Opinion19 Jun 2020

Gara për marrëveshjen Kosovë-Serbi tradhton parimet më të mira të Amerikës

Me padurimin e saj për një sukses të shpejtë në politikën e jashtme nëpërmjet një marrëveshje Kosovë-Serbi, administrata Trump po i shërben vetëm interesave të saj afatshkurtra, jo atyre të Shteteve të Bashkuara apo të vetë rajonit të Ballkanit.

Autor: R Bruce Hitchner BIRN Masaçusets
Printo

Presidenti amerikan Donad Trump. Foto: Flickr.

“Bisedimet e paqes” midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat supozohen të zhvillohen më 27 qershor nën kujdesin e Shtëpisë së Bardhë, duket se nxiten më shumë nga interesat afatshkurtra të Donald Trump sesa nga interesat e vërteta të SHBA-së ose të Ballkanit.

Përpjekjet e nxituara të Richard Grenell për të arritur një marrëveshje për të zgjidhur një problem që ekziston prej dekadash në një kohë kur administrata Trump po përballet me një pandemi globale, ndarje të thella politike, racizëm infrastrukturor dhe një ekonomi të dëmtuar ndjeshëm, nuk vijnë aspak në kohën e duhur.

Administratës amerikane aktuale i ka munguar aftësia (dhe vullneti) për të unifikuar vendin dhe ky deficit ka kaluar në politikat e saj me aleatët e saj europianë dhe në Ballkan.

Lidershipi moral që ka përcaktuar vendin e Amerikës në botë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, i ka lënë rrugën një vizioni më të vogël, më nativist dhe egoist përsa i takon rolit të Amerikës në skenën globale.

Mundësi për t’u rikthyer në idealet themeluese

Idealet themeluese të Shteteve të Bashkuara: demokracia, të drejtat, liria, mundësia dhe barazia, janë vënë në provë gjatë gjithë historisë sonë, jo më pak se tani.

Protestat e tanishme në Amerike janë thjesht manifestimi i fundit i betejave shpesh të thella në të cilat ajo është angazhuar, që nga themelimi i saj, për të përmbushur idealet e përcaktuara nga themeluesit.

Në fakt, kriza e brendshme aktuale paraqet një mundësi për SHBA-në që ajo të riafirmojë dhe rivitalizojë rolin e saj kritik në skenën ndërkombëtare.

Kjo mundësi paraqitet jo më pak në politikën e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Pak më shumë se një çerek shekulli më parë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Amerika u përfshi drejtpërdrejt, megjithëse pa dëshirë, në dhënien fund të luftërave në ish-Jugosllavi.

Objektivat e saj të politikës së jashtme, që i ndante dhe me aleatët e saj europianë, ishin të qarta dhe pasqyronin idealet e vetë Amerikës: paqen, institucionet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, ekonomitë transparente të tregut, një media të lirë dhe integrimin e shteteve të reja të Ballkanit në institucionet Euro-Atlantike, veçanërisht në NATO dhe BE.

Këto objektiva mbetën të pandryshuara, edhe pse nuk u ndoqën në mënyrë të vazhdueshme, deri në vitin 2016. Shumë prej tyre mbeten ende në fuqi.

Megjithatë, nën administrimin e Trump, sjellja e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor ka devijuar në një drejtim në kundërshtim me idealet tona të hershme.

Dikur një aleate e ngushtë e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, BE-ja tani shifet kryesisht si një konkurrencë politike dhe ekonomike. Në mënyrë po aq të habitshme, ndërkohë që vazhdon të mbështesë zgjerimin e NATO-s në rajon, administrata Trump ka kërcënuar se do të largojë një kontingjent të vogël të trupave amerikane në Kosovë dhe e ka sulmuar vazhdimisht punën e aleancës.

Më shqetësuese ka qenë mënyra në të cilën administrata dhe ish-operativët e fushatës Trump janë afruar me liderë politikë antidemokratikë në rajon dhe kanë promovuar axhenda, veçanërisht në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, të cilat lënë hapur derën diplomatike për ndryshime kufitare me bazë etnike. Ky është problemi që e solli SHBA-në në Ballkan.

Ironia është se këto zhvendosje në politikë shfaqin politika dhe parime pasqyre që SHBA-ja i ka kritikuar gjatë dhe me të drejtë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe aktorët e tjerë ndërkombëtarë në rajon.

“Ballkanizimi” i politikës së jashtme amerikane

Richard Grenell, i dërguari i ri special presidencial në bisedimet Prishtinë-Beograd. Foto: Flickr.

Një shembull i kësaj është mënyra në të cilën administrata amerikane është angazhuar në negociatat Kosovë-Serbi, të nisura fillimisht nga BE-ja, të cilën tani SHBA-ja po e përjashton.

SHBA-ja fillimisht mori pjesë pa u përfshirë, kryesisht duke e monitoruar procesin.

