Lajm12 Apr 2018

Gjuha me nënkuptime seksuale kthehet në sherr politik

Pasi dy javë më parë kryeministri Edi Rama foli në kuvendin e Shqipërisë duke përdorur shprehje me nënkuptime seksuale, dy partitë opozitare vendosën të luftojnë politikisht duke e akuzuar për rrugaçëri dhe tallje me popullin, një kërkesë që shumica socialiste e konsideron fyese.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Deputetët e opozitës duke i hedhur miell kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë më 12 prill 2018. Foto: Xhodi Hysa/LSA

Ngrihet apo nuk ngrihet. Një folje që në shqip ka një larmishmëri përdorimesh, por e përdorur nga kryeministri Edi Rama u interpretua nga deputetët e opozitës si një fyerje me karakter seksual që nënkuptonte impotencë.

Të enjten, dy deputetë të opozitës i hodhën miell kryeministrit Edi Rama në protestë ndaj fjalëve të tij ndërsa deputetë të tjerë tentuan të bllokojnë seancën duke deklaruar se ndjehen të fyer nga gjuha e përdorur nga Rama.

Javën e kaluar, deputetë të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dorëzuan një kërkesë formale në kryesinë e Kuvendit për dënimin me përjashtim nga punimet e kuvendit të Kryeministrit Edi Rama. Kërkesa e tyre lidhej me të njëjtën deklaratë të Ramës të dhënë gjatë një debati në Kuvend më 29 mars. Sipas procesverbalit të seancës të publikuar në faqen në internet të Kuvendit, Rama tha:

“…kur fillojnë kërcënimet: “shiko, se do të ngrihen këta, do të ngrihen ata”, është “thirri, thirri, të të ngrihet ai i shkreti kokulur, s’të përgjigjet dot”, është poezi, që e di edhe doktori. Pyesni atë, sepse ai e di mirë këtë punë”. [Link procesverbali]

Opozita pretendon se Rama në këtë rast përdori gjuhë me nënkuptime seksuale. Në kërkesën e LSI për përjashtimin e Ramës thuhet: “Krahasimi që Kryeministri Edi Rama ju bën deputetëve dhe qytetarëve shqiptarë me organin gjenital mashkullor është rast i paprecedent dhe shfaqje e shëmtuar e qëndrimit të tij ndaj popullit”.

Kërkesa e LSI u hodh poshtë pak ditë më parë nga kryesia e Kuvendit, ku deputetët socialistë u shprehën të fyer nga përdorimi i fjalës “rrugaç” si cilësim i gjyhës së kryeministrit. Opozita nuk u mjaftua me kaq dhe vendosi të bëjë sherr në Kuvend me Ramën ditën e enjte më 12 prill. Disa deputetë të opozitës iu afruan foltores dhe hodhën miell mbi kryeministrin. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i gjendur pranë kryeministrit u spërkat me miell dhe reagoi duke hedhur ujë ndaj agresorëve.

Kryetari i Kuvendit urdhëroi përjashtimin e tre deputetëve të opozitës që morën pjesë në aksionin e miellit. Flamur Noka, ish-ministër i Brendshëm, u përjashtua bashkë me Ervin Salianjin dhe Klevis Balliun.

Përdorimi i fjalëve fyese në Kuvendin e Shqipërisë është një fenomen që ka ndodhur shpesh, por gjuha me nënkuptime seksuale ka ndodhur edhe më shpesh. Në një rast, kryeministri Edi Rama u kap duke thënë nën zë: “O rrotë Kari”! duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha. Rama kërkoi falje më pas për përdorimin e këtij fjalori.

Vetë Berisha është i famshëm për sharjet me fjalë të ndyra ndaj deputetit socialist Taulant Balla në vitin 2008.

Deputetët e opozitës duke i hedhur miell kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë më 12 prill 2018. Foto: Xhodi Hysa/LSA