Të shqetësuar për fatin e Kopshtit Botanik, asambleja e Personelit Akademik e Fakultetit të Shkencave të Natyrës ka vendosur në një mbledhje të jashtëzakonshme të ndjekë nga afër procesin gjyqësor midis bashkisë dhe Universitetit të Tiranës.
Të mërkurën në orën 11:00, Gjykata Administrative e Apelit pritet të shqyrtojë padinë e Universitetit të Tiranës nëpërmjet të cilës kërkohet shfuqizimi i një vendimi të Këshillit të Ministrave për kalimin të pronësisë Kopshtit Botanik bashkisë së kryeqytetit.
“Të shqetësuar për fatin e Kopshtit Botanik dhe në pritje të përfundimit të procesit gjyqësor, Asambleja unanimisht mori vendimin që të përcjellë nga afër të gjitha hapat e këtij procesi, me praninë e të gjithë trupës së saj përpara Gjykatës Administrative të Apelit …më shpresë të një vendimi të drejtë në favor të shpëtimit të këtij institucioni unik me vlera kombëtare të pazëvëndësueshme,” tha nëpërmjet një deklarate për shtyp asambleja.
Nëpërmjet një vendimit të marrë në 17 korrik, Këshilli i Ministrave ka vendosur transferimin e disa pasurisë të paluajtshme në zonën kadastrale 3292 – e cila përfshin sipërfaqen e Kopshtit Botanik, nga Universiteti i Tiranës në pronësi të bashkisë së Tiranës.
Asambleja e FNSH-së u shpreh e zhgënjyer nga Ministria e Arsimit, duke e akuzuar këtë të fundit se nuk ka bërë transparencë në strukturat e universitetit procesin e iniciuar nga në tetor 2017 nga bashkia e Tiranës për marrjen në administrim të Kopshtit Botanik. Sipas asamblesë mungesa e transparencës nga Ministria ka sjellë dhe akuza nga bashkia e Tiranës në drejtim të Rektoratit dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës – të shprehura nëpërmjet një shkrese të dërguar me 1 tetor nga kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Kjo shkresë, duke qenë në kundërshtim flagrant të kuadrit ligjor që rregullon marrëdhëniet midis dy institucioneve publike, përmban gjithashtu shtrembërime dhe fakte të pavërteta në kohë dhe përmbajtje,” shprehet Asambleja.
E kontaktuar nëpërmjet një zëdhënësi bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi akuzat e Asamblesë.