Në gusht 2018, i dërguari amerikan Matthew Palmer shkroi në përgjigje të një pyetjeje që unë i bëra në lidhje me bisedimet: “Ne nuk jemi palë në negociata. Ne vazhdojmë të mbështesim procesin e udhëhequr nga BE-ja dhe do ta shohim me vëmendje atë që do të dalë nga këto bisedime.”

Ai shtoi: “Pronësia lokale e zgjidhjes është thelbësore, por kjo nuk do të thotë se mbështetja jonë është e pakufizuar. Për të gjitha shqetësimet që kemi në lidhje me ato që mund të dalin nga këto bisedime, ne do të jemi të qartë në komunikimet tona me të gjitha palët.”

Kur e pyeta nëse kjo përfshinte shkëmbime territoriale, ai përsëriti: “Ne do të diskutojmë me të gjitha palët, në mënyrë të qartë dhe direkte, çdo shqetësim që mund të kemi për ndonjë aspekt të një marrëveshjeje.”

Emërimi i Palmer si i Dërguari Special në Ballkanin Perëndimor më 30 gusht 2019 me një portofol që e vendos dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës “në krye të axhendës së tij”, sinjalizoi përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së në bisedime. Në atë kohë e duartrokita këtë gjë, edhe pse vazhdoja të kundërshtoja çdo shkëmbim territorial.

Emërimi më 4 tetor i Grenell, ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Gjermani, si i dërguari i ri special presidencial në bisedimet Prishtinë-Beograd erdhi si surprizë për një arsye të dukshme. Ishte e vështirë të kuptoje se përse administrata kishte caktuar një të dërguar presidencial – me asnjë përvojë në Ballkan – për bisedime që zor se kishin nevojë për përfshirjen e Shtëpisë së Bardhë, sidomos kur Palmer ishte caktuar tashmë si një i dërguar special.

Marrëveshja e Dejtonit e vitit 1995, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje, u negociua totalisht nga Ndihmës Sekretari i Shtetit Richard Holbrooke.

Arsyeja për emërimin e Grenell ishte e qartë. Shtëpisë së Bardhë i duhej një sukses në politikën e saj të jashtme, qoftë edhe një i vogël.

Që nga emërimi i Grenell, është bërë më e qartë se interesi i administratës nuk ishte një marrëveshje afatgjatë midis Beogradit dhe Prishtinës që përfshin njohjen e plotë të Kosovës nga ana e Serbisë, anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara dhe një shkëmbim ambasadorësh.

Përkundrazi, interesi i saj, të paktën për momentin, dukej se ishte një marrëveshje e nxituar që do të lejonte një lloj ceremonie nënshkrimi në oborrin e Shtëpisë së Bardhë, para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së.

Kjo nuk është diçka e panjohur. Në fund të vitit 2005, pati një interes të papritur dhe të madh në nivelet më të larta të administratës së Bush për negociatat për reformën kushtetuese në Bosnjë, sepse kjo ofronte mundësinë e një suksesi të vogël diplomatik në kulmin e luftës në Irak.

Por bisedimet e rregulluara me ngut në Uashington në nëntor të atij viti për një arsye të mirë. Asnjëra palë nuk ishte e gatshme të arrinte një marrëveshje të zbatueshme, të realizueshme.

E njëjta gjë është e vërtetë edhe tani. Lajmërimi i Grenell se të dyja palët kanë rënë dakord “të ndalin përkohësisht fushatën çnjohëse dhe kërkimin e anëtarësimeve ndërkombëtare” nuk është i përshtatshëm si një bazë për negociata, pasi promovon një ekuivalent të rremë midis politikave të Serbisë dhe Kosovës. Të dy qëndrimet rrjedhin nga mosgatishmëria e Beogradit për të njohur Kosovën si shtet dhe pikë.

Dhe çfarë të bëjmë me deklaratën e Grenell, nëse bisedimet dështojnë, dhe fokusi kthehet përsëri te “progresi në rritjen e ekonomive”? A nuk ka qenë që në fillim kjo përparësia e bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja? Pse të përjashtohet BE-ja kur “fokusi” janë çështjet ekonomike? Përgjigja është se nuk janë ato fokusi.

Sfidat e brendshme aktuale me të cilat përballet SHBA-ja, kombinuar me qasjen e saj të njëanshme në bisedimet Kosovë-Serbi sugjerojnë se ka ardhur koha që SHBA-ja të shtypë butonin e “restart”-it në politikat e saj aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Që tani deri në zgjedhjet presidenciale, SHBA-ja duhet të tërhiqet nga nismat e dukshme dhe të shmangë mundësinë e kryerjes së negociatave me të meta që mund të bëjnë më shumë dëm sesa mirë, dhe i shërbejnë vetëm interesave të një presidenti që kërkon me çdo kusht sukses në politikën e jashtme.

Në fakt, SHBA-ja dhe Ballkani Perëndimor ndoshta do të kishin më shumë përfitime nga status quo-ja sesa nga politika dhe veprime për të cilat shumë njerëz mund të pyesin: Cui bono?

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.