Një studim i ri i kryer në pesë vende të Ballkanit thotë se gazetarët në rajon kanë pak mbrojtje nga sulmet fizike, kërcënimet me vdekje apo presionet e tjera – dhe fajëson qeveritë se bëjnë pak ose aspak për të përmirësuar gjendjen.
Një studim i kryer në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi nga Platforma e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve doli në konkluzionin se gazetarët mbeten vulnerabël ndaj sulmeve fizike dhe presioneve të tjera dhe se kanë pak mënyra për ta mbrojtur veten efektivisht.
Studimi, që do të prezantohet të martën në Beograd nga Lidhja e Gazetarëve të Pavarur në Serbi, NUNS, thotë se qeveritë nuk janë të interesuara në përmirësimin e situatës në media ose e bëjnë këtë vetëm në mënyrë sipërfaqësor, pasi shpesh janë burim i presioneve direkte ose indirekte.
Shtatë sulme fizike ndaj gazetarëve u regjistruan në Bosnje nga 2013 deri në 2016, 35 në Maqedoni dhe një sulm fizik e shtatë ndaj pronës së medias në Malin e Zi.
20 sulme fizike dhe 13 sulme ndaj pronës mediatike u regjistruan në Kosovë dhe 33 sulme fizike ndaj gazetarëve u regjistruan në Serbi.
Serbia gjithashtu ishte e para në dështimin për të zgjidhur çështjet e vrasjeve ndaj gazetarëve. Gjyqet e vrasjeve apo vdekjeve të gazetarëve Slavko Curuvija, Dada Vujasinoviç dhe Milan Pantiç nuk kanë zbuluar se kush apo çfarë është përgjegjëse për vdekjet e tyre të parakohshme. Redaktori dhe pronari i medias Curuvija u vra në 1999. Vujasinoviç u gjet e vdekur në apartamentin e saj në 1994. Pantiç u vra pranë shtëpisë së tij në 2001.
Rastet e gazetarëve që kanë marrë kërcënime me vdekje në Serbi dhe që kanë jetuar nën mbrojtjen e policisë, si Brankica Stankovic apo Vladimir Mitric, gjithashtu mbeten të pazgjidhura.
Sistemet juridike nuk janë efektive ndërsa qeveritë në rajon duken të painteresuara për të zgjidhur efektivisht hetimet, thotë raporti.
Gjatë tri viteve, numri i kërcënimeve të gazetarëve është rritur dhe trendi po shkon drejt rritjes së mëtejshme, shton ai.
Studimi shpreh keqardhjen që asnjë nga vendet nuk ka zhvilluar një strategji me një fokus special mbi mbrojtjen e gazetarëve në vitet e fundit.
Përveç kërcënimeve fizike, gazetarët në rajon janë vulnerabël nga presioni i lidhur me ambientin dhe punën, thotë raporti.
“Shantazhi, pagat e ulëta ose/dhe pagesat e parregullta, puna e papaguar dhe ajo jashtë orarit dhe mungesa e kontakteve në punë janë vetëm disa nga problemet me të cilat gazetarët në rajon përballen çdo ditë,” thotë raporti.