Lajm4 Oct 2019

Gjetjet e ONM-së shtyjnë vetingun për kandidaten e SPAK, Anita Jella

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu seancën dëgjimore me prokuroren Anita Jella pas një kërkese të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, që dorëzoi të dhëna të reja për subjektin.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella në KPK. | Foto : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shtyu të premten seancën dëgjimore me drejtuesen e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili ka dorëzuar të dhëna të reja në funksion të rivlerësimit të subjektit.

“Ditën e sotme, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka depozituar të dhëna të reja pranë Komisionit dhe ka kryer kërkesë për të shtyrë seancën dëgjimore për të bërë të mundur që organet e vetingut të hetojnë me objektivitet të gjitha elementet e reja që janë vënë në dijeni së fundmi, të lidhura me procesin e rivlerësimit për subjektin, zonjën Anita Jella,” deklaroi në fillim të seancës kryesuesja e trupës gjykuese, Xhensila Pine.

Pine nuk shpjegoi përmbajtjen e gjetjeve të ONM-së, por shtoi se trupi gjykues e kishte pranuar kërkesën e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendosi shtyrjen e seancës për prokuroren Jella.

Anita Jella është një ndër 15 prokurorët e zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK dhe procesi i vetingut është hallka e fundit që i duhet për t’u emëruar në këtë post.

Jella ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1999 dhe Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002. Ajo e ka filluar karrierën si prokurore në Elbasan në vitet 2001-2003 dhe më pas ka punuar si drejtuese e Prokurorisë së Librazhdit deri në vitin 2007.

Pas rikthimit për një vit në Prokurorinë e Elbasanit, Jella u emërua prokurore në Prokurorinë e Durrësit, ku e ushtron funksionin prej 10 vitesh. Më 9 maj 2018, Anita Jella u caktua drejtuese e Prokurorisë së Durrësit nga kryeprokurorja Arta Marku.

Procesi i vetingut për Jellën po kryhet nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Xhensila Pine, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Etleda Çiftja. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.