Lajm25 Aug 2019

Gjonaj heton veten për hotelet me pesë yje

Pas stuhisë mediatike që shoqëroi publikimin e Faktoje të faturave të udhëtimeve të Ministres së Drejtësisë, Gjonaj u ankua për trajtim të padrejtë nga media të kësaj ngjarjeje ndërsa shtoi se ka urdhëruar një "auditim të brendshëm" të procedurave të prenotimeve të hoteleve, duke i gjetur ato në përputhje me ligjin dhe rregulloren.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Ministrja e Drejtesise, Etilda Gjonaj, duke folur gjate nje konference shtypi, ku ka deklaruar se procesi per testimin e punonjesve te policise se burgjeve ka qene meritokratik, transparent dhe cilesor./r/n/r/nJustice Minister Etilda Gjonaj, speaks during a press conference where she stated that the process of testing the prison police officers has been meritocratic, transparent and qualitative.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj u ankua në një status në Facebook për trajtim të padrejtë nga ana e medias të lajmit të publikuar fillimisht në Faktoje.al për faturat e hoteleve të disa udhëtimeve të saj, të cilat u konsideruan si të tepërta.

Në një status në Facebook, Gjonaj u ankua se po paguan kosto të rënda “si grua” ndërsa shtoi se sipas saj, gazetarët nuk kanë pasur sy për të “vlerësuar transparencën” si dhe për të parë se ajo “ka udhëtuar edhe me tren” për t’i kursyer paratë taksapaguesve.

“Ndihem e keqardhur nga ky sulm i paprecedent në disa portale mediatike të cilat kanë hedhur baltë dhe llum pa fund për mua por njëkohësisht kanë nxitur qëllimisht opinionin me komente, shprehje e aludime fyese dhe poshtëruese, për të më baltosur personalisht, si zyrtare, si grua, bashkëshorte dhe nënë,” deklaroi Gjonaj të dielën.

“Duke mbajtur në konsideratë ndjeshmërinë që krijoi në publik ky lajm kam nisur një proces verifikimi dhe auditimi të brendshëm për të gjitha procedurat e kryera nga stafi i Ministrisë së drejtësisë nga i cili rezultoi se çdo procedurë është në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore në fuqi,” shtoi ajo.

Gjonaj nuk bëri të ditur se kur ka nisur auditimi dhe kur ka përfunduar.

Duke iu referuar një fature hoteli në Romë, ajo deklaroi se fatura përfshinte dy net dhe jo një natë, ndërsa duke iu referuar faturave të tjera jo në mënyrë specifike, “faturat e publikuara nuk përmbajnë vetëm shpenzimet e mia, por përmbajnë shpenzimet e të gjithë delegacionit që merrte pjesë në këto aktivitete”.

Gjonaj u përball me një stuhi mediatike pas publikimit të faturave që tregonin për hotele me çmime 600 apo 700 euro në natë.

Faturat e publikuara nga Faktoje, të marra përmes një kërkese për të drejtë informimi, janë lëshuar të gjitha në emër të Etilda Gjonajt dhe aty nuk flitet për “delegacion”.