Lajm8 Feb 2021

Gjendet e vdekur në rrethana të paqarta një 47-vjeçare në Shkodër

Një grua u gjet vdekur nga policia në Bajzë të Malësisë së Madhe. Viktima kishte shenja dhune në trup, por policia tha se shkaqet e vdekjes janë ende të paqarta.

Autor: Anila Dushi BIRN Shkodër
Printo

Policia e Shkodrës në një vendngjarje. Foto Ilustruese:Anila Dushi

Një 47 vjeçare, nënë e tre fëmijëve është gjetur e vdekur brenda në banesën e saj në fshatin Bajzë, në Malësinë e Madhe. Policia njoftoi se në trupin e viktimës kishte shenja dhune, por shkaqet e vdekjes janë ende të paqarta.

Policia njoftoi se Violeta Guraj 47 vjeç ishte gjetur në shtëpinë e saj e vdekur nga oficerë të policisë, të cilët kishin shkuar të kontrollonin pasi ishin njoftuar nga djali i të ndjerës se ajo nuk përgjigjej prej ditësh në telefon.

Sipas policisë i biri i viktimës, i cili po vuan një dënim me burg, kishte telefonuar policinë pasi e ëma nuk ishte përgjigjur në telefon për tre ditë më rradhë. Gurraj jetonte e vetme.

“Trupi është dërguar në morgun e spitalit, për ekspertizë më të specializuar, me qëllim përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës”, thuhet në njoftimin e policisë.