Lajm31 Jul 2019

Gara në KED, mes 7 kandidatëve për Kushtetuesen dhe 5 për kryeinspektorin

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi skualifikoi 7 kandidatë për Gjykatën Kushtetuese dhe Genci Gjonçajn për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e fundit.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Mbledhje e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi | Foto : LSA

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi skualifikoi shtatë kandidatë për Gjykatën Kushtetuese dhe Genci Gjonçajn për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e zhvilluar të martën, pas verifikimeve të kryera mbi një listë të gjatë kriteresh. Ndërkohë, në fazën tjetër të konkurrimit kaluan Elsa Toska për Gjykatën Kushtetuese dhe Artur Metani për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

“Shqyrtimi i rasteve të kandidatëve për vendet vakante për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë është vendosur në përfundim të procedurave të verifikimit rigoroz dhe të thelluar të ndjekura nga Këshilli, sipas ligjit dhe standardeve tashmë të njohura e të aplikuara që kërkohen për përzgjedhjen, qenien dhe konfirmimin në detyrën e magjistratit apo anëtarit të Gjykatës Kushtetuese,” thuhet në deklaratën për shtyp të KED.

KED skualifikoi ekspertin Klodian Rado, gjyqtarin e Durrësit, Rexhep Bekteshi, avokatët Sinan Tafaj, Petrit Kaja dhe Gëzim Allaraj, ndërsa këshilltarja ligjore, Fiona Papajorgji u skualifikua vetëm për njërën prej thirrjeve. Nga kandidimi u ndalua edhe Valbona Bala, për shkak të vendimit të dhënë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që i ndalon asaj pozicionet në sistem për 15 vitet e ardhshme.

Ndërsa në garën për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë u skualifikua sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, i cili ka qenë avokat i Partisë Socialiste dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare dhe kaloi për në fazën tjetër Avokati i Shtetit, Artur Metani.

Verifikimi i pasurisë për kandidatët jo-magjistratë është kryer mbi bazën e raportit të kontrollit të ILDKPKI-së, si dhe të dhënave të dërguara në KED nga 45 institucione publike dhe subjekte private. Ndërsa kontrolli i figurës dhe i integritetit është bazuar sipas KED në raportet e Prokurorisë së Përgjithshme, Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit si dhe institucionet e shërbimeve informative.

Për kandidatët magjistratë, verifikimi i pasurisë, figurës dhe profesionalizmit kryhet nga institucionet e vetingut. Megjithatë, vendimarrja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në kohën kur nuk ka ende vendime të formës së prerë për disa prej kandidatëve mund ta ekspozojë procesin ndaj rezultateve kontradiktore.

 Kandidatët për Inspektoriatin e Lartë

1-Artur Malaj (konfirmuar nga KED)

2-Artur Metani (konfirmuar nga KED)

3-Eris Hysi (Ende pa vendim)

5-Klodian Rado (Ende pa vendim)

5-Marsida Xhaferllari (Ende pa vendim)

 

Kandidatët për Gjykatën Kushtetuese

1-Arta Vorpsi (konfirmuar nga KED)

2-Besnik Muçi (konfirmuar nga KED)

3-Elsa Toska (konfirmuar nga KED)

4-Fiona Papajorgji (konfirmuar nga KED)

5-Marsida Xhaferrllari (Ende pa vendim)

6-Regleta Panajoti (konfirmuar nga KED)

7-Zhaklina Peto (Ende pa vendim)