Gazetaria investigative rezulton investimi më i suksesshëm në terma financiarë për donatorët, veçanërisht nëse shohim sasitë e stërmëdha të parave që u janë kursyer taksapaguesve nga puna e gazetarëve.
Është një sasi parash me përmasa epike. Në shkurt, gjigandi i telekomunikacioneve ruso-norvegjez Vimpelcom njoftoi se do të paguajë 795 milionë dollarë për të zgjidhur problemin me akuzën se ka dhënë ryshfet jashtë vendit, një sasi parash që do të ndahet në mënyrë të barabartë mes qeverive hollandeze dhe amerikane. Si pjesë e marrëveshjes, Vimpelcom do të pranojë se ka paguar ryshfet për qeverinë e Uzbekistanit për të marrë një licencë dhe për të punuar në tregun fitimprurës të telefonisë celulare, duke dhunuar Aktin e Praktikave të Huaja Korruptive të SHBA-së, dhe ligjet antikorrupsion të Hollandës. Fitimet dukeshin qe qenë të mjaftueshme për të justifikuar pagesën e një ryshfeti prej mbi 100 milionë dollarë nga ana e kësaj kompanie.
Norma e kthimit mbi investimin? Mbi 56 mijë për qind. Pavarësisht kësaj, grupimet e gazetarëve investigativë duhet të vuajnë shumë për të gjetur financime për të mbijetuar vit pas viti.
Baza e Vimpelcom në Amsterdam dhe përdorimi i sistemit financiar të SHBA-ve i dha prokurorëve argument për të përndjekur kompaninë, gjigandi i gjashtë më i madh në botën e telekomunikacioneve. Besohet se kjo është marrëveshja më e madhe e arritur nga prokurorët në historinë e Hollandës dhe një nga rastet më të mëdha të përndjekura në bazë të Aktit të Praktikave Korruptive të Huaja.
Dhe megjithatë, pavarësisht se korrupsioni është në përmasa të stërmëdha, prokurorët në këto dy vende nuk ia kishin idenë se ekzistonte deri sa ky korrupsion i ekspozua nga një skuadër gazetarësh investigativë në mars të vitit të kaluar. Ata u njoftuan për çështjen nga ekspozimi që bënë një grup gazetarësh investigativë që punonin për Televizionin Suedez (SCT), agjencinë suedeze të lajmeve TT, gazetën norvegjeze Klassencampen dhe organizatën jofitimprurëse Projekti i Raportimit mbi Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP).
Nuk është e pazakontë që gazetarët investigativë të krijojnë baza për gjoba të stërmëdha. Raportimi në Guardian mbi ryshfetet e paguara nga kompania e mbrojtjes BAE Systems në fund sollën gjoba prej mbi 440 milionë dollarësh, të cilat iu paguan qeverive të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Një seri artikujsh mbi pasuri të fshehura nëpër parajsat fiskale, nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarisë Investigative, (ICIJ), rezultoi në gjoba të stërmëdha dhe në taksa të përfituara nga zyrtarët në të gjithë botën. Në Korenë e Jugut, 11 njerëz që u ekspozuan nga artikujt e ICIJ janë urdhëruar të paguajnë 65 milionë dollarë. OCCRP llogarit se falë raportimeve të saj përgjatë gjashtë viteve të fundit, rreth 2.8 miliardë dollarë gjoba dhe prona të konfiskuara janë vendosur në duart e qeverive dhe se zyrtarët janë duke kërkuar edhe gjoba e prona të tjera me vlerë 1 miliardë dollarë.
Ajo që është tronditëse nga këto shifra është se si krahasohen ato me mbështetjen e paktë për gazetarinë investigative nga donatorët institucionalë dhe qeveritë.
Që nga rënia e Murit të Berlinit më 1989, zhvillimi i një mediaje të pavarur ka qenë një element i rëndësishëm, por pak i financuar, i ndihmës ndërkombëtare nga vendet e Perëndimit për vendet në zhvillim apo tranzicion. USAID dhe Departamenti i Shtetit, BE-ja dhe vendet anëtae, agjencitë e OKB-së si UNESCO, Banka Botërore dhe fondet private të tilla si Ford dhe Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, që të gjitha bien dakord se ndërtimi i medias së pavarur është me rëndësi thelbësore për zhvillimin si një politikë e mirë për industrinë, sundimin e ligjit dhe reformën në arsim. Gazetaria investigative ka marrë një pjesë të vogël por të rëndësishme të këtyre financimeve; shuma modeste përgjatë viteve kanë ndihmuar në trajnimin e mijëra gazetarëve, në krijimin e skuadrave të gazetarëve investigativë dhe qendrave jofitimprurëse të raportimit dhe kanë frymëzuar ekspozimin e kleptokracive, abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe problemeve të rënda mjedisore. Ato kanë ndihmuar në themelimin e një tradite në gazetarinë e pavarur.
Iniciativat për qeveri të hapur dhe aplikacionet e bukura teknologjike nuk i kanë zëvendësuar deri tani gazetarët investigativë të cilët dinë si të zhvillojnë burime njerëzore, të ndjekin shtigje sekrete dhe të ekspozojnë korrupsione e abuzime me pushtetin në përmasa të mëdha.
“Gazetaria investigative është absolutisht thelbësore,” vëren nobelisti i ekonomisë Joseph Stiglitz. “Njerëzit e varfër në vendet në zhvillim kanë shumë pak mundësi. Kjo i bën ato veçanërisht të dobët përballë shfrytëzuesve. Gazetarët investigativë luajnë një rol shumë të rëndësishëm në garantimin se kur një shfrytëzim i tillë ndodh, ai zbulohet”.
Media kontrolluese luan role të tjera që japin fryte të tjera por më të vështira për t’u matur, të tilla si roli i frenës ndaj sjelljeve shfrytëzuese dhe kriminale. “Vetë fakti se ka gazetarë investigativë e diskurajon ndodhjen e një aktiviteti të tillë,” shton Stiglitz. “Pra aktualisht gazetaria investigative shërben si parandalues.”
Pavarësisht të gjithë kësaj, zhvillimi i medias zë vetëm një pjesë të vockël në fondet e përgjithshme për zhvillim. Përgjatë vitit 2015, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe USAID shpenzuan rreth 65.2 milionë dollarë në lirinë e medias dhe lirinë e informimit, rreth 0.1 për qind të të gjithë ndihmës së huaj të SHBA-ve për këtë vit.
Dhe nga ky 0.1 për qind, gazetaria investigative zuri vetëm pak miliona dollarë, një pjesë e vockël e një pjese të vockël. Ndihma botërore nga të gjitha vendet për programet e gazetarisë investigative në vendet në zhvillim dhe tranzicion qe vetëm 12 milionë dollarë në vitin 2011 – rreth 2.4 për qind e shpenzimeve të përgjithshme botërore për ndihma për zhvillimin e medias. Shumat e pakta që shkojnë për këtë lloj gazetarie u konfirmuan nga një studim tjetër i CIMA një vit më vonë. “Mungesa e projekteve investigative të njoftuara nga USAID dhe Departamenti i Shtetit qe shumë e dukshme dhe numri i projekteve ka qenë i ngjashëm nga viti në vit,” gjeti studimi. Shumë pak gjëra kanë ndryshuar që nga studimet e CIMA.
Po paratë që shkojnë për zhvillimin e medias? Kini parasysh se nuk po flasim këtu për iniciativat e qeverisë së hapur dhe aplikacioneve teknologjike që ndihmojnë sektorin e sigurisë për të mbledhur informacione. As nuk po flasim për takime pune mbi çështje të tilla se si mund të mbulojmë zgjedhjet apo problemet shëndetësore. Këto janë zhvillime të mikpritura, por ato nuk e zëvendësojnë dot investigimin e thelluar dhe në terron, atë që di si të zhvillojë burime njerëzore, të ndjekë shtigje sekrete dhe të zbulojë korrupsione apo abuzime masive me pushtetin. Siç e përshkruan kaq mirë edhe filmi Spotlight, për të ekspozuar abuzimet e mëdha, bota ka nevojë për gazetarë investigativë.
Ndoshta po ta shtrojmë çështjen në terma biznesi mund të ndihmojë. Le të përdorim OCCRP-në si shembull. Me bazë në Sarajevë, OCCRP-ja është një organizatë për zhvillimin e medias që bën projekte investigative në vendet post-komuniste në Europën Lindore dhe në Eurazi. Përgjatë viteve ajo ka pranuar 5 milionë dollarë financime nga qeveria e SHBA-së dhe qeveri të tjera. Kthimi mbi këto financime? Me 2.8 miliardë dollarë të rikuperuara në gjoba dhe asete të konfiskuara nga qeveri të ndryshme, norma e kthimit është mbi 56 mijë për qind (ose 560 herë). Në komunitetin e biznesit, sukses i këtyre niveleve është regjistruar vetëm nga kompani të tilla si Google dhe Facebook. OCCRP-ja mund ta financojë veten në mënyrë pothuajse permamente nëse merr interesin e vetëm 1 për qind të parave që qeveritë kanë bërë nga puna e tyre. Por në vend të kësaj, njësoj si grupimet e tjera të gazetarisë investigative nëpër botë, OCCRP duhet të vuajë për financime për të mbijetuar edhe një vit tjetër.
Dhe nëse gazetaria investigative është kaq fitimprurëse për qeveritë, pse nuk po mbështetet më shumë? Kjo mund të jetë për shkak se zhvillimi i medias dizenjohet dhe zbatohet shpesh nga donatoë dhe zbatues projektesh të cilët nuk e kuptojnë gazetarinë investigative dhe nuk e dinë si mund të përmirësohet. Kështu, në vend që të promovohen raportimet më komplekse por me impakt më të madh, shumica e parasë për zhvillim shpenzohet për projekte më mondane trajnimesh.
Apo nuk kemi dhënë ende argumente të mjaftueshme.
Duke parë paratë e stërmëdha që janë krijuar si të ardhura nga gazetaria investigative, ndoshta një pjesë duhet të paracaktohet për t’u siguruar që kjo fushë merr mbështetje të përshtatshme. Qeveritë mund të marrin një përqindje të asaj që fitojnë nga puna e gazetarëve për të krijuar fonde që ndihmojnë për të vijuar këtë profesion të paçmuar dhe për të vijuar ta shtrijmë këtë profesion nëpër botë.
Ne besojmë se kolegët tanë nëpër botë do të duartrokasin nëse shohin një pjesë të vockël të parave të rikuperuara të vendosura në një trust të pavarur në mbështetje të gazetarisë investigative në pjesët më të varfra të botës.
Një përqasje e tillë nuk është pa probleme. Në shumë vende, Shtetet e Bashkuara mes tyre, organizatat e raportimit investigativ qëndrojnë larg subvencionimeve të drejtpërdrejta nga qeveritë, për të shmangur konfliktin e interesit dhe ndërhyrjet nga zyrtarët. Në vendet më të varfra dhe në Europë ku paratë e qeverisë për median janë më të zakonshme, organizata mund të pranojnë më me lehtësi subvencionimet e qeverive, por ato sërish do të duhet të kenë masa për të garantuar pavarësinë e tyre.
Ka një precedent për një mekanizëm të tillë: sipas Aktit për Pretendime të Gënjeshtërta të SHBA-së, qytetarët privatë që raportojnë një mashtrim apo një akt tjetër kriminal, mund të përfitojnë mes 15 dhe 25 për qind të të ardhurave që qeveria arrin të rekuperojë. Përgjatë viteve, njerëzit që japin alarmin, investiguesit privatë dhe avokatët kanë realizuar miliarda dollarë përmes rasteve të njohura si “qui tam”.
Ne nuk po sugjerojmë që gazetarët të veprojnë si bilbilfryrës apo gjuetarë shpërblimesh. Kjo mund të nxisë gazetarët të përqendrohen vetëm në lajme apo çështje që mund të sjellin gjoba. Ne nuk duam që gazetarët investigativë të fillojnë të kërkojnë të fitojnë para nga industritë e pasura por moralisht të korruptuara, sado e dëshirueshme të ngjajë kjo në pamje të marrë. As ligji nuk e lejon. Sipas Aktit për Pretendime të Gënjeshtra, gazetarët nuk mund të kërkojnë përfitime për punën e tyre.
Në vend të kësaj, ne besojmë se kolegët tanë do të duartrokasin përcaktimin e një pjese nga fondet e rikuperuara për një fond të pavarur që do të mbështesë gazetarinë investigative në vendet më të varfra. Duke parë ndikimin dramatik të raportimeve të tilla nëpër botë dhe investimin e paktë nga ajo që është bërë sakaq një tortë e madhe me para gjobash dhe asetesh të konfiskuara, kjo duket një ide që ia vlen të diskutohet.
Në fund, ne kemi nevojë për gazetari investigative dhe ne duhet të paguajmë për të. Ndoshta është koha që ne të shikojmë përtej sistemit aktual difektoz dhe të kuptojmë se kemi nevojë të investojmë në fuqizimin e medias mbikëqyrëse në të gjithë botën.
Marrë nga: GIJN.org