësore dhe 600.000 jetimë më pak. Për më tepër, dividenti demografik nga pavarësia më e madhe dhe nga më shumë njerëz në forcën punëtore do të nxiste rritje ekonomike. Përfitimet totale janë 120 herë më të mëdha se kostot.
Nuk ka ndreqje të shpejta për pabarazinë gjinore, por një gjë është e qartë: jo të gjitha përpjekjet janë po aq të mira apo të mbështetura nga të dhënat e sigurta. Nga ana morale dhe ekonomike, politikëbërësit duhet të miratojnë ato masa që bëjnë më shumë për të fuqizuar vajzat dhe gratë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate 2017. Ky artikull nuk mund të riprodhohet pa lejen e Project Syndicate. Empowering Girls.