Ndërsa SHBA-ja dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së i bëjnë presion Kosovës që të ndryshojë kufijtë e saj me Serbinë, Gjermania duhet të mbrojë parimin se ndryshimi i kufijve në baza etnike është diçka e gabuar.
Për dy dekada, vendet europiane kanë punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të zbatuar dhe mbrojtur një paqe të brishtë në Ballkan. Të dyja palët kanë investuar miliarda euro për të rindërtuar dhe stabilizuar Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën, të shkatërruara nga agresioni serb dhe të dy dërguan mijëra trupa në rajon si një forcë paqeruajtëse.
Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, me Gjermaninë dhe – deri më tani – me Mbretërinë e Bashkuar në thelbin e saj, kanë një mekanizëm të kombinuar për progresin e mundshëm dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor që është i pakrahasueshëm në çdo rajon të planetit.
Megjithatë, një gabim strategjik i madh tani po shpaloset në të dy anët e Atlantikut, ku administrata e Donald Trump ka vendosur të ngrejë status quo-në dhe ta largojë këtë trashëgimi për një përshtatshmëri afatshkurtër.
Uashingtoni po kalon në anën e Serbisë ndërsa kërkon një “shkëmbim territori” me Kosovën që do të sillte zonat e banuara me serbë në Kosovë nën kontrollin serb në këmbim të kësaj Beogradi do të njihte Kosovën – ish-provincën e tij – si një vend i pavarur.
SHBA-ja po ushtron presion të madh mbi Kosovën që kjo e fundit të pranojë një marrëveshje të tillë – edhe pse mbështetësi i saj kryesor në anën e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, është pothuajse plotësisht i izoluar brenda vendit në lidhje me këtë çështje.
Trump padyshim ka ndjekur politikën më anti-europiane të Amerikës në epokën e pasluftës. Por ai po ndjek thjesht një gjurmë të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Mogherini po bashkëpunon me Këshillin Kombëtar të Sigurisë të Trumpit, NSC, në avancimin e axhendës së Serbisë për të ripërcaktuar kufijtë ndërkombëtarë përgjatë vijave etnike, një axhendë e drejtuar nga presidenti serb dhe aleati i mundshëm i BE-së Aleksandar Vuçiç. Mogherini dhe amerikanët i kanë mbajtur vendet anëtare të BE-së dhe aleatët e NATO-s në errësirë në lidhje me këto përpjekje.
Ky është një largim dramatik jo vetëm nga një çerek shekulli bashkëpunimi transatlantik në Ballkan, por nga një parim thelbësor i rendit ndërkombëtar të tanishëm – që ndryshimi i kufijve përgjatë vijave etnike është i rrezikshëm dhe do të çojë në destabilizim dhe gjakderdhje.
Ka arsye të mira pse aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë është dënuar dhe ka çuar në imponim sanksionesh dëmtuese; ky ka qenë një standard pas Luftës së Ftohtë.
I gjithë presioni aktualisht po aplikohet ndaj kosovarëve. SHBA dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian po dalin haptazi në anën e Beogradit, i cili – ashtu si Rusia, Kina dhe pesë shtete anëtare të BE-së – ende e shohin Kosovën si një provincë të shkëputur.
Administrata Trump e ka përshkallëzuar në mënyrë të rrezikshme qëndrimin e saj agresiv në këtë çështje. Zyrtarët e NSC kanë kërcënuar të tërheqin forcat amerikane nga forca paqeruajtëse e KFOR-it – rreth 25 për qind e forcës dhe një që i siguron më shumë kosovarët.
Ndërsa dëmi afatgjatë do të jetë i rëndë, arsyetimi është personal dhe afatshkurtër. Shtysa Trump-Mogherini duket se ka për qëllim arritjen, ose të paktën deklarimin, a fait accompli që mund të shpallet shpejt si një “fitore” diplomatike, me një marrëveshje që niset në Bruksel dhe nënshkruhet në Rose Garden të Shtëpisë së Bardhë para se mandati i Mogherinit të mbarojë më vonë këtë vit.
Mogherini dhe paraardhësja e saj, Catherine Ashton, kanë ndërmjetësuar Beogradin dhe Serbinë për shumë vite. Ashton arriti gjithashtu një marrëveshje të pjesshme, vetëm disa muaj përpara përfundimit të mandatit të saj.
Marrëveshja rezultoi e pamundur të zbatohej në kushtet politike. E njëjta gjë do të jetë e vërtetë edhe për marrëveshjen e shkëmbimit të territorit – përveçse rreziqet në lojë këtë herë janë më të mëdha.
Përjashtimi i Kosovës nga OKB-ja dhe shumë forume të tjera, si dhe mungesa e njohjes nga Serbia, është një problem real që kërkon një zgjidhje.
BE-ja kolektivisht nuk ka qenë në gjendje të artikulojë politikën e pandryshuar të shumicës së shteteve anëtare të saj – se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën në kufijtë e tanishëm.
Nëpërmjet parlamenteve të tyre, shtetet anëtare duhet ta bëjnë të qartë këtë tani. Fakti se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë kaluar qartazi në anën e palës më të fortë tregon se cila anë do të përfitojë nga një marrëveshje që do të ishte e vështirë, në mos edhe e pamundur, për t’u zbatuar.
