Administratorët e 24 njësive tregtare janë gjobitur për mosrespektim të orarit të mbylljes së aktivitetit. Masa administrative janë ndërmarrë edhe ndaj dhjetëra qytetarëve e drejtuesve të mjeteve që kanë qarkulluar jashtë orarit të lejuar.
Policia e shtetit njoftoi të shtunën vijimësinë e ndëshkimeve ndaj shkelësve të masave kufizuese të marra për të parandaluar përhapjen e COVID-19.
Në njoftimin e policisë thuhet se në gjithë vendin, gjatë 24 orëve të fundit, janë penalizuar me masë administrative 10 mijë lekë, 71 qytetarë të cilët janë konstatuar duke lëvizur gjatë orarit te kufizuar pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Ndërkohë, 34 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me heqje heqje të lejeve të drejtimit dhe u janë bllokuar mjetet pasi kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit.
Policia ka gjobitur me nga 100 mijë lekë gjobë edhe administratorët e 24 njësive tregtare që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes së aktivitetit.