Qeveria e Hungarisë ka publikuar rezultatet e “konsultimit kombëtar” mbi atë që ajo e quan “Plani Soros” për të mbytur vendin te migrantë dhe refugjatë myslimanë. Por një plan i tillë nuk ekziston, ekziston vetëm një fushatë propagande e financuar me paratë e taksapaguesve për të ndihmuar një administratë të korruptuar për të hequr vëmendjen nga dështimi i saj për të përmbushur aspiratat e Hungarisë.
Në tetor, qeveria e Hungarisë dërgoi me postë pyetësorë te të katër milionë familjet e vendit duke pyetur për mendimet e njerëzve mbi shtatë deklarata që përshkruajnë planet e aluduara të mijat për përmbytjen e Europës, dhe Hungarisë në veçanti, me migrantë dhe refugjatë myslimanë. Qeveria ka dhënë shtatë konkluzione mbi atë që ajo e quan “Plani Soros.” Unë i hodha poshtë të gjitha ato bazuar mbi deklaratat e mija të publikuara apo mungesës së çfarëdolloj deklarate të publikuar që mund të mbështesë pretendime të tilla.
Tani, qeveria ka publikuar rezultatet e supozuara të “konsultimit kombëtar” mbi planin tim fantazmë, duke pretenduar se ky ushtrim ishte një sukses i paprecedent. Ia lë në dorë publikut të Hungarisë për të vendosur nëse dhe në çfarë mase shifra e
2,301,463 pjesëmarrësve (nga një popullsi prej 9.8 milionë) është inflacionuar. Duhet të jetë e mundshme të inspektohet lista e atyre që morën pjesë dhe të kontrollohet nëse ata me të vërtetë morën pjesë. Në vend të kësaj, unë dua të përqendrohem në substancën e fushatës.
Konsultimi publik dhe publikimi i rezultateve janë elementët e fundit të një fushate masive propagande që vijon e financuar nga taksapaguesit e Hungarisë në përfitim të një qeverie thellësisht të korruptuar që kërkon të heqë vëmendjen nga dështimi i saj për të plotësuar aspitatat e ligjshme të hungarezëve, në veçanti në arsim dhe kujdes shëndetësor. Fushata nisi gjatë verës me përmbytjen e hapësirës publike me postera që paraqesnin një foto timen nga afër me dhëmbë përjashta me fjalët “Mos lejo që Soros të ketë të qeshurën e fundit.”
Postera të tjerë më paraqesnin mua si mjeshtri i kukullave të politikanëve të opozitës. Siç kanë vënë në dukje shumë të tjerë, e gjithë fushata mbart erën e pagabueshme të anti-Semitizmit.
Qeveria dëshiron t’ju bindë se unë jam një armik i popullit të Hungarisë. Asgjë nuk mund të jetë më larg të vërtetës se sa kjo. Unë hapa fondacionin tim të parë filantropik në Hungari më 1984, kur vendi ishte ende nën dominimin e Bashkimit Sovjetik. Që nga ajo kohë, fondacioni ka dhënë më shumë se 400 milionë për të fuqizuar dhe mbështetur vendin ku unë kam lindur.
Në vitet 1990, ndërsa hungarezët e zakonshëm vuanin tranzicionin nga komunizmi te ekonomia e tregut, fondacioni financoi qumësht falas për fëmijët e shkollave fillore në Budapest dhe furnizoi makineritë e parë me ultratinguj te spitalet e Hungarisë. Më shumë se 3,200 hungarezë morën bursa akademike nga fondacioni. Shumë prej tyre kanë plotësuar studimet e tyre universitare në Universitetin e Europës Qendrore (CEU), të cilin unë e themelova në Budapest në fillim të viteve 1990. CEU tashmë renditet mes 100 universiteteve më të mira të botës në shkencat shoqërore – një arritje mbresëlënëse për një institucion akademik të ri.
Një element tjetër i fushatës së propagandës ka qenë ngatërrimi i kuptimit të “shoqërisë së hapur.” Kështu më lejoni të sqaroj se çfarë kuptoj unë kur e përdor këtë term. Unë nuk nënkuptoj kufij të hapur ndaj migrimit masiv me synimin e shkatërrimit të identitetit të supozuar kristian të Hungarisë, siç pretendon qeveria.
Shoqëria e hapur bazohet në idenë se askush nuk posedon të vërtetën finale, dhe që të jetojmë sëbashku në paqe ne duhet të respektojmë minorancat dhe opinionet e minorancave. Mbi të gjitha, kjo është një shoqëri e bazuar te mendimi kritik dhe te debatet e forta publike mbi politikat publike. Kjo është arsyeja se pse fondacioni im – mes shumë të tjerëve përfshirë Bashkimin Europian – mbështet grupime të tilla si Bashkimi Hungarez për Liritë Civile dhe Komitetin e Helsinkit të Hungarisë, të cilët mbrojnë dhe promovojnë vlerat dhe parimet mbi të cilat është themeluar BE.
Qeveria pretendon gjithashtu se unë kontrolloj institucionet europiane në Bruksel, dhe se unë po përdor këtë për të imponuar famëkeqin “Plan të Sorosit” mbi vendet anëtare të BE-së. Kjo është e pakuptimtë. Vendimet se si duhet të trajtohet kriza e migrimit merren nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë qeverinë e Hungarisë. Sugjerimi ndryshe është fyerje e inteligjencës së popullit të Hungarisë.
Unë kam bindje të forta mbi atë se si Europa dhe pjesa tjetër e botës së zhvilluar duhet t’i përgjigjen krizës së refugjatëve, dhe unë kam qenë advokues i fortë i këtyre bindjeve. Bindjet e mija kanë lindur nga eksperienca personale. Unë mbërrita në Britani nga Hungaria më 1947 si refugjat. Unë nuk kam nxitur kurrë të tjerët të bëhen refugjatë. Prindërit e mi, sëbashku me 200 mijë hungarezë, lanë vendin pas mposhtjes së revolucionit të vitit 1956, dhe ata morën azil në Shtetet e Bashkuara.
Unë i publikova fillimisht idetë e mija mbi krizën e refugjatëve në shtator 2015, dhe i kam rishikuar ato me kalimin e kohës, për shkak se faktet në terren ndryshuan. Më 2015, unë vlerësova se bota e zhvilluar duhet të jetë në gjendje të pranojë së paku 1 milionë refugjatë në vit; më vonë e rishikova këtë shifër botërore në 500 mijë, nga të cilët unë sugjerova se Europa mund të marrë 300 mijë.
Parimi im udhëheqës është që shpërndarja e refugjatëve brenda BE-së duhet të jetë tërësisht vullnetare. Vendet anëtare nuk duhet të detyrohen të pranojnë refugjatë të cilët nuk i duan dhe refugjatët nuk duhet të detyrohen të vendosen në vende ku ata nuk janë të pranuar.
Vendet anëtare që refuzojnë të pranojnë refugjatë mund të bëjnë kontributet e duhura në shumë mënyra të tjera, por kriza e refugjatëve është një problem europian, rrjedhimisht ka nevojë për një zgjidhje europiane, jo 28 zgjidhe të veçanta. Është ky set rekomandimesh për politika të cilat qeveria e Hungarisë qëllimisht i ka mjegulluar dhe etiketuar si “Plani Soros.”
Për fat të keq, BE-ja nuk i ka miratuar idetë e mija, dhe atmosfera politike toksike e krijuar në Hungari (dhe në Poloni) ka reduktuar kapacitetin e Europës për të marrë dhe integruar refugjatë. Unë nuk akuzoj qeveritë e Hungarisë apo Polonisë për refuzimin e pranimit të refugjatëve që ata nuk i duan; por unë i mbaj ato përgjithësisht përgjegjës për pengimin e një zgjidhjeje europiane.
Unë rikujtoj se çfarë ndodhi në Luftën e Dytë Botërore, kur një grup tjetër u bë kokë turku për problemet e Europës. Plagët e të shkuarës kanë lënë gjurmë të thella që nuk janë shëruar ende dhe që tashmë po rihapen. Synimi i vërtetë i fushatës propaganduese të qeverisë është që të shkaktojë frikë dhe urrejtje te populli i Hungarisë dhe për t’i bërë ata indiferentë ndaj vuajtjeve të të tjerëve.
Unë jam i lumtur të raportoj se fushata propaganduese e qeverisë ka qenë një dështim dëshpërues. Pavarësisht përpjekjeve të koordinuara të qeverisë së Hungarisë, publiku nuk u përfshi. Fjalimi im i shkurtër në televizionin hungarez mori më shumë se një milionë shikues, dhe plaftormat e medias shoqërore u përmbytën me mesazhe simpatie dhe mbështetjeje.
Unë jam gëzuar shumë nga kjo përgjigje. Unë premtoj t’ia dedikoj vitet e mbetura të jetës sime mbështetjes së lirisë së mendimit dhe të shprehjes, lirisë akademike dhe mbrojtjes së minoriteteve dhe opinioneve të minorancës – jo vetëm në vendin tim të lindjes Hungari, por edhe në të gjithë botën.