Organizatat mjedisore EcoAlbania, RiverWatch, Patagonia dhe EuroNatur kërkojnë të vendosin panele diellore dhe bëjnë të vetëmjaftueshëm në prodhim energjie një prej fshatrave që rrezikon të përmbytet nëse ndërtohet hidrocentrali i Poçemit.
Në javën e fundit të Majit, organizata EcoAlbania në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare RiverËatch dhe EuroNatur nisën fushatën e mbledhjes së fondeve për të vendosur paneleve diellore në fshatin Kutë, në mënyrë që ky fshat i Mallakastrës të përdorë potencialin e diellit për prodhimin e energjisë, soi një formë proteste për këmbënguljen e qeverisë për të vijuar me ndërtimin e digave që sipas tyre janë shkatërrimtare për ekosistemin e Vjosës.
Fushata e mbledhjes së fondeve, (Link) “Solar në Kutë”, e njoftuar publikisht më 26 maj ka mbledhur 600 dollarë në 24 orë, ndërsa synon të sigurojë rreth 40 mijë dollarë për të financuar vendosjen e paneleve diellore që do e bënin fshatin Kutë të vetëmjaftueshëm në prodhim dhe përdorim të energjisë elektrike.
Në një njoftim për mediat EcoAlbania bëri me dije se fushata do të jetë e hapur për 1 muaj, ndërsa vuri në dukje se qëllimi i kësaj fushate është shmangia e hidrocentraleve si alternativë për prodhimin e energjisë në Vjosë dhe gjetja e mënyrave të tjera të prodhimit të energjisë.
Fshati Kutë, është një fshat i Mallakastrës, tashmë i njohur për rezistencën e tij kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit në lumin Vjosë, i cili në rast ndërtimi do e përmbyste fshatin, rreth 2500 hektarë tokë, dhe detyronte shpërnguljen e banorëve.
Aktivistët dhe banorët e Kutës kanë ndaluar deri më tani ndërtimin e HEC-it në Poçem përmes protestave dhe një beteje gjyqësore. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë shpalli në maj 2017 të pavlefshëm koncesionin dhe aktet e nxjerra për ndërtimin e HEC. Çështja ndodhet në Gjykatën Administrative të Apelit.
“Ne dëshirojmë ta bëjmë Kutën, një komunitet i cili prodhon vetë energjinë e tij. Për më tepër, ne synojmë të tregojmë se nuk ka nevojë për shkatërrimin e lumit Vjosa, pasi ata mund të prodhojnë energjinë e tyre dhe të krijojnë më shumë të ardhura për komunitetin”, u shpreh Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, në prezantimin e fushatës.
Nismës i janë bashkuar edhe organizata Europiane si EuroNatur, RiverWatch dhe Patagonia. “Si mundet një vend me diell si Shqipëria, të synojë ende të ndjekë rrugën e vjetër dhe të pistë të shkatërrimit të natyrës për të prodhuar energji, duke injoruar opsionet moderne? Kjo iniciativë diellore jo vetëm i sjell dobi njerëzve në Kutë, në luginën e Vjosës, por është gjithashtu një mesazh i fortë për vendimmarrësit politikë” u shpreh Ulrich Eichelmann, drejtori ekzekutiv i organizatës ndërkombëtare RiverËatch. “Çfarë është e mundur në Kutë, është e mundur në të gjithë Shqipërinë, dhe është e mundur në të gjithë Ballkanin”, përfundoi ai.
Duke filluar nga vitit 2002 në Shqipëri janë firmosur gati 190 kontrata koncensionare për ndërtimin e mbi 500 hidrocentraleve. Nga këto leje të dhëna rreth 200 kanë përfunduar së ndërtuari, 43 janë në proces ndërtimi dhe 364 nuk kanë filluar ende të ndërtohen. Ndërkohë megjithëse shpesh është premtuar pezullim punimesh e ndryshim kontratash, leje të reja kanë vijuar të jepen çdo vit.
Një pjesë e mirë e këtyre lejeve kanë sjellë përplasje me banorët lokale dhe në rastet e lumenjve Vjosë dhe Valbonë, edhe protesta ndërkombëtare. Lejet në mjaft raste, janë dhënë pranë ose brenda zonave të mbrojtura, duke cënuar monumente të natyrës dhe kulturës. Ndërkohë dëmet në mjedis prej futjes në tuba të qindra kilometrave përrej e lumenj, janë ende të paqarta.