Gjykata e Tiranës la në masën e “arrestit me burg” 6 nga 15 personat e arrestuar për sulmin e dhunshëm ndaj Kryeministrisë. Avokatët akuzuan policinë për shoqërime të dhunshme dhe hetime politike.
Gjykata e Tiranës lehtësoi masat e sigurisë për protestuesit e 16 shkurtit, duke lënë në qeli 6 nga 15 të arrestuarit e akuzuar për sulmin kundër kryeministrisë. Shtatë protestues të tjerë u lanë në arrest shtëpie, ndërsa gjashtë nga të akuzuarit në “detyrim për paraqitje”.
Vendimet u dhanë pasi gjyqtarja Rexhina Melika dëgjoi argumentet e Prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës. Mes personave të arrestuar ishte edhe ish-kreu i INUV në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha.
Prokurori Inklid Gjini shpjegoi para gjykatës se të arrestuarit ishin konstatuar prej pamjeve filmike se kishin kundërshtuar forcat e policisë dhe kishin hedhur sende të forta drejt tyre dhe kryeministrisë. Sipas tij, sendet e forta ishin kapsolla, shkopinj, shishe plastike me ujë, sqepar, këpucë dhe kanë tentuar të thyejnë me forcë derën e kryeministrisë si dhe ambientet dhe objektet në hyrjen e saj.
Avokati mbrojtës i Florenc Hoxhës, Ivi Kaso tha se prokuroria dhe policia kishin bërë një mish-mash dhe se ngjarjet nuk kishin lidhje me personat e proceduar.
“Disa persona kanë shprehur simbolikisht, mellfin dhe urrejtjn ndaj kësaj qeverisjeje. Nëse do kishte pasur vullnet për këtë gjë, atëherë nuk do të ishin ndalur,” u shpreh ndër të tjera avokati Kasmi, duke i cilësuar si akte simbolike dhe vullnetare ato që prokuroria i vlerësoi si dhunë, dëm ndaj pronës dhe kundërshtim të forcave të policisë.
Avokati Kaso shtoi se klienti i tij dhe të ndaluarit e tjerë janë shoqëruar me dhunë nga shtëpitë e tyre, disa orë pasi protesta kishte përfunduar. Ai pretendoi se hetimi ishte kryer nën konteksin politik dhe jo në atë ligjor.
Policia e Tiranës njoftoi të dielën arrestimin në flagrancë të 15 protestuesve të opozitës, shpalljen në kërkim të shtatë personave dhe procedimin në gjendje të lirë të pesë të tjerëve.
Sipas policisë, këta protestues gjatë zhvillimit të tubimit në datë 16 shkurt, pas orës 11:00 kanë çarë kordonin e policisë duke kundërshtuar e goditur punonjësit e policisë, të cilët ishin të planizuar me shërbim për garantimin paqësor të tubimit.