Lajm7 Jun 2019

Gjermania rrudh shpresat e Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave

Duke penguar aspiratat për anëtarësimin në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, Bundestagu gjerman të enjten nuk arriti të merrte ndonjë vendim për të mbështetur një datë fillimi për bisedimet e pranimit me secilin vend.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Bundestagu gjerman. Foto: Pixabay.

Parlamenti gjerman miratoi të enjten protokollin e anëtarësimit në NATO me Maqedoninë e Veriut, por nuk diskutoi mbështetjen e nisjes së bisedimeve të pranimit në BE të Maqedonisë së Veriut apo Shqipërisë.

Pa një vendim të tillë nga Bundestagu, qeveria gjermane nuk mund të miratojë hapjen e bisedimeve të pranimit me të dy vendet anëtare aspiruese në Këshillin Europian më vonë këtë muaj, më 18 qershor.

Kjo do të thotë se data më e hershme e mundshme që kjo të ndodhë do të ishte në shtator, pasi Bundestagu të kthehet nga pushimet e tij të verës.

Zvarritja në Berlin do të shtojë shqetësimet e qeverive në Shkup dhe Tiranë, të cilat gjithashtu duhet të përballjen me skepticizmin e zgjerimit të Francës, Holandës dhe disa vendeve të tjera të BE-së.

Të dy vendet kishin shpresuar për një datë të prerë për të filluar bisedimet e anëtarësimit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më parë këtë javë në Bruksel paralajmëroi se nëse nuk merrej një vendim për nisjen e bisedimeve të pranimit këtë vit, kjo do të rrezikonte qeverinë e tij pro-europiane dhe të nxiste të djathtët euro-skeptik në vend të cilët u rrëzuan nga pushteti dy vjet më parë, në vitin 2017.

BE-ja “ose do të mbështesë këtë opsion progresiv, pro-europian, ose ata që i kanë bllokuar këto procese dhe që janë etiketuar si radikalë, nacionalistë apo pro-ruse. Zhgënjimi midis qytetarëve tanë, nëse Komisioni Europian nuk jep një mendim pozitiv, do t’i japë shpresë këtyre forcave,” tha Zaev.

Komisioni Europian në maj i rekomandoi BE-së të hapë bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por vendimin për datën aktuale ia la Këshillit Europian në qershor.

Raporti i tij vlerësoi qeverinë e Zaevit për arritjen e marrëveshjes historike me Greqinë verën e kaluar, e cila i dha fund një mosmarrëveshjeje të gjatë në lidhje me emrin e Maqedonisë, si edhe për angazhimin në reforma të tjera që synojnë t’i japin fund zvarritjes së anëtarësimit të vendit në NATO.

“Pavarësisht se ç‘do të ndodhë, ne bëmë gjithçka që mundëm. Do të doja që partnerët tanë të BE-së të dinë se kemi 15 vjet që presim një datë dhe se tani gjithçka është e mundur,” tha Zaev.