Xharra u sulmua në orët e para të së shtunës dhe mbërriti në spital me lëndime serioze. Policia e Kosovës deklaron se po kryen hetime intensive, ndërkohë që liderët politikë dënuan sulmin.
Gazetarja e njohur, Arbana Xharra u dhunua barbarisht në orët e para të së shtunës pranë banesës së saj në Prishtinë dhe u dërgua në spital me dëmtime serioze. Policia e Kosovës njoftoi se Xharra u sulmua fizikisht nga persona të panjohur, ndërkohë që zyrtarët e saj “janë duke kryer hetime intensive me qëllim zbardhjen e rastit dhe sjelljes së personave të dyshuar para organeve të drejtësisë”.
Kallxo.com raportoi se Xharra ka mbërritur në spital me dëmtime serioze dhe pas trajtimit është larguar drejt shtëpisë së saj paraditen e së shtunës.
“Arbana Xharra është pranuar më lëndime të kokës e të shpatullës. Pas trajtimit është lëshuar për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi”, deklaroi Qendra Emergjente.
Gazetare prej vitesh dhe kryeredaktore e gazetës “Zëri”, Xharra ka luajtur një rol aktiv në denoncimin e korrupsionit dhe radikalizmit fetar në Kosovë. Ajo ka denoncuar disa herë kërcënime në adresë të saj, por autorët nuk janë zbuluar asnjëherë.
Në prill të këtij viti, para derës së banesës së saj ishte vizatuar me ngjyrë të kuqe një simbol në formë të kryqit, ndërsa atëherë për këtë akt kishte reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke kërkuar që të hetohet ky kërcënim.
Më 9 maj, Xharra u bë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa sulmi ndaj saj ndodhi katër ditë pas këtij aderimi.
Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa ka kërkuar që sulmuesit e Xharrës të vihen para drejtësisë.
“Sulmi mbi Arbana Xharrën është akt i ulët dhe i turpshëm. Kryerësit duhet të sillen para drejtësisë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Enver Hoxhaj, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i PDK-së po në Facebook ka shkruar se është “thellësisht i tronditur nga sulmi qyqar ndaj Arbana Xharrës. I shokuar nga ajo që mund t’i ndodhë një gruaje, një nëne dhe mbi të gjitha një aktiviste të guximshme në tërë këto vite që nuk ka hezituar t’i thotë hapur dhe pa frikë gjërat të cilat i mendon”.