Policia e Kosovës po heton gjetjen e një eksplozivi në kopshtin e një anëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, në Kosovën veriore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës, Ibrahim Shala, konfirmoi të dielën se një eksploziv u gjet i lidhur pas një peme në pronën e një anëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës, FSK, të shtunën në mbrëmje në Mitrovicë në Kosovën veriore.
Shala tha për BIRN se një eksploziv i pashpërthyer u gjet në oborrin e pasmë të një anëtari të FSK-së, që i përket komunitetit boshnjak të qytetit.
“Eksplozivi u shpërthye nga Policia e Kosovës, e cila po trajton çështjen. Nuk pati të lënduar pasi eksplozivi nuk shpërtheu kur u hodh,” tha Shala për BIRN të dielën.
Arsyeja e sulmit është ende e paqartë.
Kjo vjen pasi qeveria e Kosovës më 18 tetor miratoi një projektligj të ri të FSK-së, duke zgjeruar kompetencat e saj, por duke shmangur nevojën për ndryshime kushtetuese të kërkuara për ta shndërruar atë në një ushtri të rregullt.
Vendimi hasi kundërshtim nga Serbia dhe nga pakica serbe në Kosovë, të cilët kanë kundërshtuar shumë përpjekjet e Prishtinës për të formuar një ushtri të rregullt.