Ish-Ministri i Brendshëm i shpallur fajtor në shkallën e parë për abuzim me detyrën pritet të përballet edhe një herë me të njëjtën gjykatë pas prishjes së vendimit dhe rikthimit të çështjes për rigjykim.
Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri pritet të përballet edhe një herë me gjyqësorin në shkallë të parë pasi gjykata e Apelit të Tiranës vendosi të premten rikthim të çështjes së tij.
Çështja Tahiri u shqyrtua në apel nga gjyqtarët Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Dhimitër Lara.
Tahiri gjykohet bashkë me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela, i cili u dorëzua në polici vetëm pak kohë më parë.
Tahiri u dënua në gjykatën e shkallës së parë në shtator 2019 me pesë vjet burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës ndërsa ai u shpall i pafajshëm për akuzën më të rëndë, atë të trafikut ndërkombëtar të drogës. Tahiri dhe Çela janë deklaruar të pafajshëm para gjykatës.
Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë ne tetor 2017 pasi autoritetet italiane goditën një bandë të trafikut të marijuanës në sasi të mëdha nga Vlora drejt Italisë. Banda e Vëllezërve Habilaj për shkak të mbiemrit të dy vëllezërve që ishin drejtues të saj, kishte operuar pa u ngacmuar nga autoritetet policore shqiptare për shumë vite ndërsa autoritetet italiane kishin arritur t’i përgjonin për një periudhë katëvjeçare nga viti 2013 deri në vitin 2017. Dosja e tyre e përgjimit zbuloi disa lidhje mes Habilajve dhe Saimir Tahirit. Tahiri u vu nën akuzë nga prokuroria, e cila kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste nën udhëheqjen e Edi Ramës bllokoi arrestimin duke refuzuar kërkesën e prokurorisë dhe duke i sulmuar prokurorët si të njëanshëm.