Dy të rinjtë Andrea dhe Martin Olldashi, kishin humbur kontaktet me nënën e tyre të hënën në mbrëmje, ndërsa u gjetën të vrarë nga një kalimtarë në një kanal vaditës në Maliq.
Dy vëllezër nga Pogradeci u gjetën të vrarë në një kanal vaditës në një parcelë në fshatin Zvirinë tre ditë pasi ishin larguar nga shtëpia. Andrea dhe Martin Olldashi 33 dhe 31 vjeç u gjetën të mbuluar në kanal, ndërsa policia tha se ata ishin ekzekutuar me armë zjarri. Trupat e pajetë u gjetën rastësisht nga Guri Shuli punonjës i ujësjellësit Maliq po kthehej nga puna.
Shuli tha se kishte kaluar rastësisht pranë vendit ku ishin hedhu dy të rinjtë dhe pasi i ka parë ka njoftuar policinë. “Zakonisht kaloj nga ajo rrugë por këto ditët e fundit nuk kam shkuar sepse ka qenë moti i keq dhe i bie nga aksi nacional. Këtë bëra edhe në mëngjes ndërsa në kthim i rashë nga parcelat”, tregoi ai.
Një burim nga grupi hetimor tha se po hetohet në disa pista, ndërsa tha se dy vëllezërit ishin me precedentë penalë dhe se po ashtu dyshoheshin për trafik të lëndëve narkotike.
Trupat e pajetë të viktimave u gjetën në afërsi të vendit të quajtur Kisha e Vogël në fshatin Zvirinë. Dy vëllezërit ishin larguar nga banesa prej datës 7 dhjetor ndërsa nëna e tyre kishte denoncuar një ditë më vonë mungesën e kontaktit me ta. Gruaja u tha gazetarëve pas ngjarjes se me djemtë kishte humbur kontaktet në orën 22.00 më 7 dhjetor. “Telefonin e kishin të fikur. Nuk di të kenë patur konflikte. Ata që e kanë bërë më mirë të më kërkonin mua po të kishin hall sesa me vranë djemtë”, tha Engjëllushe Olldashi.
Pasi trupat e pajetë u transportuan në morgun e Korçës pritet mbërritja e ekspertëve nga Tirana për të kryer kqyrjen e kufomave ndërsa paraprakisht mësohet se ata janë qëlluar për vdekje në pjesën e kokës, që e bën ngjarjen të duket si ekzekutim.
“Çështja është në hetim dhe janë shoqëruar disa persona, të cilët po merren në pyetje pasi dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen ndërsa nga krehja e zonës nuk është gjetur armë krimi”- tha Policia e Korçës.
Vëllezërit ishin fëmijët e vetëm të familjes Olldashi dhe banonin në lagjen 1 të Pogradecit. Ata kanë pasur më herët probleme me policinë dhe ishin akuzuar si autorë të shpërthimit me tritol të lokalit në pronësi të një ish futbollisti në vitin 2012 në Pogradec, por edhe për gjobëvënie, vjedhje dhe vepra të tjera penale.