Investigim19 Jan 2016

Gënjeshtrat multimilionëshe dyfishuan të ardhurat e OSHEE

Në mënyrë të përsëritur përgjatë vitit të fundit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, ka gënjyer publikun në deklaratat mbi të ardhurat e kompanisë, duke shpallur të ardhura shumë më të larta se sa realiteti, zbuloi BIRN.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Drejtori i OSHEE Adrian Çela, duke folur gjatë një prej ceremonive për prezantimin e suksesit të fushatës së qeverisë për energjinë elektrike. Foto: LSA / GENT SHKULLAKU

Drejtori i OSHEE Adrian Çela, duke folur gjatë një prej ceremonive për prezantimin e suksesit të fushatës së qeverisë për energjinë elektrike. Foto: LSA / GENT SHKULLAKU

Gjatë vitit të fundit në mënyrë të përsëritur OSHEE ka shpallur suksese të njëpasnjëshme në njoftimet e saj për shtyp, në deklaratat e drejtorit të përgjithshëm Ardian Çela apo në deklaratat e kryeministrit Edi Rama.

Megjithatë, një dokument i vetë kompanisë i siguruar nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi, tregon se rritja reale e të ardhurave është së paku dy herë më e ulët se sa është pretenduar nga kompania dhe qeveria.

Për periudhën janar-nëntor 2015, OSHEE deklaroi se kishte realizuar të ardhura në masën 59.4 miliardë lekë, me rritje prej 16.5 miliardë lekësh krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.

Por në dhjetor 2015, një shkresë e dërguar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë te Enti Rregullator i Energjisë, ERE, tregon se në fakt, të ardhurat e pritshme për të gjithë vitin 2015 nga OSHEE janë 54.2 miliardë lekë, plot 5.2 miliardë lekë ose 37 milionë euro më pak se sa qe pretenduar nga OSHEE se kishte arkëtuar për periudhën janar – nëntor.

Në mënyrë të ngjashme, në vitin 2015, rritja e të ardhurave në krahasim me vitin 2014 rezulton 7 miliardë lekë, dy herë më e vogël ser rritja prej 16.5 miliardë lekësh e deklaruar nga kompania. Ndryshe nga sa deklaroi Çela për rritje të të ardhurave në masën 40 për qind, në shënimin e tabelës së dorëzuar te ERE ka një shënim ku shkruhet se “të ardhurat e vitit 2015 pritet të jenë rreth 15% më të larta se ato të vitit 2014”.

Të dhënat e zbuluara nga BIRN ngrenë pikëpyetje jo vetëm në përdorimin nga ana e OSHEE dhe e drejtuesve të saj të të dhënave të rreme për ta ushqyer publikun me sukseke imagjinare, por edhe mbi vetë fushatën kundër vjedhjes së energjise elektrike të udhëhequr nga kryeminisitri Edi Rama.

Shkresa e OSHEE drejtuar ERE në dhjetori 2015.

Shkresa e OSHEE drejtuar ERE në dhjetori 2015.

Qeveria aktuale nisi në tetor të vitit 2014 një fushatë të gjerë arrestimesh të qytetarëve nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike, fushatë që dërgoi në burg disa mijëra qytetarë, me raste, për arsye aspak bindëse ose për shkak të abuzimeve nga ana e vetë kompanisë.

dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se së paku 2,600 shqiptarë janë arrestuar për vjedhje të energjisë elektrike. Numri i stërmadh i të arrestuarve shkaktoi një mbipopullim të burgjeve ndërsa qeveria u akuzua për shkelje masive tëtë drejtave të njeriut.

Qeveria u vu gjithashtu nën kritika për shkak se, ndërsa qytetarët e thjeshtë u burgosën në masë, ajo nuk pranoi të hetojë dyshimet për shkelje të rënda në procedurat e tenderimit të energjisë elektrike apo aspekte të tjera të menaxhimit të OSHEE, dyshime që u ngritën nga një numër i madh aktorësh, përfshirë Autoritetin e Konkurrencës, Kontrollin e Lartë të Shtetit apo opozitën politike. KLSH, psh, në një raport të detajuar mbi punën e OSHEE gjatë vitit 2014, zbuloi 9.7 milionë euro dëme të shkaktuara në bilancin e kompanisë vetëm nga procedurat e paligjshme të prokurimit të energjisë elektrike. Ish-administratori i kompanisë, Arben Seferi, u kallëzua në prokurori.

Nën presion për të treguar se fushata e tyre e dhunës po jepte rezultat, përgjatë të gjithë vitit 2015, OSHEE bëri një numër të lartë deklaratash publike mbi sukseset e arritura, të cilat sot rezultojnë vetëm pjesërisht të vërteta.

Gënjeshtrat e përsëritura

Më 14 janar 2015, Drejtori i Përgjithshëm i OSHEE Adrian Çela, deklaroi me bujë në një ceremoni të posaçme të organizuar nga qeveria, në prani të kryeministrit dhe një numri ministrash se OSHEE kishte arkëtuar 49.1 miliard në vitin 2014, plot 100 milion dollarë më shumë se në vitin 2013.

Për shkak se OSHEE është kompania që i mbledh të ardhurat dhe njëkohësisht, përpilon statistikat për energjinë, deklarata të tilla janë të paverifikueshme në mënyrë të pavarur në kohën kur ato kryhen. Në janar 2015, askush nuk mund të vinte të dyshim këto shifra.

Por në qershor 2015, OSHEE dorëzoi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit bilancin e saj fiskal të vitit 2014. Bilanci thotë se të ardhurat totale të kompanisë qenë 47.2 miliardë lekë për vitin 2014, d.m.th, 1.9 miliardë lekë (13.5 milionë euro) më pak se sa shifrat e deklaruara në konferencën e janarit.

Në korrik 2015, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike deklaroi se kishte shënuar një rekord historik për sa i përket nivelit të ulët të humbjeve dhe një rekord gjithashtu historik për sa i përket arkëtimeve. Sipas deklaratës, arkëtimet në gjashtëmujorin e parë arritën 34.3 miliardë lekë, 50 për qind më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit 2014 dhe 82 për qind më shumë se sa në vitin 2013.

Në tetor, administratori Ardian Çela shkoi më tutje: “Në 9-Mujorin e vitit 2015 janë arkëtuar 500 milion USD. Thënë ndryshe, janë 150 milion [dollarë] më shumë se një vit më parë dhe 200 milion [dollarë] më shumë se në vitin 2013”, deklaroi ai, në një fjalim të mbajtur në një ceremoni me rastin e njëvjetorit të nisjes së operacionit të burgosjeve në masë.

Pas deklaratës së tetorit, BIRN iu drejtua OSHEE me një seri pyetjesh për të qartësuar situatën. Mes të tjerash, BIRN pyeti OSHEE-në se çfarë nënkuptonte ajo me arkëtime dhe çfarë kursi këmbimi kishte përdorur administratori Çela kur i deklaroi shifrat e të ardhurave në dollarë. (Kliko këtu për të parë përgjigjet e OSHEE)

Në një përgjigje të gjatë dhe jo shpjeguese, OSHEE i tha BIRN se për periudhën janar-shtator 2015, kompania kishte arkëtuar 49.7 miliardë lekë, shifër të cilën Çela e pati përkthyer për konveniencë në 500 milionë USD, pavarësisht se kursi i këmbimit në atë kohë qe 1 USD = me 125 lekë. Nëse do të përdorej kursi i vërtetë, Çela duhej të deklaronte se të ardhurat e kompanisë qenë 400 milionë USD dhe jo 500 milionë.

Lojë fjalësh

Përgjatë viteve ERE ka krijuar një seri indikatorësh për të matur gjendjen e sistemit elektroenergjetik. Problemi është se mënyra e të shprehurit në deklaratat publike të OSHEE gjatë vitit 2015 duket se ka tendencën t’i deformojë konceptet e ERE duke përdorur termat tjetër për tjetër dhe duke reduktuar mundësinë për të kuptuar se si po ecin me të vërtetë punët në menaxhimin e sistemit.

Këto janë indikatorë teknikë. Ato dallojnë nga treguesit financiarë të cilët hartohen në bazë të parimeve ligjore të kontabilitetit. Në bilanc, të ardhurat përfshijnë arkëtimet faktike plus arkëtimet e pritshme nga faturat e lëshuara dhe të papaguara. Anasjelltas, te shpenzimet përfshihen jo vetëm paratë e paguara, por edhe detyrimet e krijuara ende të pashlyera. Efikasiteti i punës së një administrate zakonisht shikohet duke parë humbjet neto në rrjet, normën e arkëtimeve mbi faturat korrente dhe mbledhjen e detyrimeve të prapambetura.

Administratori Çela përdori fjalën “arkëtime” për të dhënat e 9-mujorit, ndërsa në përgjigjen për BIRN, OSHEE bëri të ditur se me këtë term ajo nënkuptonte “detyrime” të krijuara nga faturat e lëshuara. Ky është një dallim i madh për shkak se energjia e faturuar është një shumë teorike, një pjesë e të cilës ka gjasa që nuk do të mblidhet kurrë ndërsa me “arkëtime” në terminologjinë e krijuar nga ERE, nënkuptohen paratë aktualisht të mbledhura nga faturat e lëshuara.

Nga përgjigjja e OSHEE për BIRN rezulton se për periudhën janar-shtator 2015, kompania ka rritur faturimet të shprehura me kWh me 4.92 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014. Për të njëjtën periudhë, ajo deklaron se ka rritur arkëtimet për faturat korrente me 38 për qind. OSHEE thotë se rritja më e lartë e të ardhurave në krahasim me faturimet vjen si pasojë e rritjes së të ardhurave nga konsumatorët jofamiljarë, mbi të cilët, çmimet u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2015. Megjithatë, deklaratat publike të OSHEE nuk përputhen me dokumentin e dorëzuar te Enti Rregullator i Energjisë. Diferenca është në rendin e dhjetëramilionë eurove.

Përgjatë viteve, gazetarët janë mësuar me deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm të sistemit elektroenergjetik apo të qeverisë ku termat përdoren në mënyrëjokorrekte, dukshëm për të krijuar në publik përshtypjen e një suksesi të madh. Në vitin 2008 psh, pararendësi i kompanisë aktuale, OSSH, deklaroi një “sukses historik” me humbje në nivelin 34 % të energjisë së hedhur në rrjet. Por një hetim i mëvonshëm nga CEZ zbuloi se 3 për qind e energjisë së deklaruar të shitur përbëhej në fakt nga faturime që OSHEE ia kishte bërë vetë OSHEE si konsum i brendshëm, gjë që nuk qe e vërtetë.

Të dhëna të paaudituara

Pavarësisht shifrave të fryra me tepri në deklaratat publike të OSHEE dhe të zyrtarëve të ndryshëm të qeverisë, të dhënat që OSHEE ka dorëzuar në ERE për vitin 2015 tregojnë një rezultat shumë pozitiv, ku kompania për herë të parë rezulton me fitime të konsiderueshme për të cilat është bërë nga subjektet më të mëdha të tatimit mbi fitimin.

Sipas të dhënave, të ardhurat e kompanisë qenë 54.2 miliardë lekë për vitin 2015, me rritje prej 7 miliardë lekësh (50 milionë euro) më shumë se sa në vitin 2014. Por suksesi më i madh rezulton se ka ardhur nga krahu i shpenzimeve. OSHEE deklaron se pati shpenzime prej 45.3 miliardë lekësh, plot 6.5 miliardë lekë më pak se sa në vitin 2014. Shpenzimet janë reduktuar në të gjitha zërat, përfshirë shpenzimet për blerjen e energjisë elektrike dhe shpenzimet operative. Kombinimi i shpenzimeve më të ulëta me të ardhurat më të larta kanë krijuar një fitim neto prej 8.9 miliardë lekësh, nga humbjet prej 4.5 miliardësh të vitit 2014.

Problemi është se këto janë të dhëna të paaudituara, gjë që do të thotë se vërtetësia e tyre nuk është e certifikuar në mënyrë të pavarur. OSHEE nuk ka qenë në gjendje të sigurojë bilanc të audituar me sukses në vitet 2013 dhe 2014 për shkak se kompanitë e punësuara si auditues të pavarur kanë gjetur parregullsi në mbajtjen e llogarive dhe pretendime konfliktuale. Në mungesë të një bilanci tëaudituar, rezultati financiar i kompanisë është i dyshimtë.

Terminologjia

Enti Rregullator i Energjisë, i cili raporton çdo vit në Kuvend dhe i publikon raportet në faqen e vet të internetit, përdor këto terma bazë për sistemin elektroenergjetik:

Energjia e furnizuar – do të thotë energjia e hedhur në rrjet e matur me kilovatorë (kWh).

Energjia e faturuar – do të thotë totali i faturave të lëshuara nga OSHEE e shprehur në lekë.

Energjia e arkëtuar – do të thotë sasia e faturave realisht të arkëtuara nga ato fatura që OSHEE ka lëshuar.

Arkëtime korrente –është ajo pjesë e arkëtimeve të faturave të vitit korrent. Ky është një tregues i krijuar për të dalluar efikasitetin e mbledhjes së faturave të lëshuara këtë vit nga pagesat e faturave të lëshuara nga vitet e mëparshme.

Arkëtime të vjetra – është ajo pjesë e arkëtimeve për faturat e lëshuara në një periudhë të mëhershme.