Pranimi i shteteve anëtare të BE-së i fait accompli të Trump-Mogherini do të nënkuptonte braktisjen e asaj që ka qenë një tabu transatlantike për një çerek shekulli – ndjekja e kufijve etnik – dhe për pasojë transferimet e popullsisë.
Një marrëveshje e tillë, nëse pranohet, do të nxiste axhendat nacionaliste të paplotësuara nga vitet 1990 në të gjithë rajonin, tashmë gjithnjë e më shumë në shfaqje të paturpshme. Ka një arsye pse Vuçiç dhe nënshtetasit e tij përpiqen ta paraqesin këtë si një zgjidhje midis “serbëve dhe shqiptarëve” në vend të Serbisë dhe Kosovës.
Një marrëveshje e tillë do të ishte vetëm pjesa e parë në rregullimin e hartave – politike dhe demografike – në Ballkan. Një ndryshim i tillë në mënyrë të pashmangshme do të ishte i dhunshëm dhe do të shkaktonte zhvendosje të popullsisë, duke përfshirë edhe në BE.
Bosnja dhe Hercegovina është një çmim shumë më i madh për Beogradin. Serbia ka një përkrahës entuziast në presidencën shtetërore të vendit në figurën e liderit de facto të Republikës Srpska Milorad Dodik. Maqedonia e Veriut është i vetmi lajm vërtet i mirë i kohëve të fundit, por edhe ajo mbetet e brishtë.
Për vite me radhë, struktura e politikave të BE-së ka pretenduar se shefja e politikës së jashtme mund të veprojë vetëm kur 28 shtetet anëtare të bllokut e mbështesin atë. Është e çuditshme që Mogherini është shkëputur nga ky kufizim, jo në ndjekjen e vlerave të BE-së, por për të avancuar një marrëveshje që i shpërfill këto vlera dhe politika të përcaktuara.
Mbështetësit e shkëmbimit territorial dhe të popullsisë e konsiderojnë atë një marrëveshje të mbaruar, pa marrë parasysh se shumica e klasës politike dhe publikut të Kosovës janë kundër saj. E vetmja forcë që duket e aftë tani ta ndalë këtë është Gjermania.
Ndryshe nga administrata e Trump, kancelarja Angela Merkel ka një rol të drejtpërdrejtë në të ardhmen e Kosovës dhe në respektimin e parimeve të vendosura të rendit ndërkombëtar. Ajo lehtësoi fillimin e Dialogut Beograd-Prishtinë.
Roli i Gjermanisë ka qenë thelbësor gjatë gjithë procesit, duke punuar më ngushtë me SHBA-në dhe Britaninë.
Merkel përsëri kryesoi BE-në vjeshtën e kaluar duke deklaruar se ideja e ndarjes e Vuçiçit dhe Thaçit do të jetë në thelb destabilizuese. Shumë vende anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe ata Spanjën dhe Sllovakinë që nuk e njohin Kosovën, gjithashtu patën dyshime të thella rreth ndarjes së Kosovës.
Por, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe Luksemburgut, asnjë nuk ishte i zëshëm në publik. Kjo i ka dhënë hapësirë Mogherinit që të ndjekë një marrëveshje ndarjeje.
Ligjvënësit në Kosovë janë anashkaluar nga Thaçi. Në Serbi, parlamenti është i nënshtruar vullnetit të Vuçiçit. Tradita dhe procedurat e Gjermanisë së pas luftës fuqizojnë ligjvënësit për të parandaluar përfundimet në praktikat demokratike.
Bundestagu mundet dhe duhet të ndalojë përpjekjet e BE-së duke votuar për një zgjidhje midis palëve që Serbia të mund të hyjë në BE vetëm me kufijtë e saj aktualë të pranuar.
Berlini duhet që në të njëjtën kohë t’i mbledhë vendet e tjera anëtare që t’i rezistojnë çdo shkëmbimi territorial midis Kosovës dhe Serbisë – dhe në Ballkanin Perëndimor më gjerësisht, pasi ato do të çonin në mënyrë të pashmangshme në lëvizjet e popullsisë.
Kjo nuk do të thotë asgjë më shumë sesa rivendosje e epërsisë së shteteve anëtare mbi institucionet e BE-së.
Mosbërja e kësaj do të ishte një abdikimi i përgjegjësisë dhe dëmtim i përpjekjeve për të mbështetur ndërtimin e shteteve liberale, demokratike dhe multietnike nën sundimin e ligjit për të gjithë në Ballkanin Perëndimor.
Është e qartë se cilat forca do të përfitonin nga një abdikim i tillë, si brenda BE-së dhe më gjerë.
Gjermania tashëm duhet të marrë në dorë frenat, të ruajë trashëgiminë e Europës pas Luftës së Ftohtë dhe vlerat themelore të BE-së dhe Aleancës Atlantike – dhe për të mbrojtur njerëzit që do të vuanin më drejtpërdrejt nga një shkëmbim territoresh.
Autorët janë bashkë-themelues dhe bashkëpunëtorë të lartë të Këshillit të Politikave të Demokratizimit në Berlin.
Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish pikëpamjet e BIRN.