Lajm17 Nov 2016

Gazetarja Lindita Çela e BIRN Albania fiton çmimin CEI SEEMO

Lindita Çela fitoi çmimin për "investigime goditëse" mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në Shqipëri.

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Lindita Çela.

Lindita Çela.

Iniciativa e Europës Qendrore dhe Organizata për Median në Europën Jug-Lindore, në partneritet të posaçëm me Programin për Median në Europën Jug-Lindore të Fondacionit Konrad Adenauer njoftuan të mërkurën se gazetarja e BIRN Albania Lindita Çela është fituese e Çmimit CEI SEEMO për Merita të Jashtëzakonshme në Gazetari Investigative për vitin 2016 në kategorinë “Gazetarët Profesionistë”.

Për më shumë se 15 vjet si gazetare, ajo ka mbuluar ngjarje komplekse me ndikim madhor në shoqërinë shqiptare, duke demonstruar kurajë dhe vendosmëri.

“Celës iu dha çmimi për arritjet e saj të përgjithshme profesionale dhe investigimeve goditëse që kanë ekspozuar skandale korrupsioni në nivelet më të larta të pushtetit si dhe zbulime mbi rrjetet e krimit të organizuar në Shqipëri, që zgjaten nga Bjeshkët e Namuna te rrugët e Brukselit,” thuhet në njoftimin e Iniciativës së Europës Qendrore.

Çmimi i këtij viti i SEI-SEEMO për kategorinë e “Gazetarëve Profesionistë të Rinj” iu tha Artsiom Harbatsevich, nga Minsku i Bjellorusisë. Ai ka punuar në Intex-press dhe Nasha Niva dhe iu dha çmimi për raportimet e tij investigative të cilat kanë pasur ndikim dhe pasoja domethënëse për vendin e tij.

Një Përmendje e Posaçme iu dha Iurie Sănduță, drejtor i Rise Moldova dhe anëtar i Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP.