Lajm21 Oct 2020

Gjuha e urrejtjes në media targeton gratë dhe komunitetet e margjinalizuara

Një monitorim 5-mujor i mediave televizive dhe artikujve në mediat online tregon se gjuha e urrejtjes dhe e diskriminimit është e përhapur në media, duke targetuar më së shumti gratë dhe komunitetet vulnerabël.

Autor: Nensi Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Ilustrim per ndalimin e gjuhes se urrejtjes.

Një monitorim 5-mujor i mediave televizive dhe atyre online në Shqipëri zbulon se gjuha e urrejtjes dhe e diskriminimit vazhdon të jetë e gjithëpërhapur dhe targeton më së shumti gratë dhe komunitetet e margjinalizuara.

Studimi i realizuar nga organizata Pro-LGBT në bashkëpunim me ambasadën gjermane në Shqipëri u prezantua të martën gjatë një aktiviteti online dhe përmban gjetjet mbi gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimit nga monitorimi i 109 emisione televizive dhe 293 artikuj të medias së shkruar në periudhën mars-gusht 2020.

Gjuha e urrejtjes përkufizohet si gjuhë e cila mbulon të gjitha format e shprehjes të cilat shpërndajnë, nxisin, promovojnë, apo justifikojnë urrejtjen racore, ksenofobinë, anti-semitizmin, apo format e tjera të urrejtjes bazuar në intolerance.

Monitorimi tregon se kategoritë më të targetuara në Shqipëri janë gratë, të ndjekura nga komuniteti Rom dhe Egjiptian, komuniteti LGBT, komunitetet fetare si edhe personat me aftësi të kufizuar. Gjithashtu, një rezultat tjetër i studimit ishte se në emisionet televizive, rreth 73% e të ftuarve janë burra, ndërsa vetëm 27% e tyre janë gra.

“Gratë përbëjnë grupin më të madh të prekur nga gjuha e urrejtjes/seksizmit/diskriminimit, ku në 68.9% të artikujve gazetareskë apo emisioneve janë identifikuar raste të përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj grave”, tha autori i studimit, Emiljano Kaziaj.

Kaziaj shtoi se komuniteti LGBTI dhe ai Rom dhe Egjiptian janë komunitetet 2-fish të diskriminuara, pasi gjatë pesë muajve të monitorimit, nuk është gjetur asnjë rast apo lajm që të jetë informues apo edukativ mbi këtë komunitet, si edhe nuk ka pasur asnjë të ftuar që të përfaqësojë këto komunitete në ndonjë emision televiziv.

“Është e pamundur të pretendojmë për të pasur politika lehtësuese  për komunitetet vulnerabël, në momentin kur këto komunitete nuk kanë asnjë përfaqësues nëpër media, apo përballë një fakti se gazetarët nuk denjojnë të bëhen zëri i tyre kundër padrejtësive apo politikave diskriminuese që ato shpesh përjetojnë,” tha Kaziaj.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca e krahasoi gjuhën e urrejtjes “një virus që godet shoqërinë” dhe kritikoi përfaqësuesit e medias, të politikës apo edhe të botës së artit që e përccojnë atë.

“Fatkeqësisht, për problemin e gjuhës së urrejtjes nuk jemi duke gjetur një zgjidhje, pasi lufta ndaj këtij fenomeni do të sillte një zgjidhje edhe në ndalimin e fenomenit ku tregohen me gisht persona të cilët kanë prirje të ndryshme apo mendojnë ndryshe nga ne”, vijoi avokatja Ballanca.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda tha se përdorimi i gjuhës së urrejtjes në formatet televizive nga vetë politikanët apo figurat e njohura dhe njerëz me peshë në opinionin publik, krijon modelet e gabuara  dhe nxit përforcimin e diskriminimit dhe stereotipeve ndaj grupeve vulnerabel në shoqëri.

“Fakti për të ardhur keq qëndron se personat të cilët e përdorin gjuhën e urrejtjes në media nuk ndërgjegjësohen dhe nuk kërkojnë ndjesë për akte të tilla, por në të kundërt ata preferojnë të gjobiten , gjë e cila është shqetësuese pasi tregon se këta individë nuk janë të ndërgjegjshëm për dëmin që ato po shkaktojnë nëpërmjet përdorimit të kësaj gjuhe,” tha komisioneri Gajda.

Kaziaj e shpjegoi këtë fenomen me nevojën që ka media për të nxjerrë lajme sensacionale për të fituar audiencë.

“Ajo që kemi vënë re në të dyja monitorimet, si me median online ashtu edhe me atë televizive, është se për të arritur artikuj sensacionalë dhe sa më shumë klikime apo audiencë, mediat nuk respektojnë ligjet që ekzistojnë kundra diskriminimit,” u shpreh Emiljano Kaziaj gjatë prezantimit